Para

Euro mbyll javën në rënie, tregtohet me 106 lekë

Nga Gazeta ‘Si’-Euro nuk arrin ta marrë veten dhe të krijojë qëndrueshmëri në tregun e brendshëm.

Monedha europiane e mbylli sërish javën në rënie.

Ditën e djeshme (e premte, 29 shtator) një euro u këmbye me 106 lekë, duke rënë me 0.10 pikë kundrejt një dite më parë.

Euro, shoqëruar edhe nga monedhat e tjera të huaja, patën një javë korrigjimi dhe po rifitonin pikë ndaj lekut, por kjo nuk zgjati.

Dollari amerikan u tregua në kufirin e 100 lekëve me një rënie prej 0.90 pikësh. Edhe paundi britanik ra me 0.49 pikë duke u këmbyer me 123.13 lekë.

Në korrik, euro preku kufirin e 1=100 lekëve, por gushti, që ka edhe më shumë fluks turistësh, e përmirësoi. Turizmi përmendet si faktor kryesor i zhvlerësimit të monedhës europiane, por rritjet e shpeshta të euros brenda pak ditëve e vënë në dyshim këtë argument.

Ekspertë të fushës kanë folur për spekulim të qëllimshëm të kursit të këmbimit dhe për masë të parasë informale.

Për ekspertët e BSH-së, ky është kursi i ri i këmbimit dhe nuk ka gjasa që të rikthehet në nivelet e mëparshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë