Para

Eurostat: Paratë që emigrantët dërguan në Shqipëri përbëjnë 9.2% të PBB-së

Viti e shkuar Shqipëria priti dërgesa rekord nga emigrantët, sa 9.2% e PBB-së së vendit. Gjithsesi mbetet poshtë mesatares së rajonit që është 10.5%.

Në vlerë, emigrantët shqiptari sollën në atdhe 1.2 mld euro gjatë 2022-shit, rreth 6% më shumë se 2021-shi. Vlera e raportuar nga Eurostat u referohet remitancave të matura si dërgesa apo transferta personale dhe të ardhurave të punonjësve nga puna jashtë vendit. Punësimi jashtë vendit përfshin punësimin sezonal, atë afatshkurtër si dhe të ardhurat e punonjësve ndërkufitarë apo në distancë.

Vendi me varësinë më të madhe nga dërgesat ngelet Kosova, rreth 17.2% të PBB-së. Ndjekur nga Mali i Zi, me 13.3%, Bosnjë-Hercegovina, me 10.2%.

Vijon me diferencë të ngushtë Serbia, në masën e 9% të PBB-së, ndërsa mbyll renditjen Maqedonia e Veriut, me 3.4% të PBB-së.

Vlerësohet se burimi kryesor i remitancave për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Rajonit janë vendet e Bashkimit Europian. Të dhënat e Eurostat tregojnë që Bashkimi Europian është një burim shumë i madh dërgesash për vendet jashtë Unionit.

“RankingRoyals”, një indeks me të dhëna nga Banka Botërore e rendit Shqipërinë në vend të 69-të nga175 të marra në analizë, me 1.8 mld dollarë dërgesa.

Kjo shifër, që mbështetet në të dhënat e BB-së dhe Partneritetin Global për Migrimin dhe Zhvillimin, është shumë më e lartë se çfarë raportoi BSH, rreth 830 mln euro, për të njëjtin vit. Gjithsesi, tendenca është me rritje të ndjeshme për të dy treguesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë