Komunitet

Në epokën e lajmeve të rreme dhe manipulimit, ti je fushëbeteja e re

Në pamje të parë, mund të mendosh se je në zyrën e një startup-i teknologjik. Njerëzit ngulin sytë në kompjuterë dhe flasin për “influencer”-ët, “reach”-et dhe “hashtag”-et. Ashtu si kolegët e tyre në Sillicon Valley, këta burra dhe gra e dinë sesi interneti mund të përdoret për të ndryshuar zemrat dhe mendjet. Por kjo është një botë larg nga kampuset me ngjyra bazike të gjigantëve teknologjikë. Këto zyra qëndrojnë pas telave me gjemba dhe të gjithë kanë veshur kamuflazhe të ushtrisë britanike.


Brigada e 77-të është njësia e Ushtrisë Britanike për atë që quhet “manovra e informacionit” dhe çfarë gjithë të tjerët e quajnë fusha e luftës së informacionit: përdorimi i medias së shtypur dhe online për të ndryshuar sjelljen e palëve armiqësorë dhe parandalimin e problemeve brenda vendit. Kur e vizitova, afro dy vjet më parë, gjithçka ishte në lëvizje. Dyshemeje sa qe shtuar, njësitë ishin instaluar. Shkrimoret formonin radhë të pastra në zyrat ende të mbuluara me plastmase, shirita dhe pluhur nga sharrat. Edhe atëherë, kishte një ndjesi se ishin shumë vonë.

"Me shtetet, partitë politike dhe individët që luajnë për ndikim edhe më të madh online, ti dhe klikimet e tua jeni vija e re e frontit në luftën e informacionit"

Sot, ata përballen me lloje të reja konflikti që po shpërthejnë online, duke çuar në mashtrime të masave, protesta e deri edhe vdekje. Rrjedha e informacionit po mësyhet. Vëmendja po sulmohet. Manipulimi armiqësor i informacionit është akuzuar madje për mashtrim të zgjedhjeve, vota për Brexit dhe shtrimi i rrugës për Donald Trump.
E vërtetë apo e imagjinuar, frika e aktiviteteve të tilla po ndryshon botën tonë. Mes të gjithë intrigave dhe hijeve, ti je bërë vija e frontit. Opinionet e tua, vlerat, ajo ç’ka mban për të vërtetë, madje edhe mënyra sesi ndiesh, janë nën rrethim. Dhe nuk është e qartë se çfarë mund të bëjë gjithsecili prej nesh, për ta ndalur.

Një ilustrim i fuqishëm i asaj brishtësie erdhi më 7 mars 2019, kur Facebook-u bëri një njoftim. Mes miliarda llogarish, grupesh dhe faqesh që popullojnë sajtin dhe degëzimin e tij, Instagram, kishte identifikuar një rrjet me 137 angazhime, në atë që emërtohet aktivitet “jo autentik” që shënjestronte Britaninë. E megjithatë, 180 mije njerëzve që kishin ndjekur të gjithë apo pjesë të këtij rrjeti, mund t’u jetë dukur krejt e parëndësishme. E mërzitshme, madje.


Nga një anë, nacionalistët shpërndanin slogane. “Të jesh i majtë, është e thjeshtë!”, thoshte një meme. “Nëse dikush nuk bie dakord me ty, quaje racist!” Por të tjerë në këtë rrjet shtynin drejt një këndi të ndryshëm. Një llogari bënte thirrje që lideri i partisë pro-Brexit, UKIP të akuzohej për krime urrejtje-nxitës. Të tjerë tërhiqnin vëmendjen ndaj historive se të Krishterët LGBT po talleshin për shkak të besimit të tyre. Sarkazma dhe polarizimi mund të jetë i njohur për këdo që ka kaluar kohë në mediat sociale. Ndryshimi kryesor është se asnjë prej tyre nuk ishte real. As nacionalistët e as aktivistët anti-racizëm nuk ekzistonin. Të dyja ishin maska online të veshura nga një grup i vetëm i koordinuar dhe i fshehtë.

Ky ekosistem i identiteteve të rreme, zërave falsë dhe grupeve mashtruese ishin përpjekje për të shkaktuar ndryshim të gjerë social. Anëtarët e tij hidhnin mesazhe polarizuese për të dy skajet e spektrit politik jo për të ndryshuar mendjen e dikujt, por për të pohuar bindjet që shikuesit e tyre kishin.


Synimi ishte zemëratë: për t’i bërë njerëzit gjithnjë e më të inatosur ndaj padrejtësive , për të cilat ishin tashmë të bindur se po ndodhnin. Për të shndërruar mënyrën që njerëzit silleshin dhe mendonin, ata i joshnin në një shoqëri të rreme, që ekzistonte vetëm online.
Kjo ishte hera e parë që Facebook kishte gjetur një rrjet, që shënjestronte veçanërisht Britaninë. Dhe ndërsa nuk thoshte kush fshihej pas, keqbërësi mund të ishte kushdo. Grupe ushtarake, operativë të inteligjencës, fushata partish politike, fraksione ekstremiste politike apo edhe individë me inteligjencë teknologjike që i ishin bashkuar ngutit për ndikim dhe vëmendje që kishte shpërthyer në hapësirën kibernetike, duke formuar në zukatje në sfond, ndaj shumë përvojave tona online.

Të njëjtat histori të vjetra
Për David Omand-in, asnjë nga këto nuk është e re. Omand ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij brenda Ministrisë së Mbrojtjes, në Britani përpara se të shërbente si drejtor i GCHQ, agjencisë së spiunazhit teknologjik të vendit, pranë Chetlenham. “Ke gjithnjë dy nivele të ndryshme të fushëbetejës”, më tha. “Ke fushëbetejën e inteligjencës ku agjencitë e inteligjencës së kundërshtarit mund të jenë duke rrëshqitur me tonat. Dhe pastaj ke fushatën për ndikim, përmes propagandës.”


Manipulimi i informacionit gjatë luftës është po aq i lashtë sa edhe vetë lufta. Por u ngrit vërtet gjatë luftës së ftohtë, ku të dy anët në mënyrë sistematik zhvilluan mjete për të ndikuar publikun që shihte nga vendi dhe jashtë. Kompani të rreme, organizata fronti, përmbajtje letrash të rrjedhura, gazetari false, teori komploti dhe protesta të fabrikuara ishin të gjitha pjesë e betejës ideologjike.

Për praktikantët e këtyre taktikave, mbërritja e internetit dhe medias sociale ishte një mundësi spektakolare. Ja ku ishte një mjedis shumë më i hapur se gazetat dhe televizioni. Aty ishin forume globale për debat dhe diskutim, në të cilët ishte fare e lehtë të hyje e të postoje dhe që kuroheshin dhe merrnin formë nga algoritme që mund të projektoheshin mbrapsht, të luheshin dhe manipuloheshin. Platformat po bëheshin gjithnjë e më të personalizuara, duke servirur informacionin që ata mendonin se përdoruesit dëshironin dhe, duke bërë këtë, ndonjëherë krijonin flluska të hiper-partishmërisë – nyje të vogla identiteti, të cilat mund të kontaktohen dhe demaskohen.

"Një ish-kamerier, Besari tani ndërtonte dhe blinte grupe Facebook-u me audienca të mëdha ,të dedikuara gjithçkaje nga Krishterimi ungjillor tek destinacionet e pushimeve".


Në harkun e një dekade, u bë edhe më e lehtë, më e shpejtë dhe më e pakushtueshme për njerëzit që të t’i jepnin formë publikut me median sociale, duke përdorur rrjete si ai që kish gjetur Facebook-u. Dhe nuk kërkonte as resurset e shtetit. Kushdo mund ta bënte, për aq kohë sa kishin një telefon inteligjent.

Ekonomia e lajmeve të rreme
Kur takova një tregtar të lajmeve të rreme në një bar plot ndriçim në Kosovë, nëntorin e 2018-s, telefoni i tij nuk ndalej së sinjalizuari. Secila zhurmë ishte një klik – tingulli i dikujt që hidhej në një rrjet të gjerë digjital, që gjithashtu mund të quhej i koordinuar dhe jo-autentik një ku gjethet e dafinës mund të kuronin kancerin dhe ku George Washington ishte në të vërtetë shqiptar. Burri, të cilin do ta quaj Besar, më tregoi se veprimtaria e tij ishte të frynte përmbajtje, që të vërtetë apo të rremë, të ishin aq tronditës sa njerëzit nuk mund të shpëtonin pa u tërhequr prej saj.

Disa ishin krejtësisht false, të tjera karrem. Por, për Besarin ky dallim ishte humbje kohe. “Është krejt nonsens”, më tha. “As që i lexoj ato gjëra”. Kliko në njërën prej historive të Besarit dhe transportohesh në pjesën e bërjes së parave të të gjithë operacionit. Në serinë e uebsajteve me pamje të vrazhdë, ai i kthen topat e syve në para në të njëjtën mënyrë si çdo gazetar: reklamë.

Një ish-kamerier, Besari tani ndërtonte dhe blinte grupe Facebook-u me audienca të mëdha ,të dedikuara gjithçkaje nga Krishterimi ungjillor tek destinacionet e pushimeve. Ai kishte krijuar me mijëra llogari të rreme për të tërhequr edhe më shumë njerëz. Ai mund të përdorte grupet e mëdha për të rritur grupe të rinj dhe të investonte mijëra euro në reklamat e shënjestruara me kujdes për të tërhequr edhe më shumë shifra. Kur u takuam, gjykova se mund të kishte më shumë lexues se një gazetë voluminoze britanike.

Besari nuk është i vetëm. Ai më tregoi një rrjet të tërë të grupeve vetëm me ftesa në Facebook, me anëtarësi që variant nga disa qindra në disa mijëra. Ata formonin një lloj tregu ku faqet me qindra mijëra “like” tregtoheshin për mijëra dollarë. Të tjerë shisnin “Like” false apo llogari të rreme, ose ofronin këshilla sesi të manovroje ndaj kufizimeve të shtuara të Facebook-ut. Gjeta një paketë fillestare lajmesh të rreme, të plotësuar me një koleksion faqesh për të pasur një audiencë dhe uebsajte, nga të cilat mund të nxirrje përfitime. Jo vetëm që Facebook-ut ishte novator, por njerëz si Besari ishin po aq.

Rreth botës, mijëra njerëz po përdorin të njëjtat mjete për të vënë në lojë dhe manipuluar platformat e medias sociale në një nivel industrial. Për 3 dollarë mund të blesh një “Pako të madhe Megabot”, në rrjetin fantazmë, që të lejon të ndërtosh ushtrinë tënde të llogarive të automatizuara në qindra platforma të medias sociale. Të tjera shërbime mund të manipulojnë rezultatet e motorëve të kërkimit, të blejnë redaktime të Wikipedia-s apo të japin me qira adresa të rreme IP për ta bërë të duket sikur llogaritë vijnë nga e gjithë bota.

"Informacioni nuk përdoret më në luftë. Lufta po zhvillohet brenda informacionit".

Ka madje edhe “ferma legjendash” që mund të rekrutosh, që ju japin kontroll mbi dhjetëra mijëra identitete unike, secili me personalitetin, interesat dhe stilin e tij të të shkruarit. Pavarësisht pushtetit që këta agjentë të kuq pretendojnë se kanë, dëmi që ata shkaktojnë është thjesht rastësor për ta: shtysa e tyre më e madhe është përfitimi. Ata punojnë në grupe të vegjël, me buxhet të kufizuar – ata janë startup-et e shkathët të industrisë së ndikimit.

Gjigantët, kur vjen puna tek propaganda dhe ndikimi, janë shtetet e mëdha. Synimi i tyre nuk është përfitimi, por gjeopolitika dhe ata punojnë në shkallë shumë më të gjera.
Yevhen Fedchenko, drejtor i shkollës Mohyla të gazetarisë në Ukrainë, ishte mes të parëve që kuptoi se shtetet po i bashkoheshin garës për ndikim. Ky përfundim erdhi pas asaj që ai e quan Maidan: demonstratat publike në Ukrainë, më 2013-2014 kundër ndikimit rus në vend.


Në muajt që pasuan, mesazhe dhe narrativa të reja u shfaqën në median ruse. Ato ishin në buletinet televizive dhe në artikujt e gazetave, siç kishin qenë gjatë luftës së ftohtë, por tani u bashkoheshin me mijëra në mediat sociale. Në korrik të 2014-s, një histori e tmerrshme u shfaq në kanalin televiziv më popullor të Rusisë, Channel One. Pretendonte se zyrtarët ukrainas kishin gozhduar një trevjeçar në një dërrasë druri, në qytetin e Slovyansk-ut.

Nuk ishte e vërtetë, por në histori pas historie, intervistë pas interviste, tweet pas tweet-i, u ngrit një rast duke përdorur histori të rreme: që autoritetet ukrainase ishin të mbështetura nga junta të Perëndimit, se Ukraina ishte shtet i dështuar, një shtet fashist. Gazetarët ukrainas gjurmoheshin dhe kërcënoheshin. “E gjithë media ruse nisi të përshkruajë Maidan-in duke përdorur të njëjtat fjalë dhe të njëjtën perspektivë”, thotë Fedchenko. “Ishte masive.” Ishte sikur një narrativë e porositur të ishte ndezur.

"Në fund të takon ty. Mund të jesh shënjestra e të gjithë këtij aktiviteti, por je edhe butoni i shuarjes".

Instituti i Dialogut Strategjik në Britani është një nga shumë think tank-et që janë përpjekur të qëndrojnë në majë të kuptimit sesi aktivitetet e medias sociale po përdore për të manipuluar politikën. Chloe Colliver, kërkuese në institut, më tregoi se në fushatën e zgjedhjeve të majit për Parlamentin Europian, ISD dhe kolegët në organizatën e komunitetit Avaaz po gjenin rrjete aktive ndikimi nëpër një gamë platformash në Gjermani, Francë, Poloni, Spanjë dhe Britani e që e bënë të dukej krejt i vogël atë që Facebook zbuloi në mars. “Ky është një investim afatgjatë i ingranuar drejt ndryshimit të asaj çka e gjithë popullsia shihte dhe mendonte”, më thotë ajo. “Kultura e kontinentit po kërcënohet nga diçka, prej së cilës nuk ia ka idenë se duhet ta mbrojë veten”.

Ekipi vlerëson se dezinformimi i rrjeteve të së djathtës ekstreme në Francë, Britani, Gjermani, Spanjë, Itali dhe Poloni prodhuan përmbajtje që u pa 750 milionë herë në tre muaj. Në Poloni, llogaritë pro-qeverisë që hiqeshin si pensionistë për të sulmuar mësuesit grevistë, të gjithë të skicuar në të njëjtin arkiv infografikash dhe të lidhura me sajtet e orientuara nga të rinjtë antisemitë.

Një rrjet prej 60 faqesh në Facebook gjithashtu amplifikoi përmbajtje anti-semitike dhe pro-Kremlinit, në vend. Në Gjermani, 200 mijë llogari të rreme në mediat sociale po përhapnin përmbajtje elektorale në mbështetje të partisë së ekstremit të djathtë “Alternative für Deutschland”. Në Itali, një rrjet me më shumë se 2.6 milionë ndjekës shpërndanë informacion anti-emigracion, anti-semitik dhe anti-vaksina. 9.6 milionë votues spanjollë kanë parë dezinformim në WhatsApp. Pesë nga dhjetë llogaritë që përmendnin partinë Brexit në Twitter, shfaqnin aktivitet “robotik”.

Pasojat në botën reale
Krijimi i realiteteve të rreme online mund të çojë në dhunë. Më 2018-n, informacioni i rremë i shpërndarë në median sociale në Nigeri shkaktoi protesta dhe njerëzit sulmoheshin për vdekje me sëpata. Më 2019-n, zërat për rrëmbime të fëmijëve në Francë shkaktuan dhunë kundër komunitetit rom. Në Burma, qindra ushtarë u shtirën si të famshëm dhe heronj kombëtarë në mediat sociale për t’u përmbytur me komente nxitëse ndaj minoritetit Rohingya, duke çuar sërish në dhunë dhe konflikt.

Kjo lloj lufte informacioni është në rritje. Më 2017-n, kërkuesit në Universitetin e Oksfordit e zbuluan se po ndodhte në 28 shtete. Më 2018-n, ishin 48. Natyra e betejës ka ndryshuar. Informacioni nuk përdoret më në luftë. Lufta po zhvillohet brenda informacionit. Qysh prej përfundimit të luftës së ftohtë, ushtritë e demokracive liberale janë bërë më të mëdha, më të financuara dhe më të fuqishme sesa ushtria e kujtdo shtet që do t’u bëjë dëm.

"Nëse informacioni është një teatër lufte, çfarë do të ishte de-eskalimi i tij?"


Rreziqet megjithatë, nuk janë më fizikë. Tanimë, grupe të koordinuara mund të hidhen drejt e në mes të politikës së secilit shtet me prani online. Dhe ky paraqet një problem që asnjë shtet, nuk mund t’i përgjigjet i vetëm. Ndërsa traktate të reja, ligje dhe sanksione janë të tejkaluara për ta kthyer praktikën e lirë, të thjeshtë e pa rrezik të luftës së informacionit në diçka më të rrezikshme dhe të vështirë për autorët e saj, platformat kanë gjithashtu nevojë për të ndryshuar.

Në kërkimin e tyre për hapësira online pa pengesa, të aksesueshme për këdo, gjigantët e teknologjisë kanë krijuar vend ku është shumë më e lehtë për të krijuar informacion sesa për të treguar nëse është e vërtet dhe më e lehtë për të krijuar një identitet të rremë sesa për ta ekspozuar një të tillë. Për ta ndrequr këtë, projektimi i platformave do të duhet të ndryshojë, qoftë në vendosjen e më shumë kontrolleve të identitetit, ngadalësimin e mënyrës sesi qarkullon informacioni, prezantimi i periudhave refraktare apo sfida më të mëdha të llogarive që kanë sjellje të dyshimta. Për shoqëritë që përdorin këto platforma, rritja nuk duhet të jetë më përparësi. Autenticiteti duhet të jetë.

Ndërkohë, shtetet do të vijojnë të godasin në teatrin e informacionit. Brigada e 77-të do të vijojë të rritet dhe çdo ushtri rreth botës do të ndërtojë ekuivalenten e saj, në përpjekje për t’u përballur me kërcënimin. E megjithatë, sfida reale nuk është t’iu bashkohesh garës së armëve por ta shmangësh në tërësi. Nëse informacioni është një teatër lufte, çfarë do të ishte de-eskalimi i tij?

Në fund të takon ty. Mund të jesh shënjestra e të gjithë këtij aktiviteti, por je edhe butoni i shuarjes. Duke u ruajtur ndaj zemëratës, të luftosh kundër dëshirës për të besuar atë që është e leverdishme dhe thjesht të inatosesh më pak rreth asaj çka sheh online, mund të humbësh disa beteja, por mund të ndihmosh për t’i dhënë fund luftës.

Shtatë rregulla për ta ruajtur veten online

  1. Kërko në mënyrë aktive për informacionin që dëshiron, mos e lër të të gjejë vetë! Informacioni që do të të gjejë, nuk është domosdoshmërisht informacioni që dëshiron të gjesh.
  2. Ki kujdes nga “Scroll”-i pasiv. Aty mund të biesh pre e proceseve që mund të vihen në lojë dhe viraleve që mund të marrin forma të ndryshme.
  3. Ruhu nga zemërata. Ajo të rrëmben lehtë dhe të bën veçanërisht të brishtë ndaj manipulimit online. Për më tepër, zemërata jote mund të nxisë zemëratë tek të tjerët, duke e bërë një mjet veçanërisht të fuqishëm.
  4. Ngadalëso online. Bëj pushim para se të shpërndash. Jepi kohë mendimit racional për t’u angazhuar me atë që po lexon.
  5. Shmangu nga matricat që mund të imitohen. Mos i beso diçkaje sepse është popullore, në tendencë apo e dukshme.
  6. Kurrë mos u mbështet vetëm në informacionit, me burim në mediat sociale. Kjo është veçanërisht rasti i pjesëve kryesore të informacionit, si përshembull ku janë qendrat e votimit apo nëse mund të votosh.
  7. Shpenzoje vëmendjen tënde me zgjuarsi: është aseti yt më i çmuar dhe i lakmuar.
  • Carl Miller/ New Scientist

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë