Futboll

FIFA kërcënon klubet për Superligën: Kush luan, jashtë futbollit ndërkombëtar

FIFA ka mbajtur një qëndrim të prerë në ldihje me spekulimet e fundit për projektin e një turneu mes klubeve më me emër në botë. “Kush luan në Superligën e Europës, do të mbetet jashtë futbollit ndërkombëtar, jashtë kompeticioneve tona”. Ky është qëndrimi i FIFA-s, bashkë me 6 konfederatat kontinentale.

Një kërcënim i pastër për klubet më të mëdha në Europë, si Real Madrid, Juventus, Bajern Mynih, Milan etj., që kohët e fundit kanë hedhur idenë e organizimit të një Superlige, konkretisht për një kampionat mes 18 klubeve, ku ndeshjet do të luhen me sistemin vajtje-ardhje. Por FIFA nuk është aspak dakord dhe tani e ka bërë të qartë pozicionin e saj në lidhje me këtë çështje.

Asnjë klub apo lojtar nuk do të mund të marrë pjesë në kompeticionet që organizon qeveria e futbollit botëror dhe konfederatat e saj, nëse merr pjesë në Superligën europiane. Nëse një lojtar i Real Madridit, për shembull, luan në turneun që është ende një ide, nuk mund të luajë në Ligën e Kampionëve, në Europian, Botëror, Kupën e Amerikës apo kompeticione të tjera të ngjashme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë