Shkon në pesë numri i të arrestuarve të operacionit “Shtegtimi”.
Policia e Tiranës bën me dije se ka rënë në pranga anëtari i pestë i grupit që dërgonte qytetarë në vendet e BE-së gjatë periudhës së pandemisë kundrejt përfitimit 600 euro duke shmangur detyrimet tatimore e falsifikuar formularët e testit të “Covid 19”.
"Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit O. Gj., 18 vjeç.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, duke përfituar nga situata e pandemisë 'COVID-19', nëpërmjet kamuflimit, për t’u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit 'COVID-19' dhe garanci të destinacionit të vendit pritës", thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.