Futboll

Europa League/ Inter dhe Mancheter United, dy gjysmëfinalistët e parë (video)

Inter dhe Manchester United janë dy gjysmëfinalistët e parë të Europa League të këtij edicioni. Të dy ekipet u kualifikuan pas ndeshjeve të luajtura në Gjermani, që nisën fazën “Final 8” të turneut. Inter fitoi 2-1 përballë Bayer Leverkusen, ndërkohë që Manchester United mposhti me rezultatin 1-0 Copenhagen.

https://streamable.com/q38ts3

Për zikaltërit ishte një sfidë aspak e lehtë, e vendosur nga i zakonshmi Lukaku, që në fakt mund të kishte shënuar 3 gola, por VAR i hoqi dy penallti të akorduar fillimisht nga arbitri. Nicolo Barella zhbllokoi sfidën pas çerek ore loje. Mesfushori italian goditi bukur me të jashtmen, duke mposhtur portierin e ekipit gjerman. Në minutën e 21-të ishte momenti i Romelu Lukaku që dyfishoi shifrat për nënkampionët e Italisë. Në minutën e 24-të Havertz realizoi golin e vetëm për Leverkusen që nuk ishte në gjendje të përmbyste rezultatin edhe pse luajti më mirë në pjesën e dytë.  Inter do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e takimit Basel-Shakhtar Donetsk.

Ndërkohë, Djajtë e Kuq vuajtën më shumë se sa mund ta kishin menduar përballë një kundërshtari modest, si danezët e Copenhagen. 90 minutat e kohës së rregullt nuk prodhuan asnjë gol, por iu desh një gol me penallti i të zakonshmit Bruno Fernandes për t’u kualifikuar më tej vetëm falë kohës shtesë.

https://streamable.com/js1vu5

Me këtë gol portugezi ngjitet në krye të golashënuesve të Europa League me 7 gola. Mbaron në këtë mënyrë ëndrra e ekipit danez, që ndalet në çerekfinale, ndërsa Manchester do të presë fituesin e çiftit Sevilla-Wolves.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë