Euro Retro

Euro 1976, viti kur u krijua Panenka

Një Europian fantastik me një finale si ato të filmave hollivudianë? Kështu mund të përshkruhet turneu i pestë i Evropianëve UEFA, ai i vitit 1976, i cili pa fitimtar Çekosllovakinë e drejtuar nga trajneri Václav Ježek. Ky kompeticion, i zhvilluar për herë të parë në Evropën lindore në Jugosllavi, përkatësisht në stadiumet “Ylli I kuq” i Beogradit me nxënësi 52 mijë shikuesish dhe “Maksimir” të Zagrebit me 45 mijë, ofroi mbase spektaklin më të madh futbollistik për sa i përket këtij turneu, me përplasje të forta, gola dhe emocione, protagoniste e të cilave ishte pa dyshim kampionia e re, Çekosllovakia.

Nuk ishte ndonjë e papritur që  çekët ngadhënjyen në këtë evropian. Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar “Sparta” e Pragës, ndër skuadrat më të njohura të Evropës, kishte qenë dy herë fituese e Kupës “Mitropa”, veprimtari ku kishin marrë pjesë skuadrat më të mira të Evropës Qendrore dhe përfaqësuesja çekosllovake, e drejtuar nga portieri legjendar, Plánička, kishte arritur në finalen e Botërorit ‘34 në Romë, ku kishte humbur ndaj Italisë 1-2.

28 vjet më pas në Botërorin Kili ‘62 të zhvilluar në Santiago, çekët ishin bërë nënkampionë të Botës,  pasi ishin gjunjëzuar në finale vetëm nga Brazili i famshëm 1-3. Veç kësaj,  shkolla danubiane,  e përfaqësuar nga futbolli cek dhe austriak dhe më pas hungarez, kishte lënë gjurmë në historinë e zhvillimit të futbollit europian.

Ekipet Pjesëmarrëse

Çekosllovakët nuk patën probleme për të kaluar grupin e tyre, edhe pse e nisën atë me një humbje dramatike 3-0 kundër Anglisë, ndërkohë që në çerekfinale iu bashkuan Holanda (e cila nuk hasi në pengesën e një Italie të dobët në grup), Belgjika, Spanja, Gjermania perëndimore, Jugosllavia vendëse, Uellsi dhe Bashkimi Sovjetik. Pikërisht këta të fundit ishin edhe rivalët e parë në fazën me eliminim direkt të çekosllovakëve, duke i eliminuar ata me rezultatin e përgjithshëm 4-2. Ndërkohe 5 çiftet e tjera panë triumfin e Holandës së Cruyff, Jugosllavisë dhe kampionëve në fuqi të Evropës. Te dyja gjysmëfinalet, Çekosllovaki-Holandë dhe Jugosllavi-Gjermani perëndimorë shkuan në kohën shtesë, edhe pse ajo që ofroi më shumë emocione ishte kjo e fundit. Gjermanët dhe pse me dy gola disavantazh barazuan në kohën e rregullt.

Çekosllovakia kishte ardhur shumë e karikuar në finale, duke qenë se gjatë rrugës së saj kishte eliminuar kundërshtarë të fortë si Anglia, Portugalia, Bashkimi Sovjetik dhe Holanda, ndaj fakti që përballë kishin kampionët në fuqi të Evropës nuk i trembi aspak djemtë e stërvitur nga Václav Ježek. Çekosllovakët madje e bën finalen të duket e mbyllur që në 25 minutat e saj të para, sepse Švehlík në minutën e 8-të dhuroi avantazhin, ndërsa 17 minuta më vonë Dobiaš i rrumbullakosi shifrat në 2-0. Të gjithë nisën festën, sepse kjo skuadër surprizë, e cila nuk humbiste prej 20 takimesh radhazi, dukej se e kishte hipotekuar triumfin por ai që nuk e mendonte kështu ishte Müller, që vetëm tre minuta më vonë ngushton shifrat në 2-1 dhe takimi rihapet. Por, pavarësisht disa drithërimave, gjithçka dukej të ecte në mënyrën më të mirë të mundshme për çekosllovakët, të cilët deri në minutën e 88-të e kishin shtrënguar mes duarve të tyre titullin e parë Europian, por ai që do t'i detyronte ata të dorëzonin këtë titull (edhe pse vetëm për pak kohë) ishte Hölzenbein, sulmuesi surprizë i gjermano-perëndimorëve.

Takimi barazohet dhe kjo do të thotë që duhet të luhen minutat shtesë, por as në këto 30 minuta nuk ndryshon gjë, prandaj të dy ekipet duhet t'i drejtohen pikës së 11-metrave për të shpallur fituesin. Në tre penalltitë e para nuk gabon askush, Te penalltia e katërt shkon Jurkemik dhe skuadra e trajnerit Ježek kalon në avantazh 4-3. Tekniku gjerman ia cakton penalltinë e radhës "të pagabueshmit" Uli Hoeneß (presidenti aktual i Bajernit të Mynihut), por ndodh e paimagjinueshmja. Ai që kishte arritur të shënonte 7 gola radhazi nga kjo distancë dërgon sferën mbi traversë dhe e gjithë vëmendja  përqendrohet tek Antonin Panenka. Çekosllovakia pret të kurorëzohet kampione e Evropës dhe ketë e bën me një penallti që zgjat më shumë se e zakonshmja, sepse mesfushori Panenka zgjedh një numër cirku, një parabolë të rrezikshme në 11- metërshin vendimtar, por fati është me të dhe Sep Majer është i gjunjëzuar ashtu sikurse e gjithë Gjermania. Çekosllovakia fiton titullin e parë Europian dhe e bën në mënyrën më të bukur të mundshme.

Si u krijua Panenka

Në Evropianin e vitit 2000. Italia dhe Holanda luajtën një gjysmëfinale dramatike, e ëila përfundoi me kualifikimin e të kaltërve pas goditjes së penalltive. Gjatë tyre bëri shumë përshtypje mënyra e goditjes së Tottit, i cili zgjodhi një parabolë e njohur ndryshe si stili i lugës. Këtë goditje mjeshtërore kapiteni i Romës dhe një nga ish-yjet e përfaqësueses së Italisë e ka përdorur edhe në disa raste të tjera, aq sa në dekadën ë fundit kjo penallti u quajt "alla Toti”. Por në të vërtetë, shpikësi i kësaj goditjeje nga pika e bardhë është* ylli i Çekosllovakisë, Antonin Panenka, i cili më një penallti të tillë i dha triumfin e parë kombëtares së tij në Evropë, duke fiksuar shifrat finale 11-mëtershavë në 5-3.

Një shpikje e tillë i kushtoi disa vite tallje masive portierit të asaj kohe të Gjermanisë Perëndimore, Sepp Maier, edhe pse vetë Antonin Panenka kujton së si e ideoi atë gjuajtje dhe ironizon disi me ish-kundërshtarin e tij "Pas çdo stërvitjeje normale ishte ë zakonshme që unë dhe portieri i Çekosllovakisë të bënim një stërvitje të personalizuar, e cila ishte më shumë një formë argëtimi dhe çlodhjeje. Për shaka vija bast me të ndonjë çokollatë ose ndonjë birrë nëse më mundte në duelin e penalltive dhe jo pak herë e kisha pësuar, aq sa kishte mbrëmje që nuk më zinte gjumi. Por këto orë boshe dhe të vona nisa të mendoja një mënyrë që të rifitoja bastin e humbur dhe në një moment më erdhi në kokë ideja e një  goditjeje parabolë, e cila edhe pse e lehtë nuk do t'i jepte kohë reagimi i një portieri që kishte zgjedhur krahun për t'u hedhur. Dhe rezultatet ishin fantastikë, aq sa nisa të fitoja baste me breshëri dhe për të thënë të drejtën shtova disa kilë nga çokollatat dhe birrat e shumta..

Ndeshjet

ÇEREKFINALET

  1. Çekosllovaki - B. Sovjetik  2-0
  2. B. Sovjetik – Çekosllovaki  2-2

(kualifikohen çekosllovakët me rezultatin e përgjithshëm 4-2)     

  1. Jugosllavi - Uells               2-0
  2. Uells - Jugosllavi               1-1

(kualifikohen jugosllavët me rezultatin e përgjithshëm 3-1)          

  1. Holandë - Belgjikë            5-0
  2. Belgjikë - Holandë            1-2

(kualifikohen holandezët me rezultatin e përgjithshëm 7-1)          

  1. Spanjë - Gjermani P.       1-1
  2. Gjermani P. - Spanjë        2-0

(kualifikohen gjermanët me rezultatin e përgjithshëm 3-1)           

GJYSMËFINALET

  1. Çekosllovaki - Holandë   3-1

(90 minutat u mbyllën në barazim 1-1, por çekosllovakët arritën të sigurojnë kualifikimin në kohën shtesë, kur shënuan dy herë)

  • Jugosllavi - Gjermani P.  2-4

 (90 minutat u mbyllën në barazim 2-2, por gjermanët arritën të sigurojnë kualifikimin në kohën shtesë, kur shënuan dy herë)

FINALJA E VENDIT TË TRETË

Holandë - Jugosllavi        3-2

(90 minutat u mbyllën në barazim 2-2, por holandezët arritën të sigurojnë kualifikimin në kohën shtesë)

FINALJA (20 QERSHOR 1976, BEOGRAD)

Çekosllovaki- Gjermani P. 2-2

(90 minutat u mbyllën në barazim 2-2 dhe rezultati nuk ndryshoi as në kohën shtesë. Në fund, nga pika e bardhë fituan çekosllovakët me rezultatin 5-3)

Kuriozitete

  • Gjermania perëndimore nuk ka humbur më kurrë nga pika e parë e penalltive që nga finalja e vitit 1976 kundër Çekosllovakisë; kur 11-metërshat përfunduan me rezultatin 5-3.
  • Ky i vitit 1976 ishte edicioni i fundit, në të cilin vend organizator nuk bëhej menjëherë pjesë e fazës finale të Evropianit.
  • Në vërshëllimën finale pas kohës shtesë, kur rezultati mbeti i pandryshuar 2-2, Çekosllovakia nuk e dinte se do t'i duhej të përballej me lotarinë e penalltive, por priste një përsëritje ndeshjeje, siç kishte ndodhur në vitin 1968 me Itali-Jugosllavi. Gjithsesi, kjo kishte qenë një lapsus i federatës çekosllovake, e cila pasi kishte rënë dakord me atë gjermano-perëndimore një ditë më parë për penalltitë, nuk ia kishte komunikuar vendimin ekipit.
  • Më 16 prill 1975, Malcolm Macdonald shënoi të pestë golat e fitores 5-0 të Anglisë kundër Qipros, ndeshje për Grupin 1 të eliminatoreve, një rekord ky ende pathyer nga ndonjë anglez.
  • 19 gola u shënuan vetëm në 4 ndeshjet e fundit, një rekord absolut duke numëruar edhe ata të shënuar në 4 edicionet e mëparshme. Çekosllovakia, Holanda, Jugosllavia dhe Gjermania ofruan spektakël duke shënuar mesatarisht 4.75 gola për ndeshje.
  • Ndeshjet e fazës finale të Evropianit 1976 (gjysmëfinalet, vendi i tretë dhe finalja) shkuan në kohën shtesë për të përcaktuar fituesen, një fakt i përbashkët ky që nuk kishte ndodhur në asnjë Evropian apo Botëror deri në këtë vit.

TOP 11

Gjermania kishte shkëlqyer një edicion më parë me Gerd Müller, ndërsa në 1976 i takon Dieter Müller të marrë për dore përfaqësuesen e tij, duke shënuar një tripletë në gjysmëfinalen përballë të zotëve të shtëpisë së Jugosllavisë. Me Gjermaninë ai luajti vetëm 12 ndeshje, por ai grumbulloi plot 9 gola. Gjithsesi, emri i tij mbetet ende sot e kësaj dite e shkruar me germa ari në futbollin gjerman, duke qenë se ai ishte i vetmi në historinë e Bundesligës që ka arritur të shënojë 6 gola i vetëm në 90minuta, kur Këlni i tij mundte 7-2 Bremen.

Dieter Müller

Edhe pse çekosllovaku Antonin Panenka i dhuroi një spektakël të madh Jugosllavisë organizuese dhe sportdashësve, vlerësimin e lojtarit më të mirë të vitit e meritoi në fund legjenda gjermane, Franz Beckenbauer. Ashtu si katër vite më parë kur shpallej kampion, ish-stoperi bavarez konfirmohet udhëheqësi gjigand përfaqësueses së tij dhe pas këtij Evropiani kthehet në shtëpi me një vlerësim të madh personal, "Topi i Artë" i dytë në karrierën e tij sportive.

Franz Beckenbauer

PORTIER: Ivo Viktor (Çekosllovakia)

MBROJTËS: Anton Ondruš (Çekosllovakia)

MBROJTËS: Ján Pivarník (Çekosllovakia)

MBROJTËS: Ruud Krol (Holandë)

MBROJTËS: Franz Beckenbauer (GJERMANI PERËNDIMORE)

MESFUSHOR: Antonín Panenka (Çekosllovakia)

MESFUSHOR: Jaroslav Pollák (Çekosllovakia)

MESFUSHOR: Rainer Bonhof (GJERMANI PERËNDIMORE)

MESFUSHOR: Dragan Džajić (Jugosllavi)

SULMUES: Zdeněk Nehoda (Çekosllovakia)

SULMUES: Dieter Müller (GJERMANI PERËNDIMORE)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë