Futboll

Europa League / Sevilla likuidon Romën, mësohen çiftet çerekfinaliste (VIDEO)

Pas përfundimit të ndeshjeve të fundit në “Uefa Europa League”, janë mësuar edhe skuadrat e radhës që sigurojnë kualifikimin në çerekfinalet e këtij kompeticioni. Ata janë Sevilla, Bayer Leverkusen, Basel dhe Wolverhampton që i bashkohen Interit, Copenhagenit, Manchester United dhe Shakhtar Donetsk.

Në orën 19:00 u luajtën dy takime e para, të vlefshme për 1/8 e kompeticionit. Sevilla-Roma ishte ndeshja më e fortë këtij rundi. Sfida teke u luajt në “Schauinsland-Reisen-Arena”, stadiumin e Duisburg në Gjermani. Andaluzianët, që janë rekordmenët e Europa League (e kanë fituar 5 herë), triumfuan me rezultatin 2-0. Të dy golat u realizuan në pjesën e parë. Ndeshja u dominua bindshëm nga Sevilla, ndërsa verdhekuqtë e mbyllën me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuqe të Mancinit. Takimi u zhbllokua në minutën e 22-të me ish-lojtarin e Real Madridit Reguilon . Në fundin e pjesës së parë goditjen përfundimtare Romës ia dha En Nesyri, që përmbylli me sukses një kundërsulm të shpejtë të ekipit spanjoll. Roma nuk gjeti forca për të reaguar në pjesën e dytë, duke mos kërcënuar portën e portierit Bono, i cili në shumicën e ndeshjes bëri rolin e spektatorit.

https://streamable.com/jdvk9l

Në turin tjetër ka kaluar pa shumë probleme Bayern Leverkusen. Ekipi gjerman mposhti 1-0 Glasgow Rangers në takimin e kthimit, që u zhvillua në “BayArena” të Leverkusenit dhe me rezultat të përgjithshëm 4-1 kalon në fazën tjetër. Goli i vetëm u shënua nga Moussa Diaby në minutën e ’55-të. Leverkusen e pret një provë e vështirë në çerekfinale, aty ku do të ndeshjet me Interin e Antonio Contes.  

Baseli i Taulant Xhakës dhe Wolves janë dy skuadrat e fundit të kualifikuara në çerekfinalet e Europa League, ku do të përballen respektivisht me Shakthar Donetsk dhe Sevillan. Në fakt, skuadra zvicerane thuajse e kishte siguruar kualifikimin që në takimin e parë me Eintracht Frankfurtin, të cilin e kishte mposhtur 3-0 në transfertë, kështu që në takimin e kthimit të zhvilluar në “St. Jakob-Park” administroi rezultatin e ndeshjes së parë. Goli i fitores u shënua dy minuta përpara fundit të ndeshjes nga Fabian Frei.

Në çerekfinale vazhdon edhe surpriza Wolverhampton, e cila mundi 1-0 Olympiacosin. Sfida e zhvilluar në “Molineux Stadium” të Wolverhamptonit, ishte e mbushur me emocione dhe raste të shumta, ku një gol i shpejtë i realizuar nga Jimenez rezultoi vendimtar në kualifikimin e “ujqërve”, të cilët kishin barazuar 1-1 në sfidën e parë të zhvilluar në fushën e skuadrës greke. Sulmuesi meksikan shndërroi në gol një penallti në minutën e tetë dhe “Ujqit” e ruajtën avantazhin deri në fund, ku e pret një përballje shumë e vështirë kundër Sevilla.

Ndeshjet çerekfinale

1 Shakhtar Donetsk – Basel  11 gusht

2. Manchester United – Copenhagen 10 gusht

3. Inter – Bayer Leverkusen 10 gusht

4. Wolverhampton – Sevilla 11 gusht

Ndeshjet gjysmëfinale

Fituesi 4 – Fituesi 2 17 gusht

Fituesi 3 – Fituesi 1 18 gusht


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë