Futboll

FIFA miraton unanimisht planin e shpëtimit nga Covid-19

Këshilli i FIFA u mblodh sot dhe mori vendime të rëndësishme për të ardhmen e futbollit, siç ishte zgjedhja e Australisë dhe Zelandës së Re si vendet organizatore të Kupës së Botës për femra 2023. FIFA gjithashtu miratoi planin për t'iu përgjigjur COVID-19 dhe për të ndihmuar futbollin në të gjithë botën përballë pandemisë dhe pasojave të saj. Përmes tre fazave të tij, ky plan global i mbështetjes do të sigurojë deri në 1.5 miliard dollarë për të ndihmuar komunitetin e futbollit.

Në dy fazat e para të planit, çdo federatë, do të përfitojë 1 milion dollarë dhe më vonë edhe 500.000 dollarë, dedikuar posaçërisht futbollit të femrave. Në fazën e tretë, të miratuar sot nga Këshilli, mbështetje financiare shtesë do të ofrohen përmes një sistemi të granteve dhe kredive: Për më tepër, çdo konfederatë do të marrë një grant prej 2 milionë dollarësh dhe hua pa interes, deri në 35% të ardhurave të tyre të audituara vjetore.

Sipas paktit të solidaritetit, do të jetë në dispozicion një kredi minimale prej 500,000 dollarë dhe maksimumi 5 milion dollarë. Përveç kësaj, çdo konfederatë do të ketë qasje në një kredi deri në 4 milion dollarë.  Për të siguruar një kontroll efektiv të planit, do të zbatohet kontrolli i rreptë i përdorimit të fondeve dhe shlyerja e huasë. Do të krijohet gjithashtu një komitet drejtues për të mbikëqyrur administrimin e sistemit.

Olli Rehn, nënkryetar i komitetit qeverisës të FIFA-s, është emëruar në krye të komitetit. Ai është gjithashtu guvernator i Bankës së Finlandës, anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-nënkryetar i Komisionit Evropian. Si hap tjetër, fazat e tjera të planit do të konsolidohen në një seri rregullash që do t'i paraqiten FIFA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë