Kinema

Fatmir Koçi së shpejti një film për shokun Zylo

Shoku Zylo një nga personazhet që na lidh më fort me imazhin e burokratit, shkruar nga Dritëro Agolli më vitin 1973, së shpejti do ta shohim të ekranizuar. Qendra Kombëtare Kinematografike njofton se në morinë e filmave që do të financohen për vitin 2020 është dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një projekt i regjisorit Fatmir Koci.

Juria e përbërë nga Mario Brenta, Annick Mahnert, Diana Çuli dhe Petrit Beci i kanë dhënë këtij projekti 72.4 pikë, ç’ka e bën atë fitues, duke qenë se projektet që do të financohen duhet të kenë mbi 70 pikë. I bazuar në romanin e njohur të Agollit e më përfaqësuesin e tij, tashmë i ekranizuar, Zylo pritet të ketë një tjetër jetë. Nuk është hera e parë që regjisori Fatmir Koçi zgjedh letërsinë dhe autorë të njohur për tu bazuar në skenarët e filmave të tij. Vetëm disa vite më parë ai realizoi filmin Koha e Kometës, bazuar në romanin “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë. Por në rastin e Zylos duket se nuk do të jetë e lehtë, duke qënë se libri na çon pas në kohë, duke sjellë Shqipërinë e së shkuarës. “Komizmi i figurës së Zylos buron nga kontradikta themelore e karakterit të tij: ai i jep vetes të tjera vlera nga ato që i takojnë, duke menduar se hierarkësia shtetërore është edhe hierarki meritash.

Shoku Zylo është një nga qindra e qindra nënpunësit e mesëm të një aparati shtetëror me shumë instrumente. Ai nuk është pa merita pune, diçka ka bërë për të mirën e saj, por këto merita në peshoren e shoqërisë kanë rëndesë shumë më të vogël se në mendjen e Zylos. Në të vërtetë Zylo Kamberi është një figurë tragjikomike. Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje. Zyloja nuk është një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca e tij është me zë të ulët. Veprimet e tij përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike”, shkruan kritika për këtë personazh.


Nuk ka ende më shumë informacion se si do të zhvillohet ky film, por ardhja e Zylos në kinema është një lajm i mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë