Treg

Euro vazhdon të lëkundet në ujëra të turbullt në tregun vendas, leku fiton pikë

Teksa në tregun ndërkombëtar euro ka fituar pikë ditën e martë dhe e ka nisur të mërkurën pozitivisht (1 euro-1.1328$), në tregun vendas monedha e përbashkët europiane ka patur një nga ditët më të dobëta të saj.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është shkëmbyer të martën me 121,90 lekë duke rënë me 0,11 pikë nga dita e hënë.
Sot, të mërkurën sipas të dhënave të bankave të nivelit të dytë një euro këmbëhet me 121,70 lekë duke rënë 0,2 pikë nga dita e djeshme.


Pas luhatjeve të muajit maj, qershori ka nisur po me rënie për monedhën e përbashkët europiane.

Por jo vetëm euro po humb terren në tregun valuator të brendshëm. Forcimi i lekut është reflektuar edhe në raport me monedhat e tjera të huaja; dollari amerikan këmbehet sot 107,3 lekë duke rënë me 0,4 pikë nga dita e djeshme. Po ashtu edhe paundi britanik e franga zvicerane.

Monedha europiane rezulton të ketë humbur mbi 2 pikë që prej fillimit të 2019.
Ekspertët parashikojnë që rënia e saj do të vazhdojë, edhe për shkak të sezonit turistik, kur dihet që mbi 90% e turistëve, ose vijnë nga Eurozona, ose përdorin euron.
Ky është niveli më i ulët që nga janari i vitit 2009, kur euro e hapi vitin në kuotat e 123-124 lekëve, por më pas u rrit, për të arritur në nivelin rekord në mes të vitit 2011, kur arriti në 142.6 lekë.

Mandej, euro mbeti në nivele të qëndrueshme për gati gjashtë vite me radhë, duke u këmbyer midis 139 dhe 140 lekëve.
Rënia nisi në gjysmën e dytë të vitit 2016 dhe ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme, duke u përshpejtuar në muajt e parë të këtij viti.

Disa ekspertë të këmbimeve valutore mendojnë se arsyeja kryesore mbetet oferta e lartë për valutë që vjen nga kanalet formale (remitancat, investimet, eksportet e mallrave dhe shërbimeve, turistët), ato informale (paratë ilegale që futen kryesisht në punë përmes ndërtimit), si dhe ndikim të dukshëm në luhatjet e forta kanë pasur transaksionet për konvertimin e kapitalit të bankave.

Ekspertë të tjerë e shohin dobësimin e euros në tregun vendas të lidhur me faktorë të jashtëm, tregun ndërkombëtar.

Por euro po përjeton ditë relativisht të mira në tregun ndërkombëtar. Sipas ekspertëve të huaj, rritja e pritshmërive për uljen e normës së Fed (Banka Federale Amerikane) në qershor apo korrik ndoshta po e prevalojnë euron ndaj dollarit. Megjithatë, fitimet ka të ngjarë të kufizohen sipas një sondazhi të ri të Eurozonës, i cili tregon se morali i investitorëve pritet të përkeqësohet ndjeshëm në qershor, duke rënë shumë nga pritshmëritë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë