Politike

Federata e opozitës, Fatmir Mediu: Funksionon dhe pa Bashën, por do t’i takojmë të gjithë faktorët

Sali Berisha dhe Lulzim Basha refuzuan çdo bashkëpunim mes tyre, përfshirë edhe pjesëmarrjen në një federatë opozitare, të propozuar nga Kryetari i PR, Fatmir Mediu. Megjithatë, zoti Mediu beson se idea mund të ecë përpara.

Në një intervistë për Gazeta Si, kreu republikan u tregua i gatshëm të takohet me çdo faktor të opozitës, por ai ishte gjithashtu i qartë se refuzimi për bashkim i shërben qeverisë.  “Unë besoj se të ndarë ne jemi të humbur, prandaj na duhet të jemi të gjithë bashkë. Pastaj, nëse njëri do që të jetë në politikë thjesht për veten e vet apo për të bërë marrëveshje që nuk janë në interes të popullit opozitar dhe të popullit shqiptar, por janë të interesit preferencial politik, atëherë nuk është në opozitë.”- tha zoti Mediu për Gazeta Si. 

INTERVISTA E PLOTË ME KRYETARIN E PARTISË REPUBLIKANE, FATMIR MEDIU

Gazeta Si: Nuk ka ndonjë entuziazëm nga PD për propozimin tuaj për Federatën. E kishit këtë pritshmëri? 

Fatmir Mediu: Skepticizmi është pjesë e natyrës njerëzore. Shpresoj që të ulemi dhe të diskutojmë. Nese ka ide më racionale se ato që kemi shtruar, jemi gati t’i pranojmë. E rëndësishme është të ulemi së bashku e të vendosim çdo të bëjmë. Opozita e bashkuar është domosdoshmëri.

Gazeta Si: Përveç konferencës për shtyp, do të ketë ndonjë përpjekje tjetër nga ju për të konkretizuar idenë e federatës? Ju thoni që duhet të ulemi, por si? Kush i thërret palët të ulen?

Fatmir Mediu: Patjetër që do të ketë. Do të diskutojmë me të gjithë aktorët opozitarë. Bashkë me kolegët, do të takohemi me përfaqësues të PD, me përfaqësues të partive të tjera, të shohim vlerësimet dhe mendimet dhe pastaj përcaktojmë mënyrën sesi duhet thirrur ky takim dhe procedurat sesi duhet të funksionojë kjo federatë.

Gazeta Si: Në takimet tuaja, keni ndërmend të uleni me të gjitha palët e PD, edhe me Berishën, edhe me Bashën?

Fatmir Mediu: Do të takohemi me zotin Bardhi, me zotin Berisha, me zotin Basha, me këdo që dëshiron të ketë një opozitë funksionale. E kemi thënë, Federata ka një rregull, ndërton marrëdhënie opozitare përpara se të bëjë marrëveshje me qeverinë. Idea është e një opozitarizmi të vërtetë. Kush do që ta përjashtojë veten nga kjo, është e drejta e tyre. 

Gazeta Si: Po këmbëngul, pasi ka një refuzim të dyanshëm nga zoti Berisha dhe zoti Basha për të bashkëpunuar brenda një federate. Mund të qendrojë ende në këmbë platforma juaj? 

Fatmir Mediu: Secili le të bëjë zgjedhjen e vet. E rëndësishme është që të hedhim një ide. Sa do të funksionojë dhe cili është interesi i secilit, mbetet për t’u parë. Unë besoj se të ndarë ne jemi të humbur, prandaj na duhet të jemi të gjithë bashkë për të ndërtuar një strategji politike dhe elektorale. Pastaj, nëse njëri do që të jetë në politikë thjesht për veten e vet apo për të bërë marrëveshje që nuk janë në interes të popullit opozitar dhe të popullit shqiptar, por janë të interesit preferencial politik, atëherë nuk është në opozitë. 

Gazeta Si: Duket qartë se nuk ka vend për të qenë të gjithë bashkë për shkak të qendrimeve shumë të qarta të Berishës dhe Bashës kundër njëri-tjetrit. Pra, duhet zgjedhur njëri nga këta të dy?

Fatmir Mediu: Me zotin Duka dhe zotin Dule jemi pjesë e grupit parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi. Pra, e kemi një përcaktim tonin politik dhe nuk mund të perjashtojmë veten nga ky angazhim politik. Ajo që po kërkojmë është ta zgjerojmë këtë marrëdhënie në nivel tjetër, jo vetëm parlëmentar, por edhe politik. Kush nuk do që të jetë pjesë e kësaj marrëdhënie, është e drejtë e tyre. Ne nuk mund të imponojmë askënd. 

Gazeta Si: Pavarësisht kësaj, ju do ta takoni zotin Basha veçmas apo jo?

Fatmir Mediu: Nuk kemi vendosur akoma një axhendë takimesh, por unë besoj se duhet të takojmë të gjithë aktorët politikë opozitarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë