Art dhe Kulture

Fati tragjik i të dashurës së Van Gogh-ut

Në jetën e tij të shkurtër 37-vjeçare Vincent Van Gogh pati vetëm një të dashur. Ajo ishte Sien Hoornik, një prostitutë të cilën ai e punësoi fillimisht si modele. Historia e kësaj dashurie që frymëzoi një nga piktorët më të njohur në historinë e artit, ka ardhur së fundmi në një libër nga studiuesi i veprës së tij Martin Bailey.

“Të jetosh me Vincent Van Gogh: Shtëpitë dhe peisazhet që frymëzuan artistin”, është libri që na njeh më shumë me historinë e Sien-ës, dhe pasionin e madh të artistit për të. Kur Hoornik u njoh me Van Gogh-un, ajo ishte shtatëzanë. Ai e deshi menjëherë, ndoshta për shkak të trishtimit të saj. Vetëm pak kohë pas njohjes ai e ftoi të jetonte në shtëpinë e tij, bashkë me vajzën e saj të vogël. Kur ajo lindi djalë e quajti Willem, emri i mesëm i artistit, dhe pse ai nuk ishte i ati. Një vit pasi jetonin bashkë, Hoornik i tha Van Goghu-t se ajo punonte si prostitutë nga dembelizmi.

Hoornik vrau veten në vitin 1904. Megjithëse studiues të mëparshëm kishin shkruar për vetëvrasjen e saj, data dhe rrethanat e ngjarjes nuk ishin publikuar kurrë. Bailey gjeti çertifikatën e saj të vdekjes në arkivin e Roterdamit, duke përputhur datën e vdekjes me lajmet e një gazete lokale me një grua që ishte mbytur.

Hoornik nuk pati një jetë të lehtë. Ajo humbi dy fëmijë kur ishin ende të vegjël dhe vetëm braktisej nga burrat. Edhe pse Van Gogh shprehu dëshirën për tu martuar me të, ata nuk u martuan kurrë. “Nuk dua që ajo të ndjehet e braktisur dhe e vetmuar për një kohë të gjatë. Unë ndjej dashuri për të dhe i dua fëmijët e saj”, shkruante artisti në një letër dërguar vëllait të tij Theo. Gogh njohu gjendjen e saj të brishtë, dhe mendonte se nëse nuk martohej me të, vështirësitë do ta çonin atë drejt humnerës.

Ata do të ndaheshin 18 muaj pasi u takuan, jo vetëm sepse Hoornik nuk ndante të njëjtin vokacion për artin dhe pikturën me artistin, por edhe pse vëllai i tij Theo këmbëngulte të ndaheshin. Pas ndarjes Hoornik i dërgoi dy fëmijët e saj për birësim.

Në vitin 1901 në moshën 51 vjeçare ajo u martua për herë të parë me Arnoldus Franciscus van Wijk, 11 vite më të ri se vetja.  Në hulumtimet e Bailey-y u mësua se burrit të saj i ishte kërkuar të identifikonte trupin pas vdekjes.

Një nga pjesët interesante të këtij studimi është dhe impakti që kjo lidhje pati në jetën e artistit, mënyra sesi u reflektuan këto 18 muaj në pikturat e tij. Van Gogh vrau veten me armë pranë fshatit Auvers-sur-Oise në veri të Parisit, ku kaloi muajt e fundit të jetës së tij në 1890. Artisti hollandez e huazoi armën nga pronari i hotelit në fshatin ku po qëndronte. Ai vdiq 36 orë më vonë.

Van Gogh

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë