Futboll

“European Premier League” ka futur në “luftë’’ FIFA-n dhe UEFA-n

Sipas Sky News britanik, dy gjigantët e Premier League, Liverpool dhe Manchester United, janë në krye të ekipeve që po shtyjnë për organizimin e asaj që mund të mbajë emrin “European Premier League”. Edhe klube të tjera angleze si Chelsea, Arsenal e Tottenham janë gati t’i bashkohen nismës së bujshme.

Paralelisht po zhvillohen negociata edhe me klube europiane, për t’i përfshirë edhe ato në grupin e skuadrave që do të themelojnë këtë ligë, përfitimet nga e cila pritet të jenë tejet të mëdha për pjesëmarrësit. Turneu mund të ketë të paktën 12 ekipe të ftuara, ku radhiten ato më të njohura të vendeve si Spanja, Anglia, Italia, Gjermania dhe Franca, një mini kampionat kontinental ku pasi të takohen të gjitha dy herë, do të zhvillohej një play-off me përballje direkte.

Fondet nuk mungojnë, të garantuara sipas mediave nga një kolos i financës si JP Morgan, e cila thuhet se ka gati një paketë prej 5 miliardë eurosh, dhe që do të shumëfishoheshin sipas parashikimeve nga të drejtat televizive nga e gjithë bota. Më të mirat në renditjen e kampionatit mes këtyre klubeve, do të zhvillonin më pas një fazë Play Off-i për të shpallur fituesin, shpërblimi për të cilin synohet të shkojë në qindra milionë euro. Formati i ri pritet të zëvendësojë Ligën e Kampionëve që operon aktualisht dhe mund të nisë funksionimin që nga vera ne 2022-shit, ndërsa promovuesit e “Premier Leagues Europiane” kanë nisur punën për të përfshirë sa më shumë klube në rrugën e tyre.

Nuk mungojnë pengesat, dhe ajo më e madhe vjen pikërisht nga UEFA, që është totalisht kundër një turneu me ftesa që do rrezikonte Champions League. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i UEFA-s, nëpërmjet presidentit të saj Alexander Ceferin, i cili u shpreh plotësisht kundër kësaj nisme, duke theksuar se shkel parimet e qeverisë europiane të futbollit.

Alexander Ceferin

"E kemi theksuar vazhdimisht se jemi kundër idesë së krijimit të një Super Lige Europiane. Parimet e solidaritetit dhe të konkurrencës së hapur për të gjithë, janë të panegociueshme dhe pikërisht kjo është ajo që e bën futbollin europian të funksionojë dhe e bën Ligën e Kampionëve garën më të mirë në botë. UEFA dhe klubet impenjohen për të përmirësuar këtë forcë që kemi në dorë dhe jo ta minojmë me një Super Ligë që do të ishte e mërzitshme", u shpreh Ceferin.

Në të njëjtën linjë me kreun e UEFA-s, madje edhe më i ashpër ishte edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili e quajti këtë si një "ide e lindur nga një mendje injorante", që nuk ka aspak njohuri mbi funksionimin e këtij tregu. "Autorët e kësaj ideje, nëse ekziston vërtetë një e tillë, jo vetëm tregojnë injorancë totale mbi organizimin dhe traditën e futbollit europian e botëror, por një injorancë totale edhe mbi tregun e të drejtave televizive. Një projekt i tillë do të thotë dëm serioz ekonomik për vetë organizatorët dhe ata që e financojnë. Me siguri kjo ide ka lindur në ndonjë bar kafe, në orën 5 të mëngjesit, pasi e shoh si janë bërë llogaritë", u shpreh Tebas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë