Futboll

Euro 2020/ Boris Xhonson fton UEFA-n: Të gjitha ndeshjet në Angli

Në fillim Europiani dhe pastaj Botërori. Falë planit për vaksinimin në Britaninë e Madhe, kryeministri Boris Xhonson kandidon Anglinë për zhvillimin e të gjitha ndeshjeve të Europianit të verës. Ai hedh gjithashtu hipotezën për organizimin e Kupës së Botës në vitin 2030, bashkë me Irlandën.

Sipas kalendarit aktual të UEFA-s për Europianin, Londra do të presë dy gjysmëfinale në “Wembley” dhe finalen e 11 korrikut. Por Xhonson, që hedh edhe kandidaturën për Botërorin e 2030-ës, e ka futar UEFA-n të marrë në konsideratë shpërndarjen e ndeshjeve në këtë periudhë pandemie. Ai ka përmendur gjithashtu shpejtësinë, me të cilën Britania e Madhe ka vaksinuar më shumë se 21 milionë persona.

Stadiumi "Wembley", ku do luhen 3 ndeshje të Europianit. Gazeta Si, 2 mars 2021

"Çdo lloj ndeshjeje, ne jemi gati ta mirëpresim, - ka thënë kryeministri anglez për tabloidin “Sun”. – Jemi shumë të vendosur që të organizojmë Botërorin në 2030-ën. Mendoj se jemi vendi i duhur. Anglia është shtëpia e futbollit dhe 2030-a është viti i duhur. Do të ishte diçka fantastike për gjithë vendin”.

Nga fillimi i 2021-shit, Britania e Madhe është në karantinë dhe masat shtrënguese, edhe pse në forma më të lehta, do të mbeten në fuqi të paktën deri në mes të qershorit. Më pas, kryeministri Boris Xhonson ka bërë me dije se do të hapë stadiumet dhe tifozët mund të rikthehen pikërisht në momentin e Europianit.

Sipas planit fillestar, Europiani i kësaj vere do të organizohet në 11 qytete të ndryshme të kontinentit. "Për momentin, nuk ka asgjë konkrete, por UEFA e di mirë se, nëse dëshiron të spostojë ndonjë ndeshje këtu, ne jemi gati”, - ka përfunduar Xhonson.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë