Para

Euro apo leku po flet me veten ?

Sabina Veizaj - Euro vazhdon rënien në tregun e brendshëm dhe asnjë nga institucionet nuk ka dhënë deri më tani arsyet e destabilizimit të tregut të kursit të këmbimit valutor për një kohë kaq të gjatë.

Ylli, zotërues i një agjencie të këmbimit valutor në zonën e Ish Bllokut thotë se ndjek Bursën Ndërkombëtare dhe kjo rënie nuk është reale. “Nuk punojmë vetëm me Bankën e Shqipërisë si referencë, por edhe me Bursën Ndërkombëtare. Nuk i dimë ende arsyet dhe se sa do të vazhdojë, por shpresojmë të jetë momentale”
Kurse Agimi, i cili punon prej shumë vitesh në këtë sektor thotë se “data 20 është afati për të paguar detyrimet e taksave, sipërmarrësit prekin rezervat e tyre valutore për të paguar detyrimet në shtet”

Por kurba e grafikut të këmbimit të euros në lekë prej 5 qershorit ku euro pati rënien më të madhe në 10 vite në 124, 17 lekë, është një trajektore e luhatshme që nuk i kalon 126 lekët, me përjashtim kur në treg ndërhyri Banka e Shqipërisë.

Tek tregtarët e valutës përpiqen të aludojnë arsyet e vërteta dhe të mbajnë shpresën në një tjetër ndërhyrje të mundshme të Bankës së Shqipërisë në treg. Euro është këmbyer të mërkurën me 124.54 lekë me një rënie -0.01 pikë nga dita parardhëse. Por luhatjet e saj në treg janë të vazhdueshme dhe larg kuotës së të njëjtës periudhë të një viti më parë kur euro shkëmbehej me 133, 63 lekë.

I ndodhur dy ditë më parë në Kuvend për të komentuar projektbuxhetin 2019, Guvernatori Sejko nuk foli për një ndërhyrje të mundshme në treg për të blerë euro, por u shpreh se mbiçmimi i lekur është tregues pozitiv për ekonominë.

Por Alban Zusi i Qendrës së Eksporteve shqiptare mendon se Qeveria dhe banka e Shqipërisë duhet të japë urgjentisht sqarime për situatën sepse ekonomia po rrezikon më shumë se kurrë nga rënia e euros.

Ai i kërkon Qeverisë të ngrejë një komision të posatshëm nga të gjithë sektorët: BSH, Ministritë e linjës, SHISH, Polici, biznese që të kuptohet sipas tij se nga cilët faktorë vjen rënia e euros; “është për shkak të pastrimit të parave, faktorë strategjik, apo çfarë?”- thotë Zusi.

Në fakt Bizneset e eksporteve që prej fillimit të rënies së euros në muajin qershor të këtij viti janë detyruar ti rrisin çmimet me 7 % dhe tani sqaron Zusi, nuk ka më hapësirë për një rishikim të mundshëm të një rritjeje tjetër të çmimeve pasi klientët mund të largohen.

Ai thotë se norma e fitimit në krahasim me kur euro kushtonte 140 lekë ka rënë 70-80 %.
“Ekonomia po shkatërrohet. Biznesi ynë është keq e më keq se në çdo kohë me rënien e vazhduar të euros.”

Të shqetësuar për situatën deputetët në Komisionin e Ekonomisë dy ditë më parë e pyetën guvernatorin Sejko mbi mundësinë e kalimit të përdorimit nga leku në euro, por guvernatori u shpreh tërësisht kundër duke paralajmëruar impakt negativ.
Ndërsa muaj më parë Sejko shpalli strategjinë e deuroizimit ose uljen e përdorimit të monedhës euro në treg.

Që prej 18 majit dhe deri në 5 qershor, kur euro vetëm binte në tregun e brendshëm, monedha e përbashkët kishte humbur 3.15 lekë.

Prandaj Sejkos u shpreh atëherë se blerja e eurove synon që të mos lejojë rënien e mëtejshme të monedhës europiane ndaj lekut, pasi kjo do të kishte pasoja negative për ekonominë.

“Mbiçmimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i kursit të këmbimit do të dëmtonte kthimin e inflacionit objektiv në afat mesëm. BSH vlerëson se qëndrimi në politikën aktuale mbetet e përshtatshme”,

Dhe në datën 5 qershor Bankës së Shqipërisë iu desh të ndërhynte urgjent në tregun valutor duke blerë 13,9 milion Euro për të frenuar rënien e mëtejshme të monedhës së përbashkët.

Operacionet financiare kanë vazhduar edhe më pas, nga 6 qershori deri në fund të muajit Banka Qendrore ka blerë plot 51.4 milionë euro të tjera nga bankat e nivelit të dytë për të stabilizuar situatën me kursin këmbimit.

Deri para se të ndërhynte në treg, Banka e Shqipërisë ka mbajtur qëndrimin se zhvlerësimi i euros ndaj lekut ishte rezultat i fuqizimit të ekonomisë shqiptare.

Më pas Guvernatori e korrektoi këtë qëndrim duke deklaruar se veç përmirësimit të ekonomisë kursi është ndikuar dhe nga faktorë të tjerë të përkohshëm, kryesisht psikologjik.

Ndërsa, gjashtë muaj pasi euro vazhdon të luhatet në treg dhe nuk është larg nivelit të euros kur Banka e Shqipërisë u shqetësua dhe ndërhyri për herë të parë duke blerë euro, Sejko rikthehet sërisht tek qëndrimi i mëparshëm se mbiçmimi lekut është tregues i fuqizimit të ekonomisë së vendit.

Por nuk mendon kështu FMN. Në deklarimet e saj të martën, misioni i saj në Shqipëri deklaroi se kursi i këmbimit është një nga faktorët nga të cilët rritja e ekonomisë rrezikohet.

Teksa bizneset që operojnë drejtpërdrejt me monedhën euro ka ndezur alarmin dhe përkeqësojnë parashikimet e tyre për ekonominë, mbetet veç të presim ...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë