Ngjarje

Familjarët, ‘gardianët’ e 600 të dënuarve që lënë qelinë e ikin në shtëpi

Familjarët që do të presin për “karantinim” të dënuarit do të jenë gjithashtu edhe policët e tyre. Siç bën me dije një burim i Gazetës “Si” veç formularit aplikues, edhe i afërmi që do marrë përsipër strehimin e të burgosurit duhet të plotësojë një formular të veçantë tip. Në këtë dokument që Gazeta “Si” disponon tregohet se pasi i afërmi jep të dhënat personale, duhet të tregojë lidhjen që ka me të burgosurin që do lërë qelitë për tre muaj për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Ai duhet të japë gjithashtu pëlqimin për të pranuar të dënuarin dhe kjo ndodh për t’u treguar autoriteteve se i burgosuri do të ketë ambient ku të qëndrojë dhe në njëfarë mënyre vërtetohet që ai është i pastrehë dhe në një të ardhme, në përfundim të gjendjes së jashtëzakonshme shëndetësore, i ndërpritet rruga për t’u justifikuar se “nuk qëndroj në shtëpi apo u arratis pasi nuk ka banesë”. Kjo gjithashtu i lë të hapur shtegun përgjegjësisë ligjore në rast arratisjeje të të burgosurit dhe mosparaqitje të tij në burgun ku ai vuante dënimin përpara se të kthehej në shtëpi. Për lejen e veçantë familjari duhet të rendisë një listë emrash të të afërmeve që do ta trajtojnë në banesë të burgosurin. Në këtë kuptim familjari merr deklarues merr përsipër vullnetarisht dhe duhet të pranojë në formular që do bëjë policing, me frazën “në rast se do ketë shmangie nga karantinimi apo nëse largohet nga vend qëndrimi do njoftoj në telefon policinë”.

Një burim i sigurt pranë Departamentit Juridik të Burgjeve shtoi se në formular është përfshirë edhe marrja e përgjegjësisë ligjore edhe nga i afërmi nëse i burgosuri arratiset, dhe kjo do të thotë në njëfarë mënyre parashikim ligjor i skemës, nëse do ketë arratisje në masë, sa kohë lista e të dënuarve përfitues është 600 veta. Familjari ka detyrim që çdo ditë të raportojë në telefon, fillimisht në orën nëntë të mëngjesit dhe në mbyllje të ditës në orës 20.00, raportim që do të kryhet në një numër që do t’i vendoset në dispozicion nga IEVP e burgut ku i dënuari mbahej më herët. Një telefonatë tjetër duhet të kryhet edhe me policinë lokale në orën 13:00.

"Ne besojmë se përmes kësaj mënyre, u shpreh për gazetën një jurist, do të mbajmë nën kontroll të dënuarit, edhe pse ajo që na jep besim se nuk do ketë arratisje në masë nuk është familjari i tij, sesa profili i vetë të dënuarit. Siç bëhet me dije, 600 të dënuarit që do të vetizolohen nga qelia në shtëpi, veç kushteve që duhet të plotësojnë në përputhje me aktin normativ, ata duhet të mos konsiderohen të rrezikshëm, të mos kenë masa disiplinore në burg dhe të kenë një profil që i bind autoritetet që ata do kthehen sërish në burg

Siç mësoi jozyrtarisht Gazeta “Si”, pjesa më e madhe e atyre që do të shkojnë përkohësisht me leje të veçantë në shtëpi, janë të dënuar për kultivim hashashi. Mësohet se për këtë vepër janë gati 300 të dënuar të formës së prerë, të cilëve u ka mbetur më pak se 3 vjet heqje lirie për të vuajtur në qeli. Të tjerët janë të moshuar, apo të sëmurë kronikë, shpërdorues detyre dhe hajdutë. Pritet që burgjet të miratojnë brenda kësaj jave kthimin e të dënuarve në shtëpi, bazuar në aktin normativ nga qeveria që miratoi të hënën për të shmangur përhapjen e Covid-19.

“Megjithatë nga ana tjetër kushdo që arrestohet këto ditë, nuk dërgohet menjëherë në qelitë e paraburgimit, por karantinohet në qeli të vecanta”, shpjegoi në telefon një zyrtar policie i Burgjeve që shtoi se në burgje janë të angazhuar gati 4 mijë punonjës dhe staf, të cilët gjithashtu janë të rrezikuar, ndaj dhe është lëshuar një urdhër përmes të cilit ndalohet që stafi të hyjë në burg pa doreza dhe pa maskë si dhe pa u kontrulluar çdo ditë te dera e burgut te një mjek i posaçëm për temperaturën dhe simptoma të ngjashme me ato që ka një i sëmurë i koronavirusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë