Vende dhe Udhetime

Fenomeni i zhvatjes, që po prish reputacionin e Saint-Tropez. Klienti i pasur italian ndiqet nga kamarieri (i kishte lënë ‘bakshish’ vetëm 500 euro)

Në lajmet lokale të këtij 15 gushti në Côte d'Azur një ndodhi u bë mishërimi i shprehjes se ka një kufi për çdo gjë. Një italian shumë i pasur (i paidentifikuar) u ndoq nga një kamarier në parkingun e Restorantit Saint Tropez ku sapo kishte ngrënë darkë, duke lënë një bakshish prej 500 eurosh. Kamarieri gjykoi se bakshishi nuk ishte në nivelin e duhur ndaj klientit iu kërkua me “dashamirësi” (duket jo edhe shumë) të kthehej dhe të bënte një rrëshqitje të dytë të kartës së kreditit për të arritur të paktën minimumin e bashkshishit: 1 mijë euro.

Fakti i thënë nga një mik francez i pasanikut anonim italian (i cili dyshohet se ka deklaruar se nuk donte më të shkelte në Saint Tropez) dhe i raportuar nga gazetat Nice Matin dhe Var Matin, konfirmon një tendencë për verën e vitit 2023 që rrezikon të prishë reputacionin e kryeqytetit të Cote d'Azur.

Kryebashkiaku i Saint Tropez, Sylvie Siri madje foli për "shantazh" dhe "zhvatje", duke vendosur  që restorantet dhe baret e qytetit të mbulohen me afishe "Signal Conso", një iniciativë e Zyrës kundër Mashtrimit që lejon konsumatorët, nëpërmjet përdorimit të një kodi QR të raportojnë çdo abuzim.

Puna është se po e teproni. Mbi luksin, ekskluzivitetin, miliarderët, yjet, festat me pesë yje e më shumë, Saint Tropez dhe Gjiri i Pamplonne fqinj kanë ndërtuar reputacionin e tyre që nga ditët e Brigitte Bardot, e cila vazhdon të banojë atje. Tregtarët, banorët dhe sundimtarët kanë teorizuar gjithmonë se klientët dhe shërbimet ekstra-luksoze janë pjesë e ADN-së - dhe e ekonomisë - të vendeve.

Megjithatë, gjërat po dalin jashtë kontrollit. Prej disa javësh është praktika tashmë e sistemuar e “skriningut” parandalues të klientëve që kanë qenë nën akuzë.

Në një sondazh të bërë rreth dy javë më parë, restorantet, baret dhe bistrot rezervojnë të drejtën të mos rezervojnë një tavolinë për klientët që konsiderohen jo mjaft të pasur ose jo aq bujarë.

Supergjurmueshmëria tani bën të mundur që në vetëm pak çaste të kontrollohen zakonet e klientit të mundshëm dhe kartës së tyre të kreditit, sa porosisin, cilat pjata dhe me cilin bakshish përfundimtar. Për disa restorante flitet për një “bazë të dhënash” të vërtetë klientësh, me një listë të zezë të atyre që nuk do t'u jepet kurrë një tavolinë, sepse në të kaluarën janë treguar shumë të kursyer. Sipas burimit të cituar nga Nice Matin (deklaratat e të cilit janë vërtetuar nga dëshmitë gjithnjë e më të shumta nga vendasit): "Kur rezervon një tavolinë, restoranti kontrollon nëse emri shfaqet në arkivin e klientëve: nëse emri nuk është çertifikuar menjëherë dhe në çdo rast nuk figuron në kategorinë e parë, do t'ju thuhet se restoranti është plot deri në fund të gushtit dhe, në skenarin më të mirë, ndoshta do të ridrejtoheni drejt restoranteve të tjera më të përshtatshme për portofolin tuaj.

Kryebashkiaku Siri u detyrua të pranonte se disa kufij janë tejkaluar. Ai ka thirrur të gjithë drejtuesit e bizneseve në një mbledhje në fund të sezonit për të “pastruar” praktikat dhe për “të mirëpritur klientët në mënyrë më dinjitoze”. Jo vetëm bakshishi astronomik por edhe abuzimi me “shpenzimet minimale”, me tavolina të rezervuara për klientët, të cilët pranojnë të shpenzojnë jo më pak se një shumë të caktuar. “Është një praktikë e ngjashme me zhvatjen, një formë dallavere”, tha kryebashkiaku. Ai po ashtu tregoi se janë kapur incidentet rekord, me një tavolinë në një restorant të njohur plazhi që së fundmi kërkonte një shpenzim minimal në tavolinë “jo më pak se 1500 euro për person”

Gazetat lokale cituan gjithashtu një tjetër tabelë më shumë se luksoze në plazhin e Ramatuelle, e cila dyshohet se reklamonte "tavolina premium me jo më pak se 100,000 euro" për mbrëmjen e festës kombëtare belge më 21 korrik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë