Para

Euro forcohet sërish, prek nivelin më të lartë në dy muaj

Nga Gazeta ‘Si’ - Euro ka rifituar sërish terren kundrejt lekut duke u këmbyer sot (23 gusht) me 107.63 lekë, niveli më i lartë në dy muaj.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, kursi i Euros është rritur me 1.61 lekë nga dita e djeshme ndërsa nga 20 korriku ku u barazua me lekun, rritja është me 7.1%.

Forcimi i Euros ka shtyrë në rritje edhe kursin e valutave të tjera.

Dollari Amerikan ka prekur nivelin më të lartë që nga data 7 qershor dhe po i afrohet kufirit të 100 lekëve duke u këmbyer sot me 99.48 lekë, në rritje të fortë me 2.21 lekë brenda një dite.

Edhe Paundi Britanik preku nivelin më të lartë që nga qershori, në kuotën e 125.97 lekëve.

Edhe në parashikiminGazetasi.al bëri për bursat në fillim të javës, konstatoi se trendi i euros do të ishte në rritje.

Sipas të dhënave nga tregu, rritja ka ndodhur sepse Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë duke blerë euro dhe njësoj edhe bankat tregtare.

Ndërsa referuar Bankës së Shqipërisë, forcimi i lekut kundrejt euros ka ardhur kryesisht si rezultat i shtimit të flukseve valutore hyrëse, veçanërisht nga turizmi. Por ndonëse sezoni veror tipikisht ndikon në zhvlerësimin e monedhave të huaja, ky zhvlerësim pati nisur që në fillim të vitit.

BSH-ja nuk parashikon stabilizim të kursit deri në përfundim të sezonit veror, ndonëse thekson se flukset janë të paparashikueshme.

Ndërkohë, forcimi i Euros për momentin po lehtëson eksportuesit, që këtë vit kanë pësuar humbje të konsiderueshme si rezultat i kursit të këmbimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë