Libra

Fantazma e Milan Kunderës

Ndodh t’i shohësh të kalojnë si hije në bulevardin Raspail. Një burrë i gjatë, i larë në të bardhë dhe një grua e vogël me flokë të shkurtra. “Dy trupa po aq tronditës sa jeta e tyre e mundimshme ndër shekuj dhe kufij, dy shokë shpirti të mbështjellë në të njëjtin fat, të dënuar për të jetuar dhe vdekur në magji”, shkruan gazetarja Ariane Chemin në librin “À la recherche de Milan Kundera”. Autori çek dhe gruaja e tij janë fantazma në një apartament në Paris.

Edhe sot, emri i një romancieri tjetër dhe ai i një përkthyesi islandez në apartamentin në Paris shërbejnë për të hutuar çdo shikues. Miqtë e besuar, - ndër të paktët, filozofi Alain Finkielkraut, shkrimtarja Yasmina Reza, intelektuali Christian Salmon - e dinë se për të marrë një përgjigje në telefonin fiks ata duhet të bëjnë një sinjal të koduar: së pari një zile, pastaj dy. Në takimet e rralla në grup, shkrimtari pretendon se nuk ka fotografi. I vetmi person që mund ta fotografojë atë është gruaja me të cilën ka ndarë gjithçka për gjysmën e shekullit të kaluar.

Për tridhjetë e shtatë vjet, Milan Kundera është “zhdukur vullnetarisht”, siç shkruan Chemin në historinë e çmuar, në gjysmën e rrugës midis një hetimi dhe një pelegrinazhi sentimental, i cili del nesër në Francë, botuar nga “Éditions du sous-sol”. Eklipsi i romancierit ndodhi në vazhdën e suksesit botëror të “Lehtësisë së Padurueshme të Qenies”. “Unë jam i tepruar me veten time”, i besoi romancieri mikut të tij Salmon.

Intervista me Bernard Pivot është hera e fundit që ai e ka lejuar veten të jetë në qendër të vëmendjes. Në vitin 1984 Chemin ishte përpara ekranit të vogël. “Një të premte në mbrëmje të janarit, unë zbulova sytë e tij blu dhe fjalët e tij të plogështa në televizion”, kujton autorja që ishte njëzet vjeç dhe ishte magjepsur nga ai romancier, kaq ndryshe nga ata që qarkullonin në vitet ’80.

Gazetarja mbeti me një ëndërr: një ditë të takohej me Milan Kunderën. Ajo e kishte parë çiftin nga larg në rrugët e kryeqytetit. “Por unë kurrë nuk kam guxuar të afrohem”. Si t’i drejtohem dikujt që ka bërë gjithçka për t’u larguar nga realiteti? Dy vite më parë Chemin hyri në gjurmët e “vullnetarit të zhdukur” për një shkrim në të përditshmen franceze. Nga Praga në Korsikë, nga Rennes në Bohemi, asaj ju desh të bënte një manovër të gjatë të afrimit.

Derisa të takohej me Kunderën, u përball me të shoqen e tij në kafene. “Jeta jonë nuk ka interes”, paralajmëroi gruaja e shkrimtarit, dhe thotë se Kundera ka një marrëdhënie komplekse me median. Në vendin e saj, ajo ishte një nga gazetaret më të famshme të televizionit, ishte ajo që njoftoi drejtpërdrejt pushtimin e tankeve ruse në vitin 1968.

Më pak e njohur është gruaja e parë e Kundera, Olga Haas, vajza e kompozitorit që ishte viktimë e Holokaustit. Edhe ajo, thotë Chemin, që e gjeti atë në Brno, në qytetin e lindjes të Kunderës, është e lidhur me një pakt heshtjeje me ish-burrin e saj. Në Republikën Çeke, autorja vuri në dukje një mungesë të caktuar dashurie për romancierin, i cili në vitin 1975 zgjodhi të mërgojë ndryshe nga intelektualët e tjerë.

“Vaclav Havel shkoi në burg dhe u bë president. Kundera shkoi në Francë dhe u bë shkrimtar”, është një nga shakatë rreth lavdisë kombëtare. Kundera kishte humbur kombësinë e tij gjatë diktaturës dhe e rimori atë vetëm tre vjet më parë me urdhër të kryeministrit Andrej Babiš. Oligarku anti-sistem erdhi në Paris për të pajtuar shkrimtarin me vendin e tij dhe ka pasur sukses.

Autorja ka bërë hulumtime të shumta për jetën e Kunderës. Chemin verifikoi vërtetësinë e dokumenteve, krahasoi leximin e bërë nga historianët, pa arritur në një përgjigje përfundimtare. Çifti Kundera ishte i bindur se kthimi në atdheun e tyre nuk do të jetë më i mundur kurrë. “Është e tmerrshme për mua të di se unë do të vdes këtu”, thotë gruaja e Kunderës, e cila duke u argëtuar duke luajtur fshehur me gazetaren, përfundon duke qenë në qendër të librit. Vetëm një herë autorja dëgjon shkurtimisht zërin e shkrimtarit në telefon, para se gruaja e tij të rimarrë kontrollin.

Në një Europë që identifikohet me ndjenjën e nostalgjisë, sipas një përkufizimi të famshëm nga Kundera, edhe marrëdhënia me Francën përfundon e torturuar. Novelisti fitoi kombësinë në vitin 1981, duke filluar të shkruajë në frëngjisht për Gallimard (shtëpi botuese në Francë). Por që nga fundi i viteve 1990, zërat armiqësorë janë shfaqur në kritikën letrare. Identiteti u shtyp nga disa gazeta, çifti ndërpreu lidhjet me disa intelektualë. Për të marrë hakun e tij, Kundera zgjodhi të botonte romanet e tij të reja, në Spanjë dhe Itali.

Shkrimtari, i cili tani është 92 vjeç, ka imponuar shkurtime dhe modifikime në veprat e tij. Poezitë e hershme përfunduan në sirtar. Shkrimtarit i pëlqen të citojë një frazë nga Gustav Flober: “Artisti duhet të bëjë që pasardhësit të besojnë se nuk ka jetuar”. Çifti, të cilët nuk patën fëmijë, nuk kanë dalë ende nga shtëpia e tyre e fshehur në fund të një grope të vogël pranë kopshteve të Luksemburgut. Rrallë drita e jashtme depërton në apartament. Grilat mbeten të mbyllura në atë që gruaja e shkrimtarit e quan “burg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë