Futboll

Festa klandestine, klubi i Premier Ligës pezullon tre futbollistë

Ishte një disfatë që mund t’i kushotjë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve Leiçesterit. “Dhelprat” u mundën 2-3 nga Uest Hemi, një rival direkt, ndërkohë trajneri Brendan Roxhers kishte lënë jashtë për këtë ndeshje mesfushorët Hamza Çudhuri dhe Xhejms Medison, si dhe sulmuesin Ajoze Perez.

Që të tre janë konsideruar fajtorë, pasi kanë marrë pjesë në një festë, duke thyer rregullat anti-Covid. "Kush gabon, duhet të rrijë jashtë, - tha trajneri anglez. – Duhet të transmetojmë vlera pozitive dhe të japim sinjale në këtë drejtim. Nëse nuk japim ndonjë ndëshkim, të rinjtë nuk do të mësojnë kurrë. I përgatisim ndeshjet në një mënyrë të caktuar, kam në ekip djem shumë të mirë, por kush thyen protokollin, është jashtë”.

Brendan Roxhers, trajneri i Leiçesterit. Gazeta Si, 12 prill 2021

Festa ilegale e tre futbollistëve të Leiçesterit është zbuluar nga tabloidi “Sun”. Gjatë javës para ndeshjes, tre lojtarët e përmendur më sipër, por edhe Harvei Barns, që ishte i skualifikuar, kanë organizuar një festë në shtëpinë e Perez, bashkë me rreth 20 persona të tjerë. Në mesnatë Roxhers u dërgoi një mesazh, duke thënë se aty do të mbërrinte policia.

Të ftuarit e tjerë shkuan te shtëpia e Çudhuri për të vazhduar festën, ndërsa lojtarët qëndruan aty në errësirë. Agjentët e policisë, të lajmëruar nga fqinjët, shkuan te shtëpia e Perez, por qetësia dhe errësira i bindi të mos ndërhynin. Të tre lojtarët u lanë jashtë për thyerje të protokollit dhe do të kthehen në skuadër për gjysmëfinalen e “FA Cup” ndaj Southemptonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë