Arsim

Në shkollat publike dhe private të Tiranës ku nuk nisi mësimi

Në orën 8 të mëngjesit, gjimnazi “Sami Frashëri” duhet të gumëzhinte nga nxënësit, por sot pikërisht në ditën kur Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të riniste, dyert e këtij gjimnazi janë të mbyllura. Tërmeti i 26 nëntorit, shkaktoi dëme të mëdha në tarracë dhe inspektoret e cilësuan atë të pa frekuentueshme. Nxënësit do ta zhvillojnë mësimin në shkollën “Qemal Stafa” dhe “Sinan Tafaj”.

Ditë më parë është shkarkuar drejtoresha e kësaj shkolle Teuta Dobi dhe drejtori i Zyrës Arsimore në Tiranë, sepse në datën 27 nëntor, një ditë pas tërmetit, ajo ka lejuar nxënësit të realizojnë provimin e lëndës së gjermanishtes. Burime për Gazetën “Si” kanë bërë me dije se drejtoresha është shprehur se “provimi i gjermanishtes është ndërkombëtar dhe nuk ka pasur asnjë urdhër nga Ministria e Arsimit, për të zhvendosur datën e provimit, ose nxënësit në një shkollë tjetër”.
Edhe shkolla 9-vjeçare “Lasgush Poradeci”, nuk i ka hapur dyert, por nxënësit e saj do të sistemohen në turnin e pasdites, në gjimnazin “Myslym Shyri” dhe shkolla 9 vjeçare “Shyqyri Peza”.

Gjimnazi "Sami Frashëri" i mbyllur

Në shkollë nuk ishte as roja dhe shitësit aty rrotull më shpjeguan, që prej ditësh aty nuk ka shkuar njeri tjetër përveç tre burrave me jelekë jeshilë që duhet të ishin inspektorët.
Një tjetër shkollë me probleme që për të cilën u fol shumë në media, ishte edhe “Emin Duraku”. Në oborrin e shkollës bashkë më fëmijët ishin të shqetësuar më shumë prindërit. Teksa dilnin me fëmijët prej dore nga dera kryesore e shkollës, dukeshin qartë edhe shenjat e nervozizmit.
Një nga prindit që gjendej përballë portës kryesore tha për Gazetën “Si” se nuk ka ndërmend ta sjellë fëmijën në shkollë, sepse nga inspektimi i shkollës herën e parë, ka dalë që është e pa frekuentueshme.

“I vetmi vendim zyrtar është ai që thotë se shkolla nuk duhet të frekuentohet. Pas datës 3 është bere ai akt konstatim, janë mbuluar suvatë, është lyer dhe kaq ishte. Edhe inxhinierja e njohur Luljeta Bozo, kur e pa shkollën tha që duhet të prishen suvatë që janë bërë që të shohim gjendjen. Këta i kanë mbuluar të gjitha, një ekspertim i dytë nuk është bërë. Drejtoresha thotë që nuk ka përgjegjësi, por ndërkohë i ka futur të gjithë në mësim,” shtoi ai.
Ndërkohë, disa prindër të tjerë po flisnin për një peticion e cili ishte firmosur nga të gjithë prindërit dhe do ti dërgohej Ministrisë së Arsimit. Një nënë me vajzën e saj të mërzitur për dore, u shpreh se personi përgjegjës i vetëm këtu është drejtoresha, pasi me anë të letrës zyrtare nuk duhet t’i kishte futur nxënësit.

Ndërkohë, një tjetër prind, që quanin Luljeta e cila e ka djalin pranë kësaj shkolle i tha Gazetës “Si” se i ka sjellë fëmijët se nuk duan t’i lëmë pa shkollë. “Nuk na i bën zemra të ikim, mbetëm nëpër kafe” shprehet ajo dhe qëndron pas hekurave të shkollës, duke parë djalin e saj prej së largu.
Gjatë bisedës me këta prindër, një nënë me djalin e saj për dore afrohet dhe thotë, “po këto shkollat private i shikoni ju”. Ajo u shpjegua se e kishte djalin në shkollën jo publike “Faik Konica” dhe ende nuk kishte marrë një konfirmim për cilësinë e ndërtesës. Kur shkuam të pyesnim dhe të verifikonim këtë shqetësim të zonjës, drejtoresha u përgjigje “nuk kam ftuar gazetar këtu, kështu që dil përjashta”.

Shkolla jopublike fillore Faik Konica

Duke mos pasur ende një listë të saktë nga Ministria e Arsimit, për shkollave të dëmtuara në kryeqytet, Gazeta “Si” vijoi udhëtimin për të parë sigurinë e shkollave, për në shkollën “Konferenca e Pezës”, ku mësimi vijon normalisht. Ndërtesa, është restauruar gjatë vitit të kaluar dhe ndryshe nga shkolla të tjera si shkolla 9 vjeçare “Mysine Kokalari” që janë restauruar po në të njëjtën kohë, nuk ka pasur dëmtime.
Nxënësit e shkollës, do të zhvendosen në një tjetër ambient arsimor tek 9 vjeçarja “Betim Muço”. Ervini, një prind që gjendet pranë kësaj shkolle, kishte ardhur që në mëngjes, për të marrë një informacion të detajuar për oraret e mësimit.

Shkolla 9 vjeçare Musine Kokalari, Gazeta "Si" 9 dhjetor 2019, Foto Arben Çeli

“Erdha të interesohem, pasi orarin nuk e kemi pasur të qartë dhe shpresojmë që mësimi të vijojë aq rregullisht, sa në shkollën që kanë qenë fillimisht fëmijët,” shtoi ai.
Një ndër shkollat e tjera ku nuk janë konstatuar probleme ka qenë dhe shkolla 9 vjeçare “Edith Durham”. Drejtoresha e kësaj shkollë u shpreh se nuk ka asnjë dëmtim serioz në shkollë dhe mësimi që nga dita e sotme do të vijojë normalisht. Në vijimësi të udhëtimit për në shkollën “Niket Dardani”, Ermali , prind i një vajze në klasën e dytë në këtë shkollë, shprehet se kjo shkollë që pas ditës kur është kryer inspektimi dhe ka rezultuar se nuk është e dëmtuar, mësuesit kujdestarë i kanë marrë nxënësit nëpër klasa me orë të shkurtuara, që t’i mësonin për të mos mbetur mbrapa në mësime, por edhe për të larguar nga ata ndjenjën e frikës.
Gjithashtu, edhe gjimnazet “Qemal Stafa” “Ismail Qemali”, “Sinan Tafaj” dhe “Arben Broci” janë në gjendjen normale dhe mësimi vijon normalisht.

Gjimnazi Arben Broçi, Gazeta "Si" 9 dhjetor 2019, Foto Arben Çeli

Fillimi i shkollës sot lajmërua ditë më parë nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ndërkohë në një njoftim tjetër gjatë ditës së hënë, Ministria njoftoi se procedurat e transferimit të nxënësve do të bëhet në bazë të disa dokumentacioneve, që nxënësit duhet të dorëzojnë në shkollën pritëse, si numrin e mungesave të arsyeshme dhe të paarsyeshme dhe vërtetimin e notave paraardhëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë