Për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, ka nisur procedimi penal në Zvicër. Prokurori i Jashtëzakonshëm Federal, Stefan Keller, ka nisur procedimin me akuzën “shpërdorim të autoritetit”, “nxjerrje të sekretit profesional” dhe “pengim të hetimit”. Bashkë me Infantinon, por hetohet edhe prokurori i parë i kantonit të Valais, Rinaldo Arnold.
Njoftimi për nisjen procedimit vjen pas dorëheqjes së Prokurorit të Përgjithshëm zviceran, Michael Lauber, i akuzuar për përfshirje në procesin e “Fifagate”. Lauber, asokohe përgjegjës për hetimet dhe Infantino u takuan në mënyrë joformale në disa raste në vitet 2016 dhe 2017, duke ngritur pikëpyetje mbi një bashkëpunim të mundshëm sekret mes tyre.
“Njerëzit e kujtojnë mirë se në çfarë situate ishte FIFA si institucion në vitin 2015 dhe se sa e nevojshme ishte një ndërhyrje thelbësore gjyqësore për të ndihmuar në rikthimin e besueshmërisë së organizatës. Si president i FIFA-s, objektivi im që nga dita e parë ishte dhe mbetet të ndihmoj autoritetet për të hetuar veprat penale të kaluara në FIFA”, – komentoi Infantino pas hapjes së çështjes penale kundër tij.
“E mbështes plotësisht procesin gjyqësor dhe FIFA është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet zvicerane. Të takohesh me Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës është krejtësisht legjitime. Nuk përbën shkelje për asgjë. Përkundrazi, është pjesë e detyrave të presidentit të FIFA-s”, – përfundoi Infantino.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.