Politike

Eurodeputeti grek takon Fredi Belerin në burgun e Fierit

Pasi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e konfirmoi si pjesë të listës se kandidatëve të partisë “Demokracia e Re” për zgjedhjet europiane, Fredi Beleri është vizituar në burg nga një zyrtar i lartë grek.

Kreu i Komisionit të Asociim – Stabilizimit në BE, Manolis Kefalogianis u ndal  pas festës së Pashkës ortodokse në IEPV e Fierit, duke vizituar në qeli bashkëkandidatin e tij, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.

Në këtë takim me Belerin, Kefalogianis është shoqëruar edhe nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Në përfundim të takimit, në emër të eurodeputetit grek për mediat foli Dule, i cili tha se kjo vizitë është dëshmi e interesimit të politikës greke për këtë çështje.

"Në kuadër të ditëve të festës së madhe të Pashkësh ortodokse, vizituam sot së bashku me eurodeputetin Kefalogianis, kryetarin e bashkisë së Himarës, mikun tonë, kandidatin për eurodeputet Freid Belerin. Ishte vizitë për të shkëmbyer urime dhe për të dëshmuar vazhdimin e përpjekjes sonë, në vendin tonë por edhe në Europë për gjetjen e së vërtetës dhe të drejtës. Kefalogianis është e katërta herë që po viziton zotin Beleri, dëshmi kjo e interesit të vazhdueshëm në nivele europiane për këtë çështje drejtësie të papranueshme, në shkelje flagrante të shtetit të së drejtës dhe mëvetësisë së pushtetit vendor në vendin tonë që janë bërë objekt shkeljesh në rastin e Fredi Belerit", tha Dule.

Nga ana e tij Kefalogianis nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë