Euro Retro

EURO 1988, Van Basten dhe pushtimi holandez

Euro 1988 mbahet mend nga shumica e tifozëve të futbollit për shumë arsye të ndryshme. Përfaqësuesja franceze e vitit 1984, e udhëhequr nga një gjeni si Michel Platini, u bë ekipi i tretë në historinë e Kampionatit Evropian që nuk arriti të mbrojë trofeun, pasi Les Bleus nuk arritën të kualifikoheshin për edicionin e vitit 1988 të zhvilluar në Gjermaninë Perëndimore.

Pasi mungoi në tre turnetë e fundit të mëdhenj, Holanda kishte bërë kthimin e shumëpritur me një ekip shumë të ngjashëm me ekipin e Johan Cruijff në vitet 1970. Këtë herë ishte futbollisti më i mirë në Evropë në atë kohë, Marco van Basten, i cili mori stafetën nga bashkatdhetari i tij legjendar, duke kërkuar t'i japë fund thatësirës së Oranje në përpjekjen e katërt. Një rikthim konkurrues nga holandezët pritej gjithashtu të ringjallte rivalitetin e rrënjosur thellë midis tyre dhe Gjermanisë Perëndimore, me këtë të fundit si favoritë për të fituar Evropianin.

Turneu i vitit 1988 shënoi gjithashtu fundin e ekzistencës së disa superfuqive të futbollit që kishin qenë pjesë e hartës historike të futbollit për dekada. Në fund të viteve 1980, Evropa ishte në prag të ndryshimeve të mëdha politike që do të çonin në një ndarje të rajoneve gjeografike disa vite më vonë. Si pasojë, Euro 1988 ishte turneu i fundit ndërkombëtar në të cilin morën pjesë ekipet kombëtare të Gjermanisë Perëndimore, Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, pasi ribashkimi i Gjermanisë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë zhdukën këto ekipe kombëtare në fillimin e viteve 1990. Bashkimi Sovjetik u zhbë në 15 shtete të ndryshme, kurse Jugosllavia u nda në gjashtë shtete.

Ekipet Pjesëmarrëse

E vetmja që ishte shpallur dy herë kampione e Evropës në 7 edicionet e deritanishme të turneut, më në fund Gjermania Perëndimore ka shansin të organizojë kampionatin e tetë në histori. Por, një vit përpara rënies së Murit të Berlinit, do të ishte Holanda e Van Bastenit ajo që do të ngrinte trofeun e parë në Mynih. Në stolin e skuadrës rikthehej Rinus Michels. Të ndara në pesë vazo, 32 shtete Evropiane morën pjesë në shtatë grupe për të caktuar shtatë finalistët e Evropianit. EURO 1988 u organizua në Gjermaninë Perëndimore, dhe ky shtet automatikisht u kualifikua për në atë Evropian. Shtatë shtetet tjera do të ishin fitueset e grupeve në kualifikuese.

Gjermania Perëndimore organizoi Evropianin në tetë qytete të ndryshme, duke hapur frymën e EURO-ve në gjithë shtetin. Formati ishte i njëjtë me atë vitit 1984. Tetë skuadrat ishin të ndara në dy grupe me nga katër. Dy më të mirat e grupeve kalonin tutje dhe luanin mes vete në gjysmëfinale. Fituesi i grupit 1 ndeshej me të dytin e grupit 2, dhe fituesi i grupit 2 ndeshej me të dytin e grupit 1.

Pasi humbën ndeshjen e parë në grup ndaj sovjetikëve, “tulipanët” do të kualifikoheshin në gjysmëfinale pasi mundën Anglinë 3-1 (falë tripletës së heroit Marko Van Basten) dhe Irlandën 1-0. Për shumicën e tifozëve holandezë, finalja e këtij Evropiani nuk ishte ajo ndaj Bashkimit Sovjetik, të cilën e fituan me rezultatin komod 2-0, por gjysmëfinalja me organizatorët. Ishte dhe një hakmarrje për finalen e humbur në Botërorin e 1974-ës, i cili u luajt gjithashtu në shtëpinë e gjermanëve.

Van Basten shënoi në minutën e 88-të, duke nxjerrë jashtë të zotët e shtëpisë. Kjo ndeshje nuk do të harrohet kurrë edhe për incidentin me Ronald Koeman, i cili në mënyrë provokative fshinte lotët pas fanellës së Olaf Thon. Holanda e fitoi finalen në “Olympiastadion” në mënyrë bindëse pas një goli me kokë të Ruud Gullit dhe një gjuajtjeje fluturimthi të Van Bastenit.

Italia rikthehej në finale pas mospjesëmarrjes në “Francë 1984”, por do të eliminohej në gjysmëfinale nga Bashkimi Sovjetik. Të kaltrit u pozicionuan në Grupin 1 së bashku me Gjermaninë Perëndimore, Spanjën dhe Danimarkën.

Skuadra e Azeglio Vicini nuk pati asnjë shans kundër futbollit total të Bashkimit Sovjetik. Ndërkohë që në Grupin 2, sovjetikët do të kualifikoheshin përpara Holandës, por edhe pse i kishin mundur këta të fundit 1-0 në këtë fazë, në finale iu imponuan kundërshtarit.

Gjysmëfinalja e parë ishte e rëndësishme, sepse përballeshin rivalë; Gjermania Perëndimore dhe Holanda. Kjo ishte hera e tretë që të dyja palët viheshin përballë njëra tjetrës që nga “Botërori 1974”, në finale. Loja ishte e fortë dhe gjermano perëndimorët e zhbllokuan rezultatin pas 55 minutash lojë, me anë të Matthaus, pas një faulli të ekzekutuar nga Klinsmann. Kjo epërsi mbeti në fuqi për 20 minuta, derisa Jürgen Kohler i ndërhyri në mënyrë të parregullt Van Basten. Ronald Koeman e konvertoi në gol penalltinë dhe barazoi ndeshjen. Kur po mendohej se nevojitej koha shtesë, një top i humbur nga gjermanët shkoi në këmbët e Van Basten, i cili e dërgoi në rrjetë, duke mposhtur portierin në minutën e 88­të, për fitoren 2­1. Ai i dha Holandës fitoren e parë konkurruese kundër gjermanëve dhe i dërgoi “tulipanët” në finale.

Gjysmëfinalja tjetër prodhoi një rezultat të paparashikueshëm. Italia ishte favorite kryesore për të arritur në finale, sepse e kishte mundur Bashkimin Sovjetik 4­1 në një miqësore, vetëm dy muaj më parë. Pavarësisht kontrollit të lojës dhe krijimit të shumicës së shanseve, italianët “thyen kokën” ndaj një prapavije të fortë të kundërshtarit, që luante ashpër. Përmes kundërsulmeve, Hennadiy Lytovchenko dhe Oleg Protasov shënuan dy herë në portën e Zenga. Kjo do të ishte paraqitja e katërt e Bashkimit Sovjetik në finalen e Kampionatit Evropian.

Holanda ishin shumë të qetë gjatë gjithë finales, duke i pamundësuar Bashkimit Sovjetik gjetjen e rasteve. Minuta e 54-të, pjesa e dytë, Van Basten hyn në histori. Goditja e tij e jashtëzakonshme fluturimthi tundi rrjetën e sovjetëve dhe dyfishoi epërsinë për tulipanët. Deri në fund nuk ndryshoi asgjë, dhe Holanda u kurorëzua kampionë Evrope.

Van Basten, Gullit, Koeman e shumë të tjerë, skuadër historike e cila arriti ta fusë edhe Holandën në librat e bukur të historisë së futbollit. Fundi i dinastive të bashkuara, në atë çfarë do të shndërrohej Evropiani portokalli.

Kishte ardhur koha që të fitonte futbolli spektakolar dhe më në fund “brezi i artë” solli në shtëpi kupën e parë të Evropës. Dominimi i futbollit holandez ishte paralajmëruar edhe me shpalljen kampione Evrope të PSV-së, pasi mundi në finale Benfikën.

Nga Gjermania te Franca, dështimet e mëdha në “Euro `88”

Largimi pa lënë shenjë nga “Francë 1984” u digjte ende gjermano perëndimorëve, nga të cilët në shtëpi 4 vite më pas priteshin gjëra të mëdha. Dy herë kampionët e Evropës organizonin për herë të parë në shtëpi turneun dhe niseshin si favoritët absolutë për të fituar kupën. Me Beckenbauer në stol, ata vinin si nën kampionë bote në “Meksikë 1986”, ndërsa ishin mundur në finale nga Argjentina e Maradonës.

Pasi kishin arritur të merrnin pjesë në dy finalet e fundit të Botërorit, kësaj radhe me “Kajzerin” në stol, Gjermania kishte përfshirë në radhët e saj edhe lojtarë me të ardhme si Klinsman, Kohler apo Berthold. Por “pancerat” mund të besonin shumë edhe tek këmbët e Rudi Völler, i cili sapo ishte rikthyer nga një dëmtim. Megjithatë, gjermanët i eliminoi një ndeshje epike në gjysmëfinale, ndaj një Holande gati perfekte, edhe pse e fitonin atë deri në minutën e 74-t, kur Koeman barazoi golin e Klinsmanit, ndërsa 14 minuta më vonë Van Basten vuloste eliminimin dhe hakmarrjen ndaj gjermanëve.

Veç dështimit të Gjermanisë, për herë të parë një kampione në fuqi, Franca, nuk kualifikohej në turneun pasardhës. Cikli i Platini me shokë kishte përfunduar që një vit më parë. 5 kampionatet e fundit kishin pasur pjesë të saj në fazën finale edhe kampionen në fuqi. Por për herë të parë më 1988-ën, Franca, kampione në "Euro 1984”, nuk arrinte të kalonte në fazën finale të turneut.

Tre Luanët" zhgënjyen në finale të Evropianit. Madje ishullorët pësuan një humbje shokuese në Grupin 2 ndaj komshinjve të Irlandës, të cilët të vetmen fitore këtë turne e arritën ndaj skuadrës së Peter Shilton. Në ndeshjen me Holandën portieri u bë lojtari i katërt anglez që arrti në kuotën e 100 ndeshjeve me përfaqësuesen.

Peter Shilton

Ndeshjet

Ashtu si në Francë 4 vite më parë u përdor e njëjta skemë në kualifikuese dhe në fazën finale të turneut. Kështu, 7 skuadra te kualifikuara nga 7 grupet respektive të eliminatoreve u ndanë sërish në2 grupe të tjera, nga të cilat dy vendete para do të kualifikoheshin në gjysmëfinale.

GRUPI 1

SkuadraN.FBHP
Gjermani P.32105
Itali32105
Spanjë31022
Danimarkë30030

Gjermani P.– Itali 1-1

Danimarkë – Spanjë 2-3

Gjermani P. – Danimarkë 2-0

Itali – Spanjë 1-0

Gjermani P. – Spanjë 2-0

Itali – Danimarkë 2-0

GRUPI 2

SkuadraN.FBHP
B. Sovjetik32105
Holandë32014
Irlandë31113
Angli30030

Angli  – Irlandë 0-1

Holandë – B. Sovjetik 0-1

Angli  – Holandë 1-3

Irlandë – B. Sovjetik 1-1

Angli – B. Sovjetik 1-3

Irlandë – Holandë 0-1

GJYSMËFINALET

Gjermani P.– Holandë 1-2

B. Sovjetik – Itali 2-0

FINALJA (25 QERSHOR 1988, Munih)

B. Sovjetik – Holandë 0-2

TOP 11

Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Skuadra kampione, Holanda do të dominonte formacionin më të mirë të këtij Evropiani me plot 6 futbollistë të saj. Një tripletë kundër Anglisë, gol në minutën e 88-të të gjysmëfinales ndaj Gjermanisë Perëndimore dhe një gol fluturimthi në finale me Bashkimin Sovjetik, mjaftuan qe Marko Van Basten të shpallej golashënuesi më i mirë i turneut me 5 gola. Sulmuesi 23-vjeçar i Milanit shpallet dhe lojtari i vitit.

Marco van Basten

PORTIER: Hans van Breukelen (Holandë)

MBROJTËS: Giuseppe Bergomi (Itali)

MBROJTËS: Paolo Maldini (Itali)

MBROJTËS: Ronald Koeman (Holandë)

MBROJTËS: Frank Rijkaard (Holandë)

MESFUSHOR: Giuseppe Giannini (Itali)

MESFUSHOR: Jan Wouters (Holandë)

MESFUSHOR: Lothar Matthäus (Gjermani Perëndimore)

SULMUES: Gianluca Vialli (Itali)

SULMUES: Ruud Gullit (Holandë)

SULMUES: Marco van Basten (Holandë)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë