Para

Euro rifiton terren, këmbehet me 105 lekë

Nga Gazeta ‘Si’- Euro ka rikuperuar disa pikë kundrejt monedhës shqiptare gjatë javës dhe dje(16 gusht) u këmbye sipër nivelit të 105 lekëve për herë të parë që nga fundi i korrikut.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u rrit me 1.26 lekë që nga fundi i javës së kaluar por sot ka shënuar një rënie të lehtë me 0.06 pikë

Megjithatë, nuk ka zbritur poshtë nivelit të 105 lekëve.

Forcimi i Euros ka shtyrë në rritje edhe kursin e valutave të tjera.

Dollari Amerikan këmbehet sot me 96.67 lekë lekë, në rritje me 1.70 lekë që nga fundi i javës së kaluar ndërsa Paundi Britanik këmbehet me 122.88 lekë. Edhe për Paundin, njëlloj si për Euron, bëhet fjalë për vlerën më të lartë që nga data 28 korrik.

Pas mesazheve të dhëna nga Banka e Shqipërisë në fillim të këtij muaji, kursi i Euros u duk lehtësisht më i stabilizuar, duke qëndruar për disa ditë në nivelet e 103-104 lekëve.

Sipas të dhënave nga tregu, rritja ka ndodhur sepse Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë duke blerë euro dhe njësoj edhe bankat tregtare.

Në fund të kësaj jave, Banka e Shqipërisë do të zhvillojë ankandin e dytë të blerjes së valutës për muajin gusht. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë është 5 deri në 9 milionë euro.

Ndonëse sezoni veror ndikon gjithmonë në zhvlerësimin e monedhave të huaja për shkak të flukseve turistike, ky zhvlerësim pati nisur që në fillim të vitit, aspak e zakontë.

Banka e Shqipërisë nuk parashikon stabilizim të kursit deri në përfundim të sezonit veror, ndonëse thekson se flukset janë të paparashikueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë