Analize

Federica Mogherini, dështimi më i madh i Bashkimit Europian!

“Beteja për zgjedhjen e Federica Mogherinit në krye të diplomacisë europiane ishte gabimi im më i madh politik”. Kanë mjaftuar këto rreshta në librin e sapo publikuar të Matteo Renzit që ajo që kish mbetur nga trashëgimia e Mogherinit të shkërrmoqej para syve të saj.

Ish-Kryeministri i italian është i bindur se ndikimi i Mogherinit në politikën e jashtme të Bashkimit Europian “ka qenë thuajse zero”, duke theksuar se është penduar që e zgjodhi 45 vjeçaren si Përfaqësuesen e Lartë të Punëve të Jashtme të BE-së.

Duke ndërmarrë betejën më të madhe në jetën e tij politike, Renzi ia propozoi Mogherinin si shefe të diplomacisë Presidentit të Komisionit Evropian (KE), Jean Claude Juncker në gusht të vitin 2014. Ish-ministrja e punëve të jashtme në qeverinë e Renzi mori mes një sërë debatesh postin që mban sot në KE, por gati pesë vite pas drejtimit të saj, diplomacia europiane është më e dobët se kurrë më parë.

Marrëveshja me Iranin ka dështuar, normalizimi i marrëdhënieve në Vendet Arabe dhe Lindjen e Mesme është një “mision pa kokë”, ndërkohë që ajo që mund të ishte arritja e saj e vetme, marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të kthehej në një shembull katastrofik për mbarë rajonin nëse Kancelarja Angela Merkel nuk do të kishte ndërhyrë në kohë.

Mogherini e ka cilësuar Ballkanin Perëndimor si pjesë të trashëgimisë së saj, por ajo luajti një rol të vogël në zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Beogradi dhe Prishtina ndodhen tanimë në “qorrsokak”.

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Institutit Transatlantik të Këshillit për Politikën e Demokratizimit, thotë se “falë” Mogherini, dialogu Beograd-Prishtinë mori një drejtim krejtësisht të gabuar, duke detyruar Merkelin të merrte vendimin për të ndryshuar totalisht formatin e negociatave”. Për ekspertin, takimi i Berlinit ishte një goditje ndaj zonjës Mogherini për shkak të ushqimit të idesë për ndryshimin kufijve dhe shkëmbimin e territoreve.

“Samiti ishte përfundimisht një shuplakë ndaj Federica Mogherinit. Ajo përfundoi duke qenë më shumë një spektatore sesa një pjesëmarrëse. Gjatë këtyre dy viteve, ajo ndryshoi rolin e saj si drejtuese e bisedimeve, duke mbajtur të painformuar kryeqytetet e Bashkimit Europian dhe duke e shndërruar veten në një aleate të presidentëve Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, në vend që të mbrojë interesat e BE-së kundrejt rajonit të Ballkanit”, thotë Weber.

Angela Merkel dhe Federica Mogherini

Por “shuplaka” ndaj Moherini duket se ishte duke u “gatuar” prej kohësh në Berlin dhe kryeqytete të tjera europiane. Kryediplomatja e BE-së është kritikuar ashpër përgjatë muajve të fundit nga një sërë deputetësh gjermane dhe britanikë për dhënien e dritës jeshile për shkëmbimin e territoreve. Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU / CSU Johann Wadephul deklaronte në fillim të prillit se Mogherini "ka shtyrë përpara planet e rrezikshme për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës".

“Fakti që Mogherini është e hapur ndaj kësaj ideje është pritur me rezerva të forta në Gjermani”, thotë ai. “Ajo nuk ka absolutisht asnjë garanci se një ndryshim i kufijve ose një shkëmbim territoresh do të mbeteshin të kufizuara vetëm në Serbi dhe Kosovë”, thekson deputeti gjerman.

Por a duhet të fajësohet Mogherini për dështimin e dialogut dhe cilat ishin ato që mund të cilësohen si “gabimet” e saj?

Paraardhësja e Mogherinit, Catherine Ashton duket se po i çonte gjërat në drejtimin e duhur. Gjatë mandatit të saj, ajo arriti ta shtojë ndikimin e BE-së në Ballkan duke qenë e përfshirë në mënyrë aktive në rajon, shpeshherë duke vizituar krerët e Ballkanit dhe duke i ftuar ata në Bruksel.

Mbase ajo ishte përfaqësuesja e parë e BE-së që arriti t’i bëjë Kosovën dhe Serbinë të besojnë se nuk kanë më nevojë për Uashingtonin (në rastin e Kosovës) apo Moskën (në rastin e Serbisë) në tryezën e negocimit, sepse BE-ja u konsiderua si aktor i besueshëm, i aftë për të ofruar zgjidhje.

Presidenti Hashim Thaçi, Vuçic dhe Federica Mogherini

Por me ardhjen e ish-ministres së jashtme italiane, Beogradi dhe Prishtina filluan të ndjenin dita-ditës mungesën e lidershipit të BE-së, duke u vënë në kërkim të zgjidhjeve alternative.

Për shumë ekspertë në Prishtinë, Kosova është mbase shembulli më i mirë i suksesit dhe dështimit të Mogherinit. Në vitin 2011, Kosova dhe Serbia u pajtuan për herë të parë të lënë SHBA-në dhe Rusinë jashtë tryezës së negociatave dhe të pranonin BE-në si ndërmjetësen e vetme.

Por Mogherini bëri gabimin fatal duke e larguar fokusin nga Ballkani, duke e marrë për të mirëqenë faktin se progresi në rajon ishte i pakthyeshëm. Ndërkohë që Mogherini punonte për marrëveshjen bërthamore me Iranin, Beogradi iu rikthye marrëveshjeve me Kremlinin, ndërsa Prishtina e kuptoi se SHBA-ja ishte aleati i saj më i vyer.

Roli i dobët i Mogherinit u dëshmua kur liderët e Kosovës dhe Serbisë filluan të takohen fshehtazi në Nju York dhe jo në Bruksel. Presidenti Hashim Thaçi filloi t’i referohej gjithnjë më shumë SHBA-së dhe duke vizituar Uashingtonin më shpesh, ndërsa presidenti i Serbisë filloi të vizitonte Moskën dhe t’i telefononte Putinit për çdo përplasje me Kosovës. Por Mogherini nuk bëri asgjë, ashtu siç injoroi në mënyrë të njëpasnjëshme krizat politike në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Mungesa e lidershipit që ajo ka treguar përgjatë viteve të fundit ka dobësuar rolin dhe ndikimin e BE-së në Ballkan. Por gabimi i saj më i madh do të vinte me mbështetjen e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Ndërkohë që i gjithë opinioni publik në Kosovë pyeste më shqetësim për planet që kishin thurur presidentët Thaçi dhe Vuçiç, Mogherini mjegulloi edhe më shumë detajet rreth dialogut.

Planet për shkëmbimin e territoreve u thurën në Moskë dhe Beograd, por morën dritën jeshile në Bruksel. Ndërkohë që i bënte presion të dyja palëve për një marrëveshje sa më të qartë dhe më precize, Mogherini duket po injoronte nga ana tjetër të gjitha shqetësimet dhe pyetjet e kryeqyteteve europiane. Merkel ishte e para që e kuptoi se një marrëveshje e tillë nuk është në përputhje as me realitetin në Ballkan dhe as me politikën e jashtme dhe vlerat thelbësore të unionit. Kjo ishte edhe arsyeja përse vendosi të linte Mogherinin jashtë “tryezës” së negociatave.

Federica Mogherini dhe Edi Rama

Diplomacia me fqinjët e BE-së

Marrëveshja bërthamore me Iranit, e mbrojtur nga Mogherini si “xhevahiri” i kurorës së diplomacisë së BE-së, u shkatërrua sapo Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo nuk arriti të krijonte një raport të mirë me Rex Tillerson, Sekretarin e Parë të Shtetit nën Administratën Trump, ndërkohë që tani është e qartë që ajo dhe Mike Pompeo jetojnë në “planete” të ndryshme.

Sigurisht, Mogherini mori detyrën në një klimë tejet të vështirë. Aneksimi i Krimesë, marrëdhëniet e acaruara mes vendeve arabe dhe kriza e emigracionit jo vetëm që e bënë të vështirë stabilizimin e “lagjeve” të BE-së, por larguan edhe vëmendjen nga Ballkani. Dhe humbja e fuqisë më të madhe diplomatike dhe ushtarake të BE-së, si rezultat i Brexit nuk e ndihmoi ish-ministren e Jashtme italiane.

Krizat e njëpasnjëshme i lanë pak kohë Mogherinit për t'u marrë me partnerët strategjikë si Kina, India dhe Japonia. Sikur të mos mjaftonte kjo, ajo la pas dorë marrëdhëniet me Turqinë, në një kohë që kjo e fundit po shënonte rënie të njëpasnjëshme në indeksin e demokracisë.

Mogherini premtoi se do ta përqëndronte një pjesë të energjisë dhe fondeve në fuqizimin e Shërbimi Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), një institucion që sipas shumë ekspertëve ka dëmtuar edhe më shumë besueshmërinë e Bashkimit Europian. Shumë zyrtarë të EEAS-it ankohen se institucioni është një “makineri” informuese me pak ndikim në hartimin e politikave. Të tjerë ankohen për mungesën e ekspertëve duke theksuar se Mogherini rrallë i viziton zyrat e këtij institucioni.

Ish-ministrja e jashtme italiane është me e kualifikuar Ashton për të kryesuar EEAS, por mospërqendrimi në një çështje të vetme duket se ka bërë që ajo të dështojë edhe në këtë drejtim.

Mogherini është gjithashtu zëvendëspresidente e Komisionit Europian dhe kryetare e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, dy poste që për shumë ekspertë, do të kontribuonin në rritjen e ndikimit të politikës së jashtme të BE-së. Por në fakt për Mogherinin mbajtja e disa posteve duket se ka pasur efektin e kundërt, duke e lënë diplomacinë europiane më të zbehtë se kurrë. Ajo ndodhet në muajt e fundit si shefe e diplomacisë evropiane dhe emri që do e pasojë atë padyshim do të diskutohet gjatë mes atyre që kanë rolin kyç në BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë