Lajme

Fier, dy grupe përplasen me armë brenda spitalit, 4 të plagosur

Qyteti i Fierit është vënë në alarm nga një përplasje me armë në ambientet e brendshme të spitalit. Mësohet se dy grupe të rinjsh janë konfliktuar me njëri tjetrin në fshatin Levan, me sende të forta.

Pas këtij konflikti ata janë transportuar për në spitalin rajonal të Fierit. Por aty ka degjeneruar situata. Sipas Andon Markut, drejtorit të Policisë në Fier, njëri prej agresorëve i ka marrë pistoletën policit të patrullës dhe ka qëlluar brenda ambienteve të spitalit.

Marku tha se janë shoqëruar dy persona në polici, ndërkohë që bëhet me dijeni se dy shtetas janë plagosur me armë zjarri dhe dy të tjerë me armë të forta. Një prej tyre është në gjendje të rëndë.

Policia ka rrethuar gjithë zonën, ndërkohë që kjo ngjarje ka shkaktuar panik në spital dhe në zonën përreth.

INFORMACIONI ZYRTAR I POLICISE

  • Në Levan të Fierit, gjatë një konflikti mes dy familjeve janë dëmtuar me sende të forta dy shtetas G.ZH dhe D.Zh, ndërsa shtetasit K.L. dhe E.M. janë lenduar me mjet prerës.
  • Të plagosurit janë transportuar për në Spital, për ndihmë mjekësore. Në Urgjencën e spitalit një prej shoqërueseve të të dëmtuarve i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë, i cili po ndihmonte për të futur të plagosurit në Urgjencë dhe ka plagosur me armë zjarri një prej familjarëve të palës tjetër, shtetasin A.ZH.
  • Në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie duke kanë bërë bllokimin e dy shtetasve E.B. e D.B. dhe shoqërimin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë për veprime të mëtejshme.
  • FNSH dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen edhe të një shtetasi tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.
  • Për hetimin e kësaj ngjarje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.
  • Njëkohësisht me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vendngjarje kanë shkuar edhe specialistët e Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Polici, për të verifikuar veprimet e punonjësve që ishin në momentet e para në Urgjencën e spitalit.
  • Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, motivit të konfliktit si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë