Euro Retro

Euro 1964, Shqipëria në 16 më të mirat falë “Ligjit të luftës”

58 vjet më parë, më 29 qershor 1963 në Kopenhagën nisi edhe aventura e Shqipërisë në Kampionatet Europiane, atë Euro 1964, finalet e të cilit u zhvilluan në Spanjë, dhe u fituan po nga vendasit. Shqipëria në debutimin e saj të kualifikimeve, në mënyrën më të habitshme kishte hyrë midis 16 skuadrave më të mira të Kampionatit Europian, duke zhvilluar në fushën e blertë vetëm dy ndeshje, 1 fitore dhe 1 humbje. Për fat, pa mbetur të hynte në 8 më të mirat e Europës, thjesht për punë golavarazhi. Diçka sensacionale për një debutues krejt të vogël me emrin Shqipëri.

Në Janar 1962, shtypi shqiptar njoftonte se Shqipëria do të merrte pjesë për herë të parë në Kampionatin Europian të Futbollit. Në fakt, shorti i eliminatoreve të Euro 1964, e vuri Shqipërinë përballë Greqisë, por fqinjët tanë refuzuan të luanin kundër nesh, duke vendosur si pretekst “Ligjin e luftës”, që ekzistonte midis dy vendeve. Ky ishte “suksesi’’ i parë i Kombëtare se Shqipërisë në Kupën “Henri Delaunay’’: në 16 më të mirat e Europës pa luajtur kurrë një minutë! Në të vërtetë “suksesi’’ më i madh i deritanishëm për Kombëtaren e Shqipërisë.

Shqipëria nuk kishte asnjë marrëdhënie diplomatike apo të ndonjë lloji tjetër me Greqinë, e megjithatë tregohet më diplomatike se asnjëherë, teksa mbas hedhjes së shortit ne ditët e para të 1962, më saktë më 3 shkurt 1962, i propozon Federatës Greke të Futbollit që ndeshjet luheshin më 21 tetor 1962 në Athinë dhe më 2 dhjetor 1962 në Tiranë. Një propozim disi tinëzar sepse datat i caktonte FIFA. Gjithçka një farsë diplomatike.

Ndërkaq, është interesant fakti se si është pasqyruar kjo ndeshje në shtypin e kohës, ku ‘’Sporti Popullor’’ shpërthen ndaj vendimit të Greqisë:

-Kupën e Evropës midis kombeve. – shkruhet– po e ndjekin me interesim të madh edhe sportdashësit, tonë. Ata. megjithatë nuk patën rastin te shohin ndeshje në turin e parë - për shkak të qëndrimit armiqësor të qarqeve reaksionare greke ndaj vendit, po presin me ankth shortin e turnit të dytë. Kjo jo vetëm sepse do te kenë rastin të shohin përfaqësuesen tonë për herë të parë në një aksion të tillë të madh por edhe sepse kombëtares sonë do t i takojë të ndeshet me një nga 15 çiftet më të forta të Evropës. Në të njëjtën kohë ata janë të preokupuar si do të jetë përbërja e kombëtares sonë, si po përgatitet për këtë betejë të madhe. me ç ‘sistem loje do të luajë ajo në fushë si dhe shumë probleme të tjera të cilat duhet të preokupojnë seriozisht në radhë të parë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kolegjiumin e trajnerëve pranë saj, të cilëve u është besuar stërvitja e ekipit, dhe i vetë futbollistët pretendentë, që duhet të vihen në gare midis tyre për të zënë vend në 11-shin që do të veshi kostumin kuq e zi për të mbrojtur denjësisht ngjyrat e Republikës sonë Popullore".

Në këtë mënyrë Shqipëria është midis 16 skuadrave më të forta të Europës, së bashku me BRSS, Austrinë, Bullgarinë, Danimarkën. Irlandën, RDGJ- në, Francën, Italinë, Jugosllavinë, Suedinë. Holandën. Irlandën e Veriut, Spanjën. Hungarinë, Luksemburgun. Duke lënë “mbrapa" deri superfuqi të tilla si Anglia apo Çekosllovakia e Belgjika.

Më 26 Mars 1963 në Amsterdam UEFA hedh shortin 1/8-tave. Me një “kualifikim” në tavolinë, kombëtarja jonë u vu përballë Danimarkës në Kopenhagën, njëherësh edhe ndeshja e parë e luajtur në fushë në Kampionatin Europian. Humbje shokuese 4-0, më 29 qershor 1963, ku goli i parë i danezëve u realizua nga pika e bardhë nga ana e Jens Petersenit (16’), Madsen (35’), Klauzen (40’) dhe Enoksen (49’) mbyllën llogaritë me skuadrën e trajnerit Loro Boriçi në aventurën e parë.

Danimarkë-Shqipëri 4-0

Katër muaj më pas, më 30 tetor 1963, Shqipëria u paraqit në “Qemal Stafa” me Zyber Konçin në pankinë dhe Shefqet Topin në portë. Për çudi në ndeshjen e kthimit Shqipëria fiton 1-0. Goli i parë i në eliminatoret e një Kampionati Europian i përket legjendës Panajot Pano (atëherë 24 vjeç), vetëm tre minuta nga fillimi i takimit. Kjo është fitorja e parë shqiptare e luajtur drejtpërsëdrejti në fushë për një Kampionat të Evropës dhe të Botës. Po më e rëndësishme është kjo tjetra: që zyrtarisht në pjesëmarrjen e saj për këto gara, Shqipëria me trajnerë Loro Boriçin (dy fitoret me Greqinë) dhe Zyber Konçin (një fitore të vërtetë me Danimarkën) në 4 ndeshje, ka pra 3 fitore dhe vetëm 1 humbje!

Shqipëri-Danimarkë 1-0, Nga e majta: Deliallisi, Sh. Topi, S.Halili, Frashëri, A.Mema, Bukoviku, E.Hibërshimi, M.Bushati, Shllaku, Zaho, Pano.

Do të mbetet një fitore e hidhur i një Shqipërie, sepse kjo ndeshje i parapriu një izolimi të ashpër, teksa Shqipëria do përballej me një ndërprerje total të marrëdhënieve me pjesën më të përparuar të Europës Komuniste.

Danimarkë-Shqipëri 4-0

Data: 29 qershor 1963

Golat: Jens Petersen 16' pen, Ole Madsen 35', Eyvind Clausen 40', Henning Enoksen 49'

Shqipëria: Sulejman Maliqati, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Lin Shllaku, Lorenc Vorfi, Mehdi Bushati, Pavllo Bukoviku, Panajot Pano, Fiqiri Thoma Duro. Trajner Loro Boriçi.

Shqipëri-Danimarkë 1-0

Data: 30 tetor 1963

Golat: Panajot Pano 3’

Shqipëria: Shefqet Topi, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Lin Shllaku, Andon Zaho, Mehdi Bushati, Panajot Pano, Pavllo Bukoviku, Enver Ibërshimi. Trajner Zyber Konçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë