Art dhe Kulture

A u këndua “live”? Fansi që pushtoi skenën i nxjerr “të palarat” Eurovision-it

Organizatorët e Eurovision pretenduan vazhdimisht se këngët e kënduara në dy gjysmëfinalet dhe më pas në finalen e madhe të Lisbonës ishin “live” dhe jo të regjistruara.

Por, ndërhyrja e një spektatori gjatë performancës së këngëtares britanike, SuRie ka shkaktuar një debat në rrjetet sociale, që ngre pikëpyetje të mëdha në lidhje me pretendimin e Eurovision.

Fansat e vëmendshëm vunë re që në momentin që spektatori i heq mikrofonin këngëtares britanike, kënga vazhdon sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

“Na doli që Eurovisioni i ka këngët e regjistruara dhe këngëtarëv veç sa imitojnë në skenë. Faleminderit fansit që na hapi sytë”, thotë një përdorues në Tëitter.

“Imitim brilant i SuRie-t në Eurovision”, shkruan një tjetër.

Pas incidentit, Eurovision konfirmoi përmes rrjeteve sociale se i kishte ofruar këngëtares britanike dhe ekipit të saj që të performonte edhe një herë në skenë, por si SuRie, ashtu edhe ndihmësit e saj vendosën që të mos e bëjnë këtë. “Nuk ka asnjë arsye pse të këndojmë sërish”, ishte argumentimi i dhënë prej tyre.

Vetë organizatorët e festivalit europian të muzikës nuk kanë reaguar në lidhje me këto pretendime, por pyetja që ngrihet pas këtij incidenti është fakti nëse të gjitha këngët kanë qenë të regjistruara, apo vetëm ajo e këngëtares britanike?

Këngëtarja izraelite Netta, fituese e çmimit të madh të Eurovision

Eurovision u fitua nga kënga “Toy” e këngëtares izraelite, Netta, ndërkohë që edhe këtë herë mënyra e votimit ngjalli jo pak pakënaqësi në rrjetet sociale.

Komente të shumta pushtuan faqen zyrtare të Eurovision në Facebook, ku në pjesën dërrmuese shprehej mosaprovimi me këngën fituese. Mes komenteve mbështetja më e madhe i ofrohej shqiptares që përfaqësonte Qipron, Eleni Foureira, por nuk mungonin edhe ato për Eugent Bushpepën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë