Analize

“Cambridge Analytica” dhe zgjedhjet e 2017-ës në Shqipëri

Mentor Kasa - Të dhënat e bëra publike deri më tani mbi skandalin e “Cambridge Analytica” janë vetëm maja e ajsbergut. Sipas mediave britanike janë më shumë se 100 mijë dokumente, që pritet që të bëhen publike në muajt në vazhdim. Publikimi i tyre do të zgjerojë skandalin në 68 vende të botës.

Dokumentet, sipas këtyre burimeve demaskojnë një infrastrukturë globale që kishte ngritur një “industri të mirëfilltë” manipulimi votuesish me një vlerë të paktën 3 miliardë dollarë në vit.

“Cambridge Analytica” ishte pjesë e kompanisë “SCL Elections” me bazë në Londër, edhe kjo e mbyllur pas skandalit që i plasi në dorë. Kjo kompani e përshkruante veten si kompani lider në fushën e studimit të sjelljes dhe prirjes së elektoratit dhe mburrej në faqen e vet zyrtare të internetit, para se kjo faqe të mbyllej, se ishte e përfshirë në mbi 100 procese elektorale nga 1994 e deri në 2018, ku nuk regjistronte asnjë humbje.

Mes vendeve që “SCL Elections” listonte se kishte punuar është edhe Shqipëria. Vetë “Cambridge Analytica” u themelua në 2013, si një zgjatim i “SCL Elections”. Mbi përfshirjen e “Cambridge Analytica” në zgjedhjet në Shqipëri nuk është publikuar ende ndonjë dokument provues, por gjurmë që lënë dyshime ka.

Harta e vendeve ku "SCL Group" thotë se është përfshirë në procese zgjedhore

Shqipëria del në një e-mail të dërguar nga inxhinierja e shkencave kompjuterike, Tee Ganbold dërguar për Brittany Kaiser, ish-punonjëse e “Cambridge Analytica”, që mori statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë në Britaninë e Madhe në hetimet për këtë skandal.

Në këtë e-mail, që mban datën 16 shtator 2016, Ganbold i dërgon Kaiserit emrat e vendeve që përgjatë 2017 kanë zgjedhje. Mesazhi mban titullin “Concordia – 2017 Elections List” me shënimin “Të lutem printoje dhe dërgoja Markut”. Bëhet fjalë për Mark Turnbull, kreu i “SCL Group”.

Vendet që kanë zgjedhje janë të grupuara sipas kontinenteve. Për Europën në listë është edhe Shqipëria, por në dokumentin në fjalë mungojnë detaje të tjera, si kontaktet, apo takimet e vendosura me këto kontakte.

Të dhënat nuk mjaftojnë as për të provuar “Cambridge Analytica” është përfshirë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri në vitin 2017 dhe as për të mësuar se për llogari të kujt u përfshinë në këto zgjedhje. Gazeta “Si” kontaktoi me personat e përfshirë në skandalin në fjalë dhe në ditët në vijim do të sjellë të tjera detaje mbi këtë çështje.

Si funksiononte “Cambridge Analytica”

Si bashkëpunëtore e drejtësisë me dëshminë e saj, Britanny Kaiser zbuloi me detaje se i gjithë suksesi ndërtohej me shkelje të rënda të privatësisë së përdoruesve të rrjeteve sociale, sidomos të atyre në Facebook.

“Informacioni dhe të dhënat janë sot asetet më të vlefshme në botë. Në 2017, informacioni dhe të dhënat tejkaluan vlerën e naftës në treg. Për këtë arsye Google, Facebook dhe Amazon janë kompanitë më të fuqishme financiarisht, pikërisht sepse shfrytëzojnë këto të dhëna”, deklaronte ajo në një intervistë të dhënë para disa muaj më parë.

Chris Wylie, shkencëtar në studimin dhe përpunimin e të dhënave në internet dhe një tjetër ish-punonjës i “Cambridge Analytica” thotë se kjo kompani nuk kishte të bënte më një punë shkencore.

“Ndihmova në ngritjen “Cambridge Analytica. Është e pasaktë që kjo kompani të quhet kompani, apo kompani që studionte algoritmat. Në të vërtetë ishte një makineri propagande në shërbim të personit që paguante më shumë”, deklaron ai në dokumentarin “The Great Hack” të Netflix.

Ana teknike e funksionimit të skemës, për vetë termat e përdorur është shumë më e vështirë. Por e thjeshtuar, “Cambridge Analytica” përdorte aplikacione të ndryshme, kryesisht argëtimi, përmes të cilave fitonte në mënyrë të paligjshme akses tek të dhënat e përdoruesve të rrjeteve sociale, kryesisht Facebook. Ndërhyrja ishte aq flagrante, sa në disa raste, siguroheshin edhe mesazhet personale të përdoruesve me përdoruesit e tjerë.

Algoritmet e përdorura nga “Cambridge Analytica” i siguronin kompanisë jo vetëm të dhënat e personit që përdorte një aplikacion të caktuar, por edhe të dhënat e rrjetit të miqëve virtuale që ai kishte në Facebook.

“Siguronim përmbajtjen e postimeve, pëlqimeve dhe në disa raste edhe të mesazheve personale. Ne nuk shënjestronim vetëm një votues potencial, por të gjithë personalitetin e viktimës. Nuk na duhej shumë, por mjaftonin një grusht personash për të ndërtuar profilin psikologjik të përgjithshëm të votuesve në një vend të caktuar”, shpjegon Chris Wylie.

Më pas, sipas profileve psikologjike të ngritura, votuesit bombardoheshin nëpër rrjetet sociale me informacione, shpesh gjysmë të vertetë dhe në një pjesë të mirë krejtësisht të falsifikuar. Të njëjtën skemë që përdori me “Cambridge Analytica”, “SCL Elections” dyshohet se e ka bërë edhe me mjetet tradicionale të informimit në Nigeri. Autoritetet vendase kanë nisur një hetim mbi zgjedhjet e viteve 2005 dhe 2007. Në këto zgjedhje për njërin prej kandidatëve qarkulluan artikuj që e lidhnin me grupin ekstremist “Boko Haram” dhe hamendësohej se ai do të vendoste ligjin e sheriatit nëse do të zgjidhej President.

Lidhja e “Cambridge Analytica” me “Henley & Partners”

Komisioni hetimor i parlamentit britanik kur u mor me hetimin e skandalit “Cambridge Analytica” gjeti lidhje mes “SLC Group”, kompania mëmë e “Cambridge Analytica” me kompaninë “Henley & Partners”.

Nga hetimet u zbulua se kreu i “Henley & Partners”, Christian Kalin ishte prezantuar me kreun e Partisë Laburiste malteze, Joseph Muscat, sot Kryeministër i vendit, para zgjedhjeve parlamentare të 2013.

“Kuptuam se në 2011, SCL kishte organizuar takime prezantimi në Maltë mes Christian Kalin të “Henley & Partners” me Joseph Muscat”, thuhet në raportin e Parlamentit britanik.

“SCL Group” ishte pajtuar nga Muscat për ta ndihmuar në fushatën elektorale. Ai i fitoi zgjedhjet e 2013 dhe menjëherë pas tyre vuri në aplikim skemën e shitjes së pasaportave, ku koncesionare është pikërisht kompania britanike “Henley & Partners”. Për lidhjen mes “SCL Group” dhe “Henley & Partners” kishte shkruar edhe gazetarja malteze e vrarë, Daphne Caruana Galizia.

Në Shqipëri, emri i kompanisë “Henley & Partners” u bë i njohur pas artikullit me titull “Shqipëria mendon shitjen e pasaportës, biznesi kontravers 25 mld dollarësh”, të publikuar nga Gazeta “Si”. Në atë kohë, Kryeministri Edi Rama zhvillonte një vizitë jozyrtare në Londër. Vizita nuk u pasqyrua në asnjë prej burimeve zyrtare të Qeverisë dhe as nga vetë Kryeministri në Facebook.

Vizita duket se në të vërtetë kishte për qëllim pjesëmarrjen në konferencën e kompanisë “Henley & Partners”, ku Kryeministri Edi Rama ka qenë në listën e folësve që u janë adresuar të ftuarve, sipas njoftimit të publikuar nga vetë kompania në fjalë, që në faqen e saj zyrtare në internet e përshkruan veten si lider në fushën e ndërmjetësimit të shitjes së pasaportave.

Në media qarkulluan disa artikuj, sipas të cilëve kreu i Qeverisë shqiptare është shprehur para miliarderëve pjesëmarrës se po merr në konsideratë bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare me “Henley & Partners”, pavarësisht se kjo mund të përkthehet në kritika nga Bashkimi Europian.

Në fakt, Bashkimi Europian qorton në përgjithësi praktikën e shitjes së pasaportave, ndërsa në veçanti, përmes një rezolute të miratuar më 28 mars të 2019 në Parlamentin Europian i kërkohet Maltës që të ndërpresë bashkëpunimin me kompaninë “Henley & Partners”.

Rezoluta ngre shqetësime në lidhje me personat që kanë përfituar pasaportën e një vendi anëtar të BE-së, pas regjistrimit të të paktën pesë rasteve, ku përfituesit ishin njerëz të kërkuar, ose dënuar për mashtrim, evazion fiskal, e deri tek shkelje të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Kompanitë që operojnë në këtë treg i mbajnë të dhënat e tyre sekrete, por në një raport të 2018 të MoneyVal, që është organizmi i BE-së kundër pastrimit të parave të pista theksohet se aplikimet më të shumta për shtetësi në këtë formë mbërrijnë nga Rusia, Irani dhe Lindja e Mesme, si Arabia Saudite, apo Iraku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë