Libra

“Festivali i Librit”, autori dhe përkthyesi përballë lexuesit

Bukinist (platforma më e madhe e librit online në Shqipëri) që prej 2 prillit ka lançuar “Festivali i Librit – Bukinist 2021”.

Ky festival apo ndryshe panair online vjen si një festë e bukur dhe për t’ju gjendur sa më pranë të pasionuarve ndaj librave edhe pse virtualisht kushtëzuar nga pandemia.

Sipas menaxherit të Bukinist.al, Albert Gjoka, ky panair vjen në këtë muaj, pasi përkon me dy data të rëndësishme për librin: Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, (2 prill) dhe Ditën Botërore të Librit (23 prill). 

“Panairi i librit online bëhet me rastin e Ditës Botërore të Librit për Fëmijë që është më (2 prill) në përkujtim të lindjes së Hans Kristian Andersen, shkrimtarit të famshëm danez dhe me rastin e Ditës Botërore të Librit (23 prill) që përkon edhe me ditën e vdekjes së Ëilliam Shekpsir. Sigurisht ky festival i librit Bukinist 2021 ka lindur me idenë që muaji prill të jetë një festival dedikuar për autorët dhe për përkthyesit”, shprehet menaxheri i Bukinist.al, Albert Gjoka për Gazetën “Si”.

Në ndryshim nga panairi tradicional që zhvillohet çdo vit në nëntor, Gjoka thotë se ky panair ka në fokus autorin dhe përkthyesin.

“Ne jemi mësuar të shohim panairin e librit një event që zhvillohet në nëntor në Pallatin e Kongreseve, që është panairi i botuesve, ku botuesit krijojnë mundësinë që të shesin libra dhe të ftojnë lexuesit. Ndërsa ky është një panair që ka në fokus autorin dhe përkthyesin”, tregon Gjoka për Gazetën “Si”.

Menaxheri i Bukinist.al, Albert Gjoka

Gjoka shprehet se në këtë festival do të ndërveprojë virtualisht autori, përkthyesi e lexuesi, por shpreson që të kthehet edhe në një traditë që prilli të jetë një festë për librin.

“Përmes kësaj, ne synojmë që në platformat online, të krijojmë mundësinë e një komunikimi virtual mes autorit dhe lexuesit. Në vitin 2020 në kushtet e pandemisë ne kemi organizuar një panair online për shkak të situatës së pandemisë dhe ka qenë një nga panairet më të suksesshëm të librit shqip. Tashmë ne në panairin që po organizojmë, pikërisht festivalin e librit, ne synojmë të krijojmë një traditë që prilli të jetë një festë për librin, ku të promovohen autorët, autorët e rinj, autorët e njohur të letërsisë shqipe dhe përkthyesit, pasi prilli shënon në domethënie rëndësinë e kësaj feste”, vijon më tej Gjoka.

Janë rreth 90 autorë dhe përkthyes, të cilët përgjatë gjithë muajit do të vijnë virtualisht para lexuesit, me librat dhe përkthimet e tyre.

“Deri më tani janë ftuar mbi 20 autorë dhe përkthyes, përgjithësisht në javën e parë me fokus te letërsia për fëmijë e deri më datën 30 prill do të jenë rreth 90 autorë dhe përkthyes që do të intervistohen”, thotë Gjoka, ndërsa shton se “paralelisht në intervistat dhe bisedat që bëhen online, në formatet ku ata ftohen dhe promovohen e flasin për librat e tyre, ne japim të gjithë veprat e tyre në ofertë”.

Duke e cilësuar si një praktikë të re të promovimit të librit, Gjoka vë në pah edhe interesin që ka pasur ky festival në rrjetet sociale.

“Në këtë periudhë do thosha që ka pasur një interes të madh në të gjitha ato kanalet që ne e promovojmë librin përmes rrjeteve sociale”, vijon ai, por shton se “kjo është një periudhë që me gjithë energjinë e harxhuar nga ne vëmendja është e fokusuar te fushata zgjedhore. Partitë politike dhe kandidatët kanë investuar shuma marramendëse në buxhet në marketing në rrjet. Kjo ka ndikuar te niveli i ndjekjeve, i angazhimit, i ndjekësve të bie ndjeshëm për shkak edhe të gjithë kësaj energjie investimi që partitë politike kanë bërë gjatë kësaj fushate”, vijon menaxheri i Bukinist.

Në faqen Bukinist, para se të zhvillohen bisedat me autorët, mirëpriten edhe pyetje për autorët që vendosin një ndërveprim me lexuesin.

“Deri më tani ne kemi pasur një ecuri të mirë të ndjekjes në rrjete sociale. Përmes komenteve të ndryshme lexuesit kanë ndërvepruar direkt me autorët”.

Një tjetër risi e këtij festivali, Gjoka thotë se është promovimi i librave të biznesit dhe bashkëpunimi me klubet e librit.

“Po synojmë që të promovojmë edhe librat e biznesit, edhe klubet e librit. Aktualisht ne kemi bashkëpunime me klube libri të kompanive, të organizatave, të universiteve, klube libri nëpër qytete të cilat nga dita e hënë e javës që vjen do jenë të përfshira masivisht në festivalin e librit përmes lidhjeve direkte, përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta”, vijon më tej ai.

Në këtë panair online, Gjoka thekson se nuk do të mungojnë as ofertat për lexuesit e grupmoshave të ndryshme: Librat më të shitur, librat e rinj, përrallat, enciklopeditë dhe ofertat ekskluzive që do të shkojnë nga 20-60% ulje.

Ndërsa vë në pah se marketingu digjital ngelet një sfidë e madhe në industrinë e librit, menaxheri i Bukinist thotë se ky festival është realizuar edhe me mbështetje të operatorëve të botës së biznesit.

“Për të realizuar me sukses festivalin na janë bashkuar OPT Bank, Aladini, Tring, New Media Communications, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për të promovuar librin dhe leximin në një mënyrë më masive në rrjetet virtuale”, përfundon menaxheri i Bukinist.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë