Rend dhe Ligj

Europol arreston 64 shqiptarë

Me mbështetjen e Europol-it u zhvillua një mega-operacion në katër shtete; Belgjikë, Francë, Holandë dhe Itali, ndërsa në përfundim u arrestuan 64 shqiptarë. Sipas Europol-it mafia shqiptare merrej me kultivim dhe trafik kanabisi dhe lëndëve të tjera narkotike, prostitucion dhe pastrim parash. Në operacionin e zhvilluar në dy ditët e fundit morën pjesë mbi 600 oficerë policie, ndërsa hetimet zgjatën disa muaj. 55 persona u arrestuan në Belgjikë, duke përfshirë drejtuesit, 7 në Holandë dhe 2 të tjerë në Francë në këtë hetim të udhëhequr nga Belgjika në bashkëpunim me Francën, Holandën, Italinë dhe Britaninë e Madhe.

Akuzat për mafien shqiptare


Të arrestuarit kultivonin dhe trafikonin kanabis, trafikonin qenie njerëzore për prostitucion, ndërsa akuzohen edhe për pastrim parash. Bandat vepronin në Belgjikë, Francë, Holandë, Itali dhe Britani të Madhe. Të dyshuarit besohet se kanë menaxhuar shumë plantacione kanabisi të shpërndarë në të gjithë Belgjikën dhe në veri të Francës. Disa të tjerë janë përfshirë gjithashtu në një rast të trafikimit të qenieve njerëzore në Francë. Në ditën e ndërhyrjes, gjashtë ekspertë të Europol-it u vendosën në Belgjikë, Francë dhe Holandë për të lejuar shkëmbimin e informacionit në kohë reale, kontrollet e të dhënave të si dhe sigurimin e mbështetjes teknike. Gjatë operacioneve janë bërë mjaft sekuestrime.

Europol: Do të ketë tjera goditje për krimin shqiptar


Policia evropiane (EUROPOL)  thekson në njoftim se goditja e bandave shqiptare në Europë do të vijojë me operacione të tjera në të ardhmen e afërt. "Krimi i organizuar shqiptar vazhdon të mbetet një shqetësim për vendet në Evropë. Në mars, ekspertët mbi krimin shqiptar u mblodhën në selinë qendrore të Europol në Hagë për të diskutuar mënyrat për t'i trajtuar më mirë këto klane të dhunshme të mafias. Operacionet e mëtejshme të këtij lloji pritet të ndodhin në të ardhmen e afërt" thuhet në njoftimin e Europol-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë