Para

FATF: Shqipëria të mos miratojë Amnistinë pa konsultën e KE-së, dështoi në luftën kundër pastrimit të parave

Nga Gazeta 'SI' - Task Forca Europiane e Financave, për parandalimin e pastrimit të parave, FATF, i ka bërë thirrje Shqipërisë që të mos miratojë Amnistinë Fiskale pasi është në kundërshtim me ligjin e parandalimit të pastrimit të parave.

FATF thekson se duhet të konsultohet me Moneyval, strukturë e Komisionit Europian, për të siguruar që çdo ligj i miratuar ose i zbatuar të ketë masat mbrojtëse të përshtatshme për të parandaluar mundësinë e abuzimit të programit për qëllime pastrimi parash ose financimi terrorizmi.

“Shqipëria ka dështuar të plotësojë planin për të parandaluar këtë aktivitet. FATF i kërkon me forcë Shqipërisë që të demonstrojë me shpejtësi progres të rëndësishëm në përfundimin e planit të saj të veprimit deri në shkurt 2023 ose FATF do të shqyrtojë hapat e ardhshëm nëse ka progres të pamjaftueshëm”, -thuhet në raportin e saj të sapopublikuar.

Bashkë me vende si Barbados, Burkina Faso, Kamboxhia, Haiti, Xhamajka, Mali, Maroku, Pakistani etj, Shqipëria është ndër vendet që do të vazhdojnë të jenë nën monitorim nga Task Forca europiane por këtë herë me monitorim të shtuar.

Në raportin e pranverës, FATF përcaktonte se Shqipëria ka bërë progres në disa pika, por mbetet problem kryesor shënjestrimi përmes sanksioneve financiare i bizneseve, apo aktiviteteve që zgjerohen befas pa justifikuar burimin e të ardhurave të kësaj rritjeje, burimin e financimit të teknologjive të reja, transparenca e marrëveshjeve tregtare mes privatëve dhe në mbikëqyrjen e bizneseve, apo profesioneve jofinanciare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë