Shendet

Fertizilimi in vitro: Pse prej 20 vjetësh nuk po bëhet në spitalet publike

Nga Gazeta Si - “Kam prej vitit 2015 që kërkoj të mbetem shtatzënë. Pas disa ekzaminimeve mjekësore nga unë dhe bashkëshorti, rekomandimi i specialistëve ishte fertilizimi in vitro, në spitalet private brenda ose jashtë vendit”... Kështu shprehet Ema, një grua 46-vjeçare, e martuar prej 10 vitesh dhe që jeton me shpresën se do të bëhet nënë një ditë.

Ajo është interesuar pranë spitaleve private në Shqipëri, ku ka mësuar se pagesa për të kryer deri në fund procesin nis nga 4000 euro, për ciklin e parë. Normalisht në këtë proces nevojiten deri në 3 tentativa për të pasur sukses.

“Ku do t'i gjej këto para? Jam pa punë, punoj në të zezë dhe jetoj me shtëpi me qira. Bashkëshorti im 54 vjeç punon kamarier në restorant dhe vuan nga një pneumoni e vjetër. Paga e tij s’na mjafton për të paguar faturat. As për kredi nuk mundemi sepse unë nuk kam një kontratë pune”, thotë 46-vjeçarja.

Së fundmi, një ankesë e ngjashme ka mbërritur edhe në zyrën e Komitetit të Helsinkit, i cili është vënë në lëvizje. Burime zyrtare nga kjo zyrë i thanë Gazetasi.al se pas konsultimeve me disa organizata të tjera, raste të ngjashme u janë drejtuar edhe shoqatave të tjera për ndihmë, që fertilizimi in vitro të ofrohet dhe në shërbimin publik shëndetësor.

20 vjet nga ligji për fertilizim in vitro në publik

E teksa në shërbimin shëndetësor privat numri i pacienteve gra që kërkojnë fertilizim in vitro rritet e bashkë me të dhe milionat që përfitojnë pronarët nga bebet në epruvetë, ligji nr.8876, datë 4.4.2002 “Për shëndetin riprodhues”, i miratuar në vitin 2002, ka mbetur i pazbatuar.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit Erida Skëndaj, në një prononcim për Gazetasi.al thotë se në këtë ligj parashikohet që këto shërbime do të ofrohen në klinika publike dhe private të specializuara dhe të licencuara në të tria nivelet e kujdesit shëndetësor.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit Erida Skëndaj. Gazeta Si, 2023.

“Autoriteti zbatues i këtij ligji, Ministria e Shëndetësisë, ka detyrimin të përcaktojë strukturat dhe shërbimet e shëndetit riprodhues, kriteret, rregulloret e funksionimit të tyre, si dhe politikën e strategjinë për shëndetin riprodhues”, thotë Skëndaj.

Sipas saj, shkak për mosofrimin e fertilizimit in vitro në publik është mungesa e akteve nënligjore.

“Vërejmë se masat institucionale të ndërmarra deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e metodave të riprodhimit të asistuar, kanë qenë të pjesshme, pa mundur të garantojnë këtë të drejtë për nënat apo prindërit që janë në pamundësi ekonomike. Nga ana tjetër shteti nuk ka një bazë të dhënash mbi regjistrimin dhe raportimin e shkaqeve të infertilitetit, apo numrin e personave që u nënshtrohen teknikave të riprodhimit të asistuar, çdo vit”, thotë kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Erida Skëndaj.

Por a po e mban peng shteti vetë shërbimin in vitro për të favorizuar privatin?

Nëse do të vëresh stafin mjekësor të shërbimit të obstetro-gjinekologjisë në spitalet private, gjen mes tyre emra që punojnë dhe në shërbimin publik, në dy maternitetet e mëdha në Tiranë.

Megjithëse qeveria ishte e vendosur ta ndalonte dypunësimin, duket se ajo ka qenë e pafuqishme të ndalojë mjekët e publikut t'u atashohen stafeve në spitalet private.

Bllokimi i ligjit nr.8876, datë 4.4.2002 “Për shëndetin riprodhues”, i miratuar në vitin 2002, njeh si “fajtorë” veç organeve ligjzbatuese dhe vetë mjekët që nuk e kanë dashur konkurrencën e publikut me privatin, duke penalizuar qindra gra nga mëmësia, si pasojë e faturës së kripur që ofron shërbimi privat sot.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit thotë për Gazetasi.al se me gjithë objektivat në Dokumentin Strategjik dhe Planin e Veprimit për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues 2017-2021, masat kanë mbetur të pazbatuara dhe këto objektiva strategjike vijojnë të jenë të papërmbushura.

“Ministria e Shëndetësisë, në vijim të kërkesës për informacion të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, pranon mosofrimin nga shteti të teknikave të riprodhimit të asistuar dhe mungesën e një data baze për numrin e çifteve që i janë nënshtruar këtyre të fundit.

Ajo shprehet se “po punon për rishikimin e ligjit 8876/2002 dhe vetëm pas miratimit të tij do të shikohen aktet nënligjore””, thotë Skëndaj.

Sipas saj, nuk jepet një afat i përafërt se kur do të munden çiftet që vuajnë nga inferitiliteti, të marrin nga shteti këtë shërbim të munguar.

E pyetur për mbajtjen peng të këtij ligji nga vetë sistemi publik, për shkak të konfliktit të interesit që kanë mjekët e dypunësuar, Skëndaj thotë se pengesat për dypunësimin në radhët e punonjësve të tjerë në sektorin publik i diskriminojnë ata në raport me stafin mjekësor.

“Pavarësisht nëse quhet dypunësim ose jo, angazhimi i njëkohshëm i stafit mjekësor në spitalet publike dhe private, krijon premisa për korrupsion dhe lulëzimin e bizneseve të spitaleve private dhe dobëson cilësinë e shërbimit shëndetësor publik karshi qytetarëve, e veçanërisht atyre që janë në pamundësi për të paguar shërbimet e privatit por ndihen të detyruar për shkak të rëndësisë primare të shëndetit. Do të ishte më e drejtë që stafit mjekësor në spitalet publike t'i paguhej një pagë dinjitoze, duke pasur në konsideratë edhe largimin e shumë mjekëve dhe infermierëve të kualifikuar në vendet e Bashkimit Europian”, thotë kryetarja e komitetit të Helsinkit, Erida Skëndaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë