Mark Zuckerberg u ka rezistuar presioneve të shumëfishta pas skandalit të “Cambridge Analytica” për të kufizuar reklamat politike që u adresohen grupimeve të caktuara në këtë rrjet social dhe jo vetëm që do t’i lejojë ato, por as nuk merr përsipër që të kontrollojë vërtetësinë e fakteve të paraqitura në këto materiale.
Facebook thotë se vendimi është marrë pas konsultimit dhe sondazhet me përdoruesit e rrjetit. Në deklaratë, kompania thekson se mes nevojës për të kufizuar reklamat politike dhe lirisë së shprehjes zgjodhi këtë të dytën.
Në vend të diktimit të këtyre masave shtrënguese, Facebook thotë se do të forcojë mekanizmat e transparencës, duke u dhënë më tepër mundësi përdoruesve të rrjetit social që të kontrollojnë dhe verifikojnë burimin e reklamës politike dhe burimin e financimit të saj.
Facebook thotë gjithashtu se do t’u krijojë mundësinë përdoruesve që të përcaktojnë vetë përmes shtojcave nëse duan, apo jo që t’u shfaqen reklama politike gjatë shfletimit të rrjetit sociale.
Masat e ndërmarra nga rrjeti social më i madh në botë vështirë se do të kënaqin kritikën, të cilët thonë se Facebook ka ndikim të tepruar në elektorat dhe për më tepër kufizime të pamjaftueshme sa u takon spoteve me përmbajtje politike, që ndikojnë drejtpërdrejtë në procese zgjedhore.
Kritikët thonë se refuzimi i Facebook për të verifikuar faktet e paraqitura në një spot politik u jep lejen politikanëve që të gënjejnë për tema e çështje që nuk mund të verifikohen, ose verifikohen me vështirësi nga njerëzit e thjeshtë.
Me këtë lëvizje Facebook sfidon edhe rivalët e tij. Google njoftoi në tetor të vitit të kaluar se do të kufizojë shpërndarjen e reklamave politike vetëm për tematika të gjera, që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, apo çështje të tjera të ndjeshme për shoqërinë, ndërsa më herët Tëitter përjashtoi krejtësisht reklamimet politike nga platforma e vet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



