Treg

Fasonët në zgrip, i kërkojnë qeverisë lehtësimin e kritereve të kredive sovrane

Fasonët vënë alarmin se po rrezikojnë falimentin për shkak të mungesës së likuiditetit, situatë kjo e krijuar prej amullive të shkaktuara nga pandemia. Ata kërkojnë ndihmë nga shteti përmes kredive të garancive sovrane.

Nga llogaritë që ka bërë shoqata “Pro-Eksport Albania”, përfaqësuese e punëdhënësve të industrisë të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve që lindi nga bashkimi i shoqatave të vjetra të sektorit, del se për periudhën prill-qershor 2020, eksportet e kësaj industrie ranë me 60 për qind. Kjo ka shkaktuar një humbje mbi 130 milionë euro për sektorin, në stoqe të pashitura (kontrata të bllokuara ose të parealizuara) dhe në prodhim të munguar.

Në vitin 2019, ky sektor punësonte 70 mijë vetë ose mbi 56 mijë familje, duke përbërë sektorin punëdhënës të tretë më të madh privat në vend. Deri më tani sektori për shkak të situatës së përkeqësuar financiare të shkaktuar nga pandemia, ka larguar 22 mijë punonjës nga puna.

Sipas "Pro-Eksport", pothuajse të gjitha fabrikat e sektorit janë në mungesë ekstreme të likuiditetit për të vijuar punën. Rreziku i falimentimeve në masë për këto sipërmarrje është i dukshëm dhe shumica e këtyre fabrikave prodhuese po punon sot për mbijetesë.

“Kjo industri, e cila është më patriotja në vend, sepse fitimet i ka investuar në përgjithësi në shtim të makinerive, kapaciteteve prodhuese dhe të punonjësve, sot ka nevojë emergjente për ndihmën dhe ndërhyrjen e Shtetit për të kaluar këtë situatë, për t’u rimëkëmbur dhe për të konsoliduar dhe transformuar strukturat e saj, në përballje me sfidat e sotme”, thotë për gazetën “Si” Edvin Prençe, kryetar i "Pro-Eksport Albania".

Ata kërkojnë nga qeveria ritrajtim dhe rikonceptim të kritereve të funksionimit të dy Linjave të Kreditimit me Garanci Shtetërore, të lançuara tashmë: Për Linjën e parë shoqata kërkon të zgjatet afati i aplikimit dhe të lehtësohen kriteret kualifikuese për fimat që duan të aplikojnë për  të shfrytëzuar nga kompanitë e sektorit pjesa e papërdorur e kësaj kredie.

Për Linjën e dytë të kreditimit të ketë lehtësim të kushteve kualifikuese, duke mbështetur të gjitha ndërmarrjet që aplikojnë dhe që janë me bilanc ekonomik pozitiv për vitin 2019, por që sot ndodhen në vështirësi për likuiditete, kanë stoqe të mallrave apo vështirësi në likuidimin e kredive të vjetra .

Ministrja e Financave Anila Denaj gjatë turit të saj tek bizneset në një fabrikë fasoni në Vlorë para do ditësh do të deklaonte se Garancia Sovrane 2 për biznesin do të jetë pa limit kohor.

Po ashtu ajo do të bënte me dije se në kuadër të Planit të Rimëkëmbjes së vendit, do të ketë disa garanci sovrane deri në vitin 2030.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga Garancia e parë sovrane për pagat janë 530 raste të aprovuara me një vlerë prej 51 milionë euro ndërsa janë edhe 220 raste të tjerë në shqyrtim.

Kurse, Garancia e dytë Sovrane ka një nivel më të ulët aplikimi, pasi këtu risku ka qenë 60% nga qeveria dhe 40% nga bankat dhe deri tani janë disbursuar 9 milionë euro për 50 kredimarrës dhe 65 raste të tjera janë në proces aplikimi.Po ashtu fasonët kërkojnë realizimni e një programi mbështetës afatmesëm nga Buxheti i Shtetit dhe institucionet.

Fasonët kaërkojnë gjithashtu realizimin e një programi mbështetës afatmesëm nga Buxheti i Shtetit dhe institucionet donatore, i financuar pjesërisht me grante dhe pjesërisht me kredi të butë, për sipërmarrjet e sektorit që kane nevoje të riformatojnë prodhimin dhe të diversifikojnë produktet, në përshtatje me kërkesat e sotme të tregut ndërkombëtar, duke përfshirë pajisjet sanitare dhe pajisjet mjekësore të mbrojtjes individuale.

Ndërkohë që Plani i Rimëkëmbjes së Ekonomisë së vendit, edhe pse u deklarua nga ministri i Rimëkmëbjes Arben Ahmetaj se do të preznatohej në fundqershor, pavarësisht se u bënë ndryhsimet në buxhetin e shtetit, ende nuk ka asnjë sinjal nëse po punohet për të ose jo.

Në kushtet e krijuara, thotë shoqata Pro-Eksport Albania,  të gjitha kontratat që do të lidhen në të ardhmen nga institucionet shtetërore për te plotësuar nevojat për produkte veshjesh dhe këpucësh, të tenderohen apo negociohen vetëm me ndërmarrje prodhuese shqiptare të këtij sektori.

Ajo kërkon gjithashtu kompensim të plotë i shpenzimeve mujore direkte ekstra të kryera nga fabrikat e sektorit, në respektim të Protokollit të Kuq për periudhën e pandemisë, të cilat kapin një kosto të llogaritur prej 5,000 (pesë mijë) lekë në muaj për çdo punonjës aktiv.

Industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve përfshin 700 fabrika dhe sipërmarrje aktive, të mëdha dhe të vogla në vend. Për vitin 2019, kjo industri siguroi rreth 40 përqind të eksporteve të vendit me një vlerë mbi 800 milionë eurosh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë