Treg

Euro e paqëndrueshme, pas rritjes e mbyll javën në rënie

Monedha e përbashkët europiane e ka mbyllur javën në rënie.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë ditën e premte më datën 30 gusht një euro është këmbyer me 122, 12 lekë duke rënë me 0,04 pikë nga dita precedente.
Kur u mendua se monedha euro po niste të rimëkëmbej në tregun vendas, ajo nisi sërish tatpjetën duke e sjellë tregun sërish në gjendje konfuze.

Agjentët e këmbimit valutor nuk arrijnë dot më të shpjegojnë sjelljet e euros në treg apo anasjelltas.

Ndërsa ekspertët kanë qasje të ndryshme; disa syresh mendojnë se luhatja e euros në tregun vendas ndikohet nga tregu ndërkombëtar, pasi parashikimet për ekonominë globale flasin për një ngadalësim të ritmeve të rritjes për këtë vit, po ashtu një ndikim të fortë ka lufta tregtare SHBA-Kinë, pasiguaria e BREXIT dhe trazirat politke në Itali. Një kategori tjetër ia faturon sezonit luhatjen e euros, kurse bizneset eksportuese dhe një pjesë tjetër e ekspertëve mendojnë se rënia drastike e euros dhe mosardhja e vlerës së saj në qëndrueshmëri nuk mbështetet më në faktorë tregu. Sipas tyre, Banka e Shqipërisë duhet të analizojë arsyet, të japë llogari dhe të ndikojë në treg për të zgjidhur situatën.

Euro prej gati tre vjetësh nuk ngre kokë në tregun vendas dhe vlera e saj shfaqet shumë e luhatshme.

Gjatë muajit gusht euro është luhatur mes 120 dhe 121 lekëve.

Në tregun e këmbimit valutor vendas, të martën euro nisi të forconte pozitat në raport me lekun.

Monedha e përbashkët shënoi rritje në tregun vendas, pas rënies që ajo pësoi në fillim të gushtit, duke reflektuar sipas disa ekspertëve fundin e efekteve sezonale.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye të martën me 121.49 lekë, ose 0,23 lekë më shumë se një ditë më parë.

Po ashtu edhe dy ditët pasardhëse euro nisi të reflektonte një trend rritës. Ditën e mërkurë një euro u këmbye në tregun vendas me 122,03 lekë. Po ashtu edhe ditën e enjtë euro u këmbye në rritje me 122,16 lekë. Kjo rritje nuk zgjati se javën euro e mbylli me 0,04 pikë rënie.

Ekspertët e tregut u shprehën se, fundi i muajit gusht tradicionalisht shoqërohet me zhvlerësim të monedhës vendase, për shkak të përfundimit të efekteve të sezonit veror.

Sipas tyre, euro do të vijojë të jetë më e qëndrueshme, ndërsa nga fundi i dhjetorit, rifillimi i efekteve sezonale, me ardhjen e emigrantëve, përgjithësisht i zhvlerëson valutat.

Që nga fillimi i vitit deri në 27 gusht, kursi mesatar i euros ka qenë 123.3 lekë, nga 127.6 lekë që është mesatarja e 2018-s, me një nënçmim prej 4.3 lekësh.
Ecuria e euros dhe efektet sezonale mbi të do të vërehen gjatë muajit shtator.

 

Më Shumë