Art dhe Kulture

Festat e Nëntorit, hapet në Prishtinë ekspozita me dokumente të rralla

Në prag të festave të nëntorit, në Kosovë është hapur ekspozita me titull “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë”, një bashkëpunim mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur disa dokumente që nga fillesat e kryengritjeve anti-osmane para shpalljes së Pavarësisë më 1912.

Çdo studiues dhe qytetar që është i interesuar për të konsultuar dhe shfrytëzuar dokumente që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, do të ketë mundësi t’i shikojë këto dokumente.

Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave në hapjen e ekspozitës “Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë” theksoi rëndësinë e unifikimit kulturor të shqiptarëve, larg folklorizmave e përmes integrimit institucional.

Ekspozita u inagurua në lapidariumin e Muzeut të Kosovës, dhe morën pjesë drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, studentë e studiues.

“Kjo ekspozitë, por edhe bashkëpunimet e tjera janë dëshmi e funksionimit dhe frymimit të institucioneve tona në një, andaj bashkëpunimet ndër institucionale duhet të integrohen në maksimumin e mundshëm”, është shprehur Bido.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës Bedri Zyberaj, u shpreh se muaji nëntor si asnjë muaj tjetër përmbledh data të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

“Gjatë këtij muaji filluan epokat të rëndësishme për kombin, sikurse, triumfi i Skënderbeut, që ne e njohim si Nëntori i Parë, pastaj shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Nëntori i Dytë, mbajtja e Kongresit të Manastirit, dalja publike e UÇK-së. Prandaj e kemi parë të udhës që ekspozitën ta emërojmë, ‘Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë’, duke shënuar kështu edhe 28 Nëntorin”, është shprehur Zyberaj.

Ekspozita përmban njoftime të shpalljeve të Pavarësive të disa qyteteve të Shqipërisë, një histori të shkurtër për Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin po ashtu dhe imazhe të firmëtarëve të Pavarësisë.

Në ekspozitë po ashtu janë përfshirë edhe fotografi të festimeve që ndodhën pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe aktivitetet, të cilat janë zhvilluar që pas vitit 1937 e më tej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë