Politike

Ethet e zgjedhjeve për PE, Mogherini: Të hapen negociatat me Shqipërinë

Motorët elektoralë në vendet e Bashkimit Europian janë ndezur. Zgjedhjet e pranverës së 2019 do të përcaktojnë fort jo vetëm përbërjen e Parlamentit Europian, por edhe qëndrimin e Brukselit për tema delikate, si emigracioni, siguria dhe zgjerimi.

Federica Mogherini, si pjesë e sistemit tradicional e di që këto zgjedhje janë një sfidë më vete, nisur nga sondazhet e deritanishme që flasin për një rritje të fortë të euroskeptikëve dhe populistëve të të dyja kaheve, të majtë, ashtu edhe të djathtë.

Në takimin e përvitshëm me ambasadorët që marrin detyrën këtë shtator, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë kërkoi prej tyre maksimizimin e përpjekjeve për të betonizuar arritjet e deritanishme të BE-së.

Mogherini foli për emigracionin dhe sigurinë, por u ndal akoma më gjatë tek zgjerimi dhe nevojës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union, si një hap që rrit sigurinë. Kërkoi me ngul hapjen e negociatave si me Shqipërinë, ashtu edhe me Maqedoninë.

“Më lejoni të jem e qartë: kjo mundësi duhet të kapet tani! Nuk është një lëshim që po bëjmë ne, është në interesin e qytetarëve europianë, brenda dhe jashtë Bashkimit Europian. Në Ballkan, sot është mëse e qartë se Bashkimi Europian është pikë reference”, tha ajo.

Por, jo të gjithë mendojnë si Mogherini. Deputeti gjerman, Gunther Krichbaum, që mban edhe postin e kryetarit të Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, duke u ndalur tek Shqipëria deklaroi së fundmi se qershori i vitit të ardhshëm si datë për hapjen e negociatave nuk duhet të merret si një afat i mirëqënë.

Ndërkohë, për Mogherinin përsa kohë Bashkimit Europian shpreh angazhimin dhe zotimin e vet për Ballkanin Perëndimor, në këtë rajon nuk ka vend për forca të treta, duke nënkuptuar këtu Rusinë, Turqinë, apo edhe Kinën,

“Më lejoni t’u them diçka edhe atyre që kanë frikën se fuqi të tjera po bëhen gjithnjë e më të pranishme në rajon: përsa kohë që ne të jemi të pranishëm në rajon, nuk ka hapësirë për të tjerë”, shtoi Mogherini.

Një tjetër temë ku BE është e angazhuar plotësisht, e ku kritikat për Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian nuk kanë munguar janë bisedimet Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve. Një prej kritikëve të saj është analisti gjerman, Bodo Ëeber e fajëson për shtrimin në tryezën e këtij dialogu të tezave të vjetra dhe sipas tij, destabilizuese, siç është ndryshimi i kufijve.

Por, Mogherini mbetet optimiste, që brenda 2019 do të ketë një marrëveshje përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Besoj se ekziston një mundësi reale që presidentët Vuçiç dhe Thaçi të arrijnë një marrëveshje që do të adresojë të gjitha çështjet e hapura mes Beogradit dhe Prishtinës, një marrëveshje gjithëpërfshirëse, detyruese ligjërisht për të normalizuar marrëdhëniet mes dy palëve, një marrëveshje që të jetë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar, e që do të mund të ndihmojë në qendrueshmërinë e të gjithë rajonit. Më lejoni të përmend edhe data, sepse viti i ardhshëm 2019 do të jetë edhe 20-vjetori i luftës në Kosovë. Ka ardhur koha që t’i jepet fund atij konflikti”, deklaroi ajo.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së përshëndeti marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin dhe shprehu besimin se qytetarët maqedonas do të votojnë pro kësaj marrëveshjeje në referendumin e këtij muaji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë