Njerez

Fëmijët shqiptarë 14-18 vjeç mund të kryejnë seks e të martohen, por as votojnë dot e as marrin një patentë…

I lejon ligji por 14-vjeçaret nuk janë të afta fizikisht e as mendërisht për të kryer marrëdhënie

Nga Gazeta Si - Një adoleshente në moshën 14-vjeçare ende nuk ka ‘zgjedhur’ shoqen e ngushtë, si mund të zgjedhë më kë duhet të kryejë marrëdhënie?

Nëse mendojnë për shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve, prindërit dhe kushdo tjetër duhet të “lënë mënjanë” ligjin që përcakton moshën 14-vjecare si mosha kufi në të cilën një adoleshent\e mund të kryejë marrëdhënie seksuale.

Kjo sepse një 14-vjeçare ende nuk ka arritur të ketë një pjekuri fizike po as sociale.

Sociologe Marsida Simo thotë për Gazetasi.al se adoleshentët përballen me ndryshime të shumta fizike, emocionale dhe sociale që lidhen me procesin e maturimit, të cilat mund të paraqesin sfida, ndër këto përvoja janë dhe marrëdhëniet e hershme seksuale.

“Vitet e fundit po vihet re një nisje më të hershme të moshës së paraadoleshencës dhe si vijim edhe adoleshencës. Për këtë ndikojnë edhe faktorët e jashtëm si ushqyerja me produkte që rrisin shanset për zhvillim më të hershëm, por edhe aspekti social ku fëmijët ekspozohen përballë materialeve, imazheve që nuk janë në përputhje me moshën e tyre”, thotë Simo, duke shtuar se këto nxisin kureshtjen drejt eksperiencave të tilla që nuk janë të shëndetshme për moshën e tyre.

Duke lënë mënjanë aspektin ligjor, nga aspekti social dhe psikologjik, sociologia thotë se kemi të bëjmë me fëmijë të cilët ende nuk kanë arritur të kenë një pjekuri fizike, por ndër të tjera edhe emocionale.

“Po flasim për një moshë ku ende ngrihen pyetje ekzistencialiste për veten, shoqërinë, të ardhmen, ku pëlqimet e sotme kthehen në urrejtje ditën e nesërmve, dhe ndërtimi i vetes është ende i brishtë dhe në hapat e parë”, thotë Simo ndërsa shton se kjo moshë e paformuar mirë edhe nga aspekti intelektuar, mund të gënjehet apo të manipulohet më lehtësisht.

“Është e pakonceptueshme sesi një i mitur nën moshën 18 vjeç të mos lejohet të votojë apo të drejtojë mjetin, por lehtësisht të fejohet apo martohet”.

Martesat në moshë të hershme ende ndodhin në vendin tonë sepse ruhet me fanatizëm koncepti mbi vajzat ku ato e kanë vendin në shtëpinë e burrit, apo të ruajtjes së ndershmërisë së tyre (virgjërisë në këtë rast) duke i martuar herët.

Sipas sociologes, kjo ul shanset që vajzat të gabojnë (sipas këtyre prindërve) dhe të jenë të pastra (të virgjëra) për burrin e ardhshëm. Gjithashtu, ka dhe raste ku fejesat apo martesat e hershme ndodhin për shkak të varfërisë, ku “prindërit e vajzës e martojnë për të patur më pak gojë për të ushqyer”.

Sociologia tregon për Gazetasi.al se kryerja e marrëdhënieve në moshë të hershme edhe kur vijnë si pasojë e fejesës apo martesës, mund të ҫojë në pasoja si:

-Mos përjetim të zhvillimit të të gjithë etapave të moshës.

-Shtatzëni të padëshiruar, e shoqëruar më abort të mundshëm. Kjo pasohet me probleme të tjera fizike dhe psiko-sociale.

-Ulje të mundshme të rezultateve në shkollë apo dhe braktisje të shkollës.

-Trauma psikologjike që mund të lënë gjurmë edhe në moshë madhore.

-Mund të bien pre e abuzimeve, fetishizmave të pashëndetshme nga ana e partnerit.

Seksi në adoleshencë dëmton trurin

Marrëdhëniet seksuale që në adoleshencë mund të ndikojnë në humor të keq, ndryshim në zhvillimin e trurit dhe reduktimin e riprodhimit të indeve të trupit më vonë gjatë jetës.

Ky ishte përfundimi i arritur nga disa shkencëtarë të Universitetit të Ohajos. Sipas studimit, kjo ndodh pasi në atë moshë truri është ende duke u zhvilluar.

Studimet gjithashtu kanë treguar se një 14-vjeçar nuk ka pjekurinë e duhur për të marrë vendime që lidhen me marrëdhënien seksuale dhe për më tepër, nuk janë në gjendje të përballojnë pasojat e një marrëdhënie intime, sidomos kur adoleshentja kryen marrëdhënie me një adult.

Në praktikën e tyre, studiuesit kanë parë se adoleshentët që janë përfshirë seksualisht përpara se të ishin gati emocionalisht, kanë luftuar me një sërë ndjenjash të përziera dhe të vështira që nuk i kishin parashikuar.

Dhe shumë prej tyre u befasuan kur kuptuan se sa lidhës emocionalisht ishte dhe është seksi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë