Futboll

FIFA, Blatter: Unë viktimë e SHBA-së

Në shënjestër është gjithnjë Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s. Është sulmuar fillimisht Michel Platini, pastaj Sepp Blatter, njerëzit që kanë udhëhequr futbollin europian e botëror përpara se të rrëzoheshin nga skandalet që i detyruan të largoheshin nga pozicionet e tyre. Sot, pesë vjet nga dorëheqja (2 qershor 2015) kthehet të flasë pikërisht Blatter, të cilit Infantino i mori vendin e kreut të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, që 84 vjeçari zviceran e drejtoi për 17 vjet, duke nisur nga 1998. Fjalët e ish-bosit të futbollit botëror – dhënë për agjencinë zvicerane ATS – janë të rënda: “Infantino – ka deklaruar ai – ka dashur ta bëjë futbollin një makinë të madhe parash, duke e çuar Kupën e Botës me 48 skuadra, Botërorin e femrave me 32 dhe atë për klube me 24. Por është e pamundur të zmadhosh gjithçka menjëherë. Sapo mori pushtetin u ‘’infektua’’ nga megalomania”.

Duke folur për veten, duke u mbrojtur, Blatter vazhdon të përcaktojë veten si viktimë e sistemit: “U dorëhoqa për shkak të presionit të SHBA. Thanë se duheshin prerë koka. Unë hoqa dorë nga mandati im dhe papritur FIFA nuk ishte më një organizatë mafioze për gjykatat amerikane. E duket se Infantino e hapi rrugën drejt presidencës falë kontakteve me prokurorin federal Lauber. Platini u nxor jashtë loje se kishte shitur votën në favor të Botërorit në Katar, por  tani askush nuk ka ndërmend ti spostojë. Mund të zhvilloheshin në Angli, Gjermani, Japoni ose Shtetet e Bashkuara. Unë vetë kisha propozuar SHBA por, nëse do ndodhte kështu, historia do më kishte dhënë të drejtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë