Arsim

Universitetet në Tiranë gati për mësim, godinat s’kanë problem

Pas situatës së vështirë që kaloi Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit, që u shoqërua edhe 51 viktima si dhe me mbylljen e shkollave në një hark kohor prej rreth dy javësh, 4 dekanët e Universitetit të Tiranës kanë dalë në një konferencë për shtyp nga mjediset e Fakultetit të Ekonomisë.

Dekanët kanë deklaruar se nesër (të martën) janë të gatshëm për rinisjen e mësimit, pasi godinat përkatëse nuk kanë probleme, si dhe kanë vënë në pah solidaritetin e madh që i ka shoqëruar këto ditë strukturat universitare dhe stafet akademike.

I pari që mori fjalën ishte dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, i cili deklaroi se strukturat studentore dhe stafet e tyre kanë qenë në solidaritet të plotë gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë.

“Shumë studentë kanë shkuar në vendet e prekura dhe kanë kontribuar maksimalisht. Në situata të tilla drejtimi është eficient kur ka bashkëpunim, pra nuk ka konkurrencë.

Pothuajse përditë stafet pedagogjike komunikojnë, na pyesin edhe janë solidarizuar. Pra, një situatë shumë solidare. Dua ta përshëndes Universitetin “Aleksandër Moisiu”, që sot kanë nisur mësimin”, u shpreh dekani i Fakultetit të Ekonomisë.

Ndër të tjera Dhori Kule tha se “do të janë 60 studentë ekselentë në fushën e menaxhimit të riskut që do të jenë në dispozicion të strukturave të shtetit që po merren me menaxhimin e kësaj situate”.

Edhe dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, vuri në pah solidaritetin e këtyre ditëve të vështira dhe tha se nesër janë të gatshëm për nisjen e mësimit.“Ne kemi bërë disa riparime të shpejta në këto ditë dhe nesër jemi të gatshëm për të filluar normalisht mësimin.

Ne u kërkuar studentëve tanë që të na raportojnë nëse ndonjëri ka banesë të shembur apo humbje të familjarëve, në mënyrë që t’i asistojmë. Tre studentë na kanë njoftuar se banesat e tyre janë të pabanueshme. Dhe ne po diskutojmë për t’i asistuar ata. Është një situatë që duhet përballuar në kohë. Kemi qenë jo me pushime gjatë kësaj periudhe. Duhet t’i kthehemi normalitetit, si një gjë që duhet ta përballojmë, kemi planifikuar një axhendë për të rikuperuar orët e humbura”, tha dekani i Fakultett të Drejtësisë.

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale u shpreh se gjithë puna e tyre është bazuar në ndihmesën e popullatës në aspektin emocional. Ai tha se mbi 250 studentë të fakultetit kanë dhënë ndihmë psikologjike në këtë situatë të vështirë.

“Strukturat e fakultetit janë përqendruar në këtë 10-ditor duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme sidomos në aspektin psikosocial.

Me rëndësi, trajtimi psikologjik pas tërmetit dhe nga ana e fakultetit tonë i është kushtuar vëmendje e posaçme shëndetit mendor. Mbi 250 studentë kanë dhënë ndihmë në këtë situatë të vështirë, sidomos psikologjike. Për sa i përket mësimit, do të nisë nesër”, u shpreh ai.

Po ashtu edhe dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja tha se kjo situatë ka rritur solidaritetin.

“Godina e Gjuhëve të Huaja është e sigurt. Ne kemi qenë çdo ditë hapur për çdo nivel të kërkesave. Aktiviteti nuk ka reshtur asnjë çast. Bashkë kemi një ristart të fuqishëm, që besoj se rriti solidaritetin midis nesh. Kjo situatë kërkon mbi të gjitha pozitivistet”, u shpreh dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë