Ne rrjet

Eurodeputeti ngre shqetësim për lidhjet ruse të Serbisë si vend kandidat

Eurodeputeti holandez, Malik Azmani i kërkon Komisionit Europian që të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë për t’u shkëputur nga lidhjet me Rusinë. Azmani i drejtohet Komisionit përmes dy pyetjeve, ku i kujton votën e Serbisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që mbështet aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë.

Rezoluta dënon aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë dhe i kërkon Moskës që të tërheqë trupat e saj ushtarake nga ky territor dhe të njohë sovranitetin e Ukrainës mbi gadishullin. Rezoluta u miratua edhe me votën e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Duke patur parasysh këtë qëndrim të bashkuar të BE-së, Azmani i kërkon Komisionit se çfarë qëndrimi do të mbajë për Serbinë, qëndrimet e së cilës si kandidate për anëtarësim bien ndesh me qëndrimet e unionit.

“Ky qëndrim i Serbisë ngre pikëpyetje të mëdha nëse interesat e saj janë në përputhje me standardet dhe vlerat e BE, apo me ato të Rusisë. A ka një shpjegim Komisioni për këtë votë kundër rezulotës nga ana e Serbisë dhe a është ky qëndrim në linjë me statusin e vendit kandidat”, thotë Azmani.

Eurodeputeti holandez, që është pjesë e grupit parlamentar “Renew Europe” thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për votën kundër rezolutës, por janë një sërë qëndrimesh të Beogradit që bien ndesh me interesat e Bashkimit Europian, që nga blerja e armëve ruse, e deri tek shndërrimi në një bazë kryesore për spiunazhin rus në rajon dhe Perëndim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë