Art dhe Kulture

Festivali poetik në Prishtinë, shkrimtarë e poetë nga të gjithë trevat shqipfolëse / Dabishevci: Hapësirë për letërsinë e kulturën shqiptare

Nga Gazeta Si– Nis të shtunën edicioni i tretë i “Festivali poetik i Prishtinës”  i cili do të mbledhë në sallën e Termokiss Prishtina, shkrimtarë, poetë, studiues dhe muzikantë nga gjithë trevat shqiptare.

Për pesë ditë me radhë do të ketë promovime librash, mbrëmje autoriale, debate, ligjërata, video-ese, diskutime, homazhe,  orë poetike etj.

Drejtoresha ekzekutive e festivalit Donikë Dabishevci rrëfen për Gazeta “SI” detajet dhe përmbajtjen e festivalit poetik.

“Për ndryshim prej dy edicioneve të kaluara, sivjet kemi vendosur që Festivali Poetik i Prishtinës të jetë pesë ditor. Kjo pasi nga vitet e kaluara kemi parë që është nevoja të strukturohemi përmbajtësisht ende dhe t’u japim më shumë hapësirë në program tematikave me interes për letërsinë e kulturën shqiptare dhe autorëve të veçantë të ftuar.

Donikë Dabishevci


Dita e parë e Festivalit Poetik të Prishtinës do t’i kushtohet në tërësi Letërsisë Shqipe në Maqedoni, kësaj pjese integrale të letërsisë shqipe e cila pavarësisht kushtëzimeve kontekstuale, trysnisë, nëpërkëmbjes, anatemimit dhe persekutimit të vazhdueshëm nga pushtetet, nxori në pah autorë me vetëdije të lartë krijuese që na lanë trashëgimi vepra pashmangshëm referenciale për nga vlerat ideo-estetike” thekson drejtoresha e Festivalit, poetja dhe studiuesja Donika Dabishevci.

Ajo bën të ditur më tej se Festivalin Poetik të Prishtinës do ta hapin me një Homazh artistik në nderim të poetes Lindita Ahmeti, për të vazhduar me pjesën e dytë ku do të shpaloset mendimi kritik e studimor për Letërsinë shqipe në Maqedoni dhe tutje në pjesën e tretë me Orën e madhe poetike. 

“Kemi kënaqësinë t’i kemi në mesin tonë poetët e studiuesit: Ali Aliu, Agim Vinca, Nehas Sopaj, Puntorie Muça Ziba, Lulzim Haziri, Shaip Emerllahu, Shazim Mehmeti, Vjollcë Berisha, Xhabir Ahmeti, Ahmet Selmani, Salajdin Salihu, Bardhyl Zaimi, Nurie Emrullai, Xhemazije Rizvani, Arlind Farizi, Fatos Rushiti, Valdeta Dulahi, Ismail Arsllani, shoqëruar nga artistët: Fitnete Tuda dhe Astrit Stafai.”, thekson Dabishevci.

Dita e dytë, e tretë dhe e katërt janë të mbushura me program të larmishëm, promovime librash, mbrëmje letrare, video-performanca, kumtesa, debate tematike etj.

Përgjatë tri mbrëmjeve me lexime autoriale paraqiten poetët: Ledia Dushi, Manjola Brahaj, Arjola Zadrima, Sabit Rrustemi, Nikollë Berishaj, Majlinda Sinani Lulaj, Liridon Mulaj, Aziz Mustafa dhe Xhevat Latifi.

Me kumtesa do të paraqiten Naser Shatrolli dhe Migena Arllati, ndërsa  me Ismet Kallabën nga “Art Club” i Ulqinit do të diskutohet për Decentralizimin dhe demetropolizimin e kulturës. Mr.Indefinite është po ashtu në program me performacën “Labirinti i barazisë”. Pjesa muzikore në festival ngjet në skenë artistët: Astrit Stafai, Fitnete Tuda, Arta Jashari, Andi Buraku, Genc Krasniqi, Naser Dula dhe Korin e grave “Lira”.

Ndërsa Dita e pestë e Festivalit Poetik të Prishtinës , 29 janari, është po ashtu më e veçantë.

“Dita e fundit e festivalit i kushtohet tërësisht poetëve të rinj, si një formë motivimi në rrugëtimin e tyre krijues.  Pra, më 29 janar, duke filluar nga ora 18:00, në Termokiss, kemi kënaqësinë t’i kemi në Maratonën e leximeve poetike, 18 të rinj nën 30 vjeç, kryesisht me një apo asnjë libër të botuar. Do të lexojnë poezitë e tyre: Fatbardhë Hasi, Yllka Maqedonci, Zanë Mali, Fitim Majkovci, Alisa Bekteshi, Uresa Ahmeti, Agnesa Beqiri, Erdonita Hebibi, Agon Rexhepi, Blinera Hajdari, Ardita Rexhaj, Blerta Salihu, Zgjim Sherifi, Rina Avdullahu, Lorenta Ibraj, Flamur Foniqi, Valmira Rashiti, Jasemina Mustafa”, thekson Dabishevci .

Këtë vit Festivalin Poetik të Prishtinës e mbështetën Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës.








Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë