Treg

Fasonët, gati për “tregun e ri”. Do prodhojnë veshje spitalore dhe ushtarake

Sektori Fason ndodhet në një moment të vështirë ekonomik pasi i mungon lënda e parë dhe shumë kontrata të lidhura me partnerët europianë janë ndërprerë si pasojë e emrgjencës shëndetësore anembanë globit.

Por ata e kanë një zgjidhje; përshtatjen me kërkesat e reja të tregut duke prodhuar veshje për shëndetësinë dhe ushtrinë.

Të ndodhur në këtë situatë të vështirë, Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë dhe Dhoma Kombëtare e Prodhuesëve dhe Veshjeve i ka dërguar një letër të hapur Ministrit të Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj për zbatimin e disa masave mbështetëse për sipërmarrjet Fason në situatën e emergjencës shëndetësore dhe ekonomike.

“Fasonistët e Bashkuar i shprehin mbështetjen e tyre Qeverisë Shqiptare për të ndërmarrë sa më shpejt që të jetë e mundur, një veprim urgjent për situatën alarmante në të cilën ndodhet ky sektor sot. Konkretisht, në situatën aktuale të mungesës pothuajse të plotë të punës me material porositës, sektori fason është i gatshëm të riformatohet, në përshtatje me kushtet e reja të tregut europian e më gjerë dhe vetëofrohet për të prodhuar me cilësi të standarteve europiane, veshjet dhe kepucët spitalore si dhe ato ushtarake e utilitare, për vendet e BE-së.”-citon letra drejtuar ministrit Ahmetaj.

Fasonët konkretisht kërkojnë që qeveria të bëhet urë lidhëse ndërmjet biznesit fason shqiptar dhe qeverisë italiane dhe pse jo edhe asaj gjermane për të riadoptuar kontratat sipas situatës.

“Me anë të këtij veprimi, ne mendojmë dhe shprehim bindjen se shpëtohen mijëra vende pune, te cilat sot, në kushtet e pandemisë botërore, janë të rrezikuara seriozisht. Po ashtu, në të njëjtën kohë i kursehen buxhetit të shtetit miliona Euro, aq të nevɔjshme sot për të gjithë ata që kanë më shumë nevojë. Gjithashtu, ndihemi kontribues të vlefshëm edhe ne, si të gjithë ata që ju jepet një mundësi për ta kaluar sa më lehtë këtë luftë”- shkruhet në letrën e hapur të fasonëve drejtuar ministrit Arben Ahmetaj.

Teksa Florian Zekja, një prej sipërmarrësve Fason po pret certifikimin e mostrës së maskës nga Italia për të nisur prodhimin e maskave.

Kurse një ditë më parë, vetë ministri Ahmetaj do të deklaronte se “personalisht kam vendosur kontakt me qeveritë e vendeve fqinje dhe ato të Bashkimit Europian, për të kërkuar bashkëpunimin e tyre me kompanitë shqiptare duke i përshtatur kërkesat në funksion të situatës së emergjencës, për prodhimin e maskave, veshjeve dhe këpucëve.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë