Njerez

Familja e skiatorëve që ‘braktisi’ Italinë / Pas Lara Colturit, vishet kuqezi edhe i vëllai 13-vjeçar

Nga Gazeta Si- Yuri Colturi është skiatori më i ri i përfaqësueses së Shqipërisë dhe është vëllai i Lara Colturi e si rrjedhojë edhe i biri i kampiones së madhe të Italisë, Daniela Ceccarelli.

Për herë të parë, Yuri, vetëm 13 vjeç, ka zbritur në pistat e skive në një garë zyrtare për të rinj, më e famshmja për fëmijë e quajtur ‘Alpe Cimbra’, nën ngjyrat kuqezi.

Në këtë debutim të parë ai u rendit në vendin e katërt në garën e Zhvilluar në Bolzano. Pritshmëritë për të janë si të të motrës, për të qenë mes emrave të rëndësishëm të skive europiane dhe jo vetëm. Zgjedhja e tij për Shqipërinë ka ende kohë për tu konkretizuar pasi ai duhet të vendosë brenda moshës 16-vjeçare.

Ky është viti i dytë i Lara Colturit nën ngjyrat e flamurit tonë dhe në ditën e sotme emri i saj është ai që ka bërë çuditë më të madhe në arenën e skive botërore, me pjesëmarrjen e saj në Kupën e Botës mes emrave më të mëdhenj të kategorisë së femrave.

Veç familjes Colturi, nisur nga vështirësia e gjetjes së një skiatori apo skiatoreje shqiptare, për shkak edhe të mungesës së pistave përpos faktit që ky nuk është një sport tradite tek ne, më herët ishte e vështirë të gjesh një kampion skish.

Lara dhe Yuri Colturi, vëlla e motër përfaqësojnë Shqipërinë në kampionatet e skive. Gazeta Si, shkurt, 2024.

Kevin Koni është emri i tjetër që ka debutuar së bashku me vëllain e Larës, por në garën për moshën 15 vjeçare. Kevin ka lindur në Itali dhe rritur e stërvitur në këtë sport në shkollat e famshme italiane.

Lisa Brunga, është një tjetër emër shqiptar që pritet ti bashkohet kombëtares kuqezi, aktualisht vetëm 15 vjeç dhe garon për Kanadanë, por që në një marrëveshje paraprake me Federatën Shqiptare të Skive, do i bashkohet Shqipërisë.

Në garën e 1 shkurtit për moshën U16 në Kanadanë, një lloj kampionati vendas, Lisa u rendit në vendin e dytë.

Sot Shqipëria ka pak sportistë, por shumë cilësor dhe madje shumë të rinj. Lara është kopertina e Federatës Shqiptare të Skive që po tundon edhe talente të tjera të reja të na bashkohen. Tani për tani, jemi duke i kërkuar mal më mal, për të futur në ambientin tonë, sportiv dhe jo vetëm, një sport  aristokrat që s’na përkiste, por sot është pjesë e çdo fundjave dimërore në pistat më të famshme Europiane e Botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë