Mendim

Fëmijët janë më të parrezikuarit, por po aq të rrezikshëm sa të rriturit

Enkelejd Llanaj - Sot në mëngjes më shkrepi delli i shejtanit dhe doja të ngacmoja me kast time bijë, të voglën. E kisha një arsye. Sot ishte dita e parë që ajo nuk  do të shkonte në parashkollor pas urdhrit të qeverisë se institucionet arsimore do të mbylleshin për dy javë, pasi në Tiranë u zyrtarizua mbërritja e COVID-19.

Ajo po dremiste në nënkresa në ëmbëlsinë e gjumit të mëngjesit dhe thashë të bëja pak humor; teksa po e puthja e alarmova duke e cytur; “zgjohu se je  1 orë më vonesë për të shkuar në shkollë”.

Më pëlqen kur silltet nëpër shtëpi si një grerëzë me sytë e paçelur  ende  për të bërë 100 gjëra njëherësh: si të vishet, të lahet, të sherroset me gjyshen për gotën e qumështit dhe flokët që si duken të jenë kapur bukur.

Por më befasoi: “Nuk e  di, jam në karantinë unë sot”- më tha prerazi, gati gati në formë urdhërore.

Shpejt solla ndërmend informacione të vlefshme në këto kohë epidemie që ka kapur shumë vende në botë dhe për ta qetësuar i thashë se sipas shkencëtarëve deri tani fëmijët e vegjël gripi nuk i ka prekur.

Por më shtangu rrufeshëm sërisht kur më tha “e çfarë të bëj unë tani” edhe pse  ka tablet, televizor, interent dhe një user name në Roblox (videolojë) e pa dyshim edhe  mendjen e saj fëminore për të shpikur  çfarë të mundesh lloj lloj argëtimi qoftë edhe me mjete rrethanore.

Çfarëdo gjë tjetër se çfarë mund të bëntë fëmija im për tu argëtuar e di më mirë se unë, por unë si i rritur mendova shpejt se nuk koha për vrarë mendjen se si duhet të argëtohemi megjithëse në këto kohë paniku, qoftë edhe në doza të vogla, bërja e gjërave me qetësi është një nevojë.

Ndoshta ajo kishte nevojë të praktikonte këshillat që duhen mbajtur për higjenën.

 Mu kujtua mbrëmë kur e dëgjova në televizor pediatren shqiptare Juna Anagnosti që punon në Milano ( një nga vatrat e virusit në Itali ) kur  e përforcoi faktin se Covid 19 nuk i prek vogëlushët.

“Ata nuk janë të rrezikuar, por mund të jenë më të rrezikshimit!”- tha pediatrja. Pse ? Sepse si fëmijë, ata mund të mos i lajnë dot duart në mënyrë rigoroze sa ç’këshillohet në manulet e shpërndara nga agjencitë e shëndetit. Ata kanë qejf të thonë shpesh “gënjeshtra të vogla dhe të bëjnë sjellje refuzuese : për t’ju shmangur këshillave të prindërve që shpesh ju tingëllojnë si urdhra; ata duan të dalin në mjedise të hapura më shumë se ne të rriturit, i duan fort gjyshërit dhe  i përqafojnë me mall se  herë të kenë mundësi  edhe kur i kanë në shtëpi gjithë ditën. Dhe gjyshërit statisikisht janë potencialisht pjesa e prekur  me vdekshmërinë më të lartë.

Teksa po shkruaj këto radhë, vjen lajmi që më ngriu për pak sekonda : në Shqipëri konfimrohen 10 raste të prekur me virusin dhe autoritetet këmbëngulin me forcë që të ndërpriten daljet e tepërta, qëndrimi në mjedise publike me shumë njerëz, kafene, udhëtimet me urban, etj. Izolohuni në shtëpi dhe telefononi 127 thoshin për të gjtiha ata që kanë dyshime se janë prekur.  Asnjë të mos lëviz nga shtëpia!

Gjëja e parë që më erdhi rrufeshëm në mend si ajo idea për të bërë pak humor më bijën time ishte të rendja në shtëpi pranë saj dhe gjyshërve. Por isha në punë.

Pse të mos jetë e mundur që të paktën një nga prindërit që punojnë, të qëndrojë në shtëpi me fëmijët, që ata të kenë mënyrë të përkujdesen edhe për detyrat e shkollës duke i angazhuar fëmijët që të mos tremben nga rutina e re si pasojë e koronaviorusit.

 Disa biznese që pyeta, e kanë nisur ta zbatojnë. Opozita e cila u kosultua publiksht me disa mjekë të njohur, ndër masat e propozuara do të këshillonte edhe ajo, që një nga prindërit të lejohej të qendrojë në shtëpi. Tjetëri në punë. Teksa po përfundoja shkrimin, qeveria nxorri këtë vendim të vlefshëm për prindërit e punësuar në shtet duke ia sugjeruar edhe sektorit privat të njëjtën gjë. Biznesi ka rregullat e veta por shoqëria sot ka nevojë të mos sillet kaotike e në panik secili sipas mënyrës së tij, ndaj kërkohet një reagim në bllok edhe nga biznesi, për tiu përgjigjur kësaj beteje më me forcë dhe sakrificë, sepse jeta vazhdon.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë