Lajme

Fier, dyshime për laborator droge në Mbrostar, por … çfarë thonë punëtorët?!

Një ditë pasi Policia e Fierit njoftoi se ka zbuluar një laborator në ndërtim, që dyshohet se do të përdorej për kultivim bimësh narkotike, zbardhet dëshmia e punëtorëve që punonin në magazinë. Ata kanë deklaruar se po ndërtonim një pulari, jo laborator droge.

Magazina me sipërfaqe 480 metra katror, ku brenda saj ishte montuar laboratori me një sipërfaqe rreth 300 metra katror u zbulua nga Policia e Fierit në Mbrostar. Dyshimet se në magazinë do të ushtrohej aktivitet i paligjshëm janë shtuar më tepër, pasi ndërtesa ishte e mbuluar me kashtë.

Magazina e dyshuar është në pronësi të 50 vjeçarit Vladimir Çilotaj (Shpërdheja), banues në Patos.

Policia po punon për ndalimin e pronarit të magazinës, Vladimir Çilotaj dhe vijon hetimet për të zbuluar nëse ka të tjerë të implikuar.

Vladimir Çilotaj është emër i njohur për Policinë e Fierit, pasi në janar të vitit 2011, ai u arrestua nën akuzën për vjedhje të karburanteve të llojit naftë bruto.

Policia e Fierit, gjatë një aksioni kontrolli në afërsi të fshatit Seman, ka gjetur edhe një mjet lundrues 12 metra të gjatë me dy motorë nga 240 kuaj fuqi.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e pronarëve të skafit, ndërkohë ka thelluar hetimet për të gjetur nëse ka lidhje mes magazinës dhe mjetit lundrues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë