Bota

Evropianët ndjekin me shqetësim zhvillimet në Rusi

Presidenti francez Emmanuel Macron po ndjek nga afër situatën në Rusi, thanë zyrtarët e vendit të tij. Edhe Presidenti i Polonisë zhvilloi konsultime me kryeministrin dhe Ministrinë e Mbrojtjes për situatën në Rusi, ka thënë ai të shtunën, duke shtuar se Varshava po monitoronte situatën pas rebelimit të grupit mercenary Wagner kundër pushtetit të presidentit rus Vladimir Putin.

Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë të shtunën se shteti rus është duke u përballur me sfidën më të madhe të sigurisë në kohët e fundit. “Në orët e ardhshme, besnikëria e forcave ruse të sigurisë dhe sidomos e Gardës Kombëtare të Rusisë, do të jetë kyçe rreth asaj se si do të zhvillohet kriza”, ka thënë ministria britanike përmes një deklarate.

Në adresimin për popullin rus, ky i fundit e ka quajtur akt tradhtie rebelimin e forcave të Wagnerit, por pa i përmendur ata apo liderin e tyre, Prigozhin. Ndërsa ka paralajmëruar ndëshkim.

Instituti i Luftës i SHBA-së beson se kreu i forcave mercenare të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, po synon të detyrojë ndryshim lidershipi brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, por sipas tyre, “nuk ka gjasa të ketë sukses” sepse Kremlini kundërshton veprimin e tij, shkruan BBC.

Megjithatë, çdo përpjekje e Wagnerit për të marrë kontrollin e Rostov-në-Don mund të ketë ndikim në luftën në Ukrainë, sepse Rostovi është shtëpia e komandës ruse të distriktit ushtarak jugor, e cila ka qenë kyçe për përpjekjet luftarake të Rusisë.

Në orët e vona të së premtes, Rusia e ka rritur sigurinë në të gjitha aspektet: e ka kufizuar internetin dhe tanket ushtarake janë parë nëpër rrugët e Moskës.
Prigozhin e ka akuzuar ushtrinë ruse se ka nisur sulme vdekjeprurëse ndaj forcave të tij në Ukrainë – ku trupat e Wagnerit luftojnë përkrah ushtrisë ruse. Moska ka hedhur poshtë diçka të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë